Po menaxhohen shifrat jo epidemia

Nga Mili Xhani –

Kryeministri Italian Guseppe Conte nuk ka dalë ndonjë herë në televizion apo rrjetet sociale të hartojë strategjinë sesi do bëhen tamponët në Itali. Nuk del të lexojë shifrat e ditës nga beteja me koronavirusin dhe as të shajë italianët në telefon apo Facebook. Këto ditë të vështirë për Italinë kreu i qeverisë del disa herë në media, por flet mbi të gjitha për ekonominë dhe sesi do ndihmojë italianët me para për të kapërcyer krizën. Punën e emergjencës, shifrave, statistikave ua ka lënë ekspertëve të Mbrojtjes Civile. Madje dhe kur tentoi të hapte shumicën e bizneseve më 13 prill, ishin ekspertët e Mbrojtjes Civile  që i thanë: “Absolutisht Jo!”. Një detaj që tregon se krizën po e menaxhojnë ekipet e emergjencave dhe qeveria ka detyrë vetëm sigurimin e kushteve dhe shmangin e kolapsit ekonomik. Edhe kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis del në media në këtë situatë krizë, por nuk flet për burg, gjoba dhe aq më pak t’u jap mend mjekëve sesi të bëjnë testimet dhe kujt ti bëjnë tamponin.

Shembujt e kryeministrave të tjerë që këto kohë kanë ulur armë e betejave politike dhe menaxhojnë krizë aktuale dhe atë ekonomike që do të vijë më pas, nuk mungojnë edhe në vende të tjerë. Dy rastet e fqinjëve tanë vlejnë të merren si shembull për atë që po ndodh në Shqipëri dhe mënyrën sesi kreu i qeverisë e ka bazuar gjithë betejën me koronavirusin te Facebook-u i tij. Në Shqipëri deri para 9 marsit, kur u konfirmua rasti i parë me koronavirus, qeveria tallej me tragjedinë që ishte te porta, vetëm disa qindra kilometra larg në Itali. Tashmë që vendi është prej gati një muaj nën emergjencën e fatkeqësisë natyrore, tallja është zëvendësuar me fshehjen e asaj që po ndodh.

Duket se qeveria dhe kryeministri po merren këto kohë vetëm me menaxhimin e shifrave dhe jo në parandalimin real të epidemisë. Buletini i përditshëm me të dhënat nga Task Forca ka shifra që të befasojnë për numrin e ulët. Por a janë reale? Në disa qarqe prej ditësh ka shifra që nuk lëvizin me 1, 4 apo 8 persona të infektuar. Çdo epidemiolog e di se kjo është diçka pa kuptim. Nëse një person të prekur, ai ka familjarë, ka komshinj dhe ka takuar të paktën 5 apo 10 persona të tjerë të rrethit shoqëror. Arsyeja pse shifrat qëndrojnë në vend është thënë dhe stërthënë tashmë. Testet bëhen me porosi ose kontrollon në mënyrë të tillë që të mos ketë shifra të mëdha. Kjo metodë ulë statistika dhe mban tabelat e situatës në skenarin e parashikuar nga qeveria, por kjo metodë fsheh kurbën reale të virusit në Shqipëri. Në këtë mënyrë, në vend të frenohen infektimet ato vetëm shtohen derisa vjen një moment që e vërteta plas sheshit, siç ishte dhe rasti i Shkodrës sot me 12 infektime të reja vetëm në një ditë. Kjo skemë epidemiologjike nuk është e hartuar nga mjekët, por nga qeveria. Dhe si kudo ku fut duart qeveria rezultati do jetë i “bukur” për mediat dhe propagandën qeveritare, por jo real dhe një mashtrim kriminal për atë që po ndodhë me epideminë.

Përveç masave të duhura që u morën pas nisjes së epidemisë, aktualisht qeveria nuk po menaxhon emergjencën e epidemisë, por vetëm po “rregullon” shifrat. Megjithëse Edi Rama e ka shpallur disa herë fitoren e luftës me këtë strategji, shifrat e vdekjeve tek ne janë më të lartat në rajon. Për 1 milionë banorë Shqipëria ka mesataren e 6 vdekjeve. Ndërkohë Kroacia e ka 2, Serbia 4, Mali i Zi 3. Kaq mjafton për të parë sesi po funksionon kjo strategji. Të tjera janë çështjet për të rritur vetëm audiencën e ERTV.

SHKARKO APP