Po Meta ç’humbi pas kësaj ?
Nga Andi Bushati.
Me sa duket Ilir Meta po shpëton me shpejtësi nga akuza si porositës vrasësish me pagesë. Përpos thënieve të Tom Doshit ende nuk ekziston asnjë fakt dhe asnjë provë tjetër që ta fajësojë kreun e kuvendit. Edhe vetë dëshmia filmike e Banit lë shumë dyshime në vetëvete : si ka mundësi që një killeri përpos parave (dhe jo pak por 500 mijë euro sipas dëshmisë) t’i jepen njëkohësisht detaje se kush është porositësi, madje me tej akoma edhe motivi për të cilën ai e kërkon këtë vrasje ? Kush i njeh sadopak ligjet e kësaj bote të errët, e di fare mirë që rregulli numëri një është mos dekonspirimi i urdhëruesit. Edhe po të pranohet pretendimi se emri i Metës është përdorur si një garanci plus, pra për të treguar se « mbrapa është shteti », përsëri rrëfimi çalon. Mirë vrasësi me pagesë duhet ta dinte këtë për të marrë siguri, po përse vallë ai duhet të dinte se edhe ku i paskësh mbetur hatri Metës ? Pra pse duhet të dinte ai se e gjitha kjo po bëhej për një video të dikurshme ? Më shumë sesea rrëfimi real i një « vrasësi » filmi që ne pamë ishte një përpjekje për ti mbushur mendjen publikut se diçka kishte ndodhur.
Pa përfillur në këtë panoramë të gjitha informacionet « off » të propagandës qeveritare që flasin për përmbysje dëshmish e videosh të dyfishta, prapë mund të thuhet me siguri, se së paku deri më sot, nuk kemi asnjë fakt të qenësishëm që na lejon të drejtojmë gishtin mbi Ilir Metën në këtë histori.
Po pyetja që shtrohet pas këtij konstatimi është : Po atëherë si del Meta pas kësaj afere i humbur apo i fituar ? Si regull demontimi i një akuze të madhe e nxjerr gjithnjë përfituese viktimën e planifikuar të saj. Por ky nuk është rasti i Metës së paku për dy arsye. Sëpari për mënyrën se si u komportua dhe së dyti për pasojat politike që mund të ketë, kreu i LSI rrezikon të dalë i humbur në këtë histori.
Le ta nisim me të parën. Kjo ngjarje tregoi edhe njëherë mungesën e kohërencës, mungesën e parimeve dhe përcmimin që Ilir Meta ka për të vërtetën.
Ndërsa kacafytej në parlament me Sali Berishën që i kërkonte dorëheqjen, meta pohoi për herë të parë një histori që se kish thënë kurrë. Ai tha se kur ishte zëvendës i Berishës e kish dhënë dorëheqjen jo se ndihej fajtor vetë, por sepse bashkë me të në video qe kapur edhe Shkëlzen Berisha. Pra me një fjalë nëse Meta nuk largohej kërcënimi mund të arrinte deri tek kryeministri ?
Po a ka bazë një pretendim i tillë ? i thënë nga Meta aspak. Sepse nëse ai vetë pretendon se videoja e tij ishte e montuar, pra diçka e shpikur nga hiçI, pse nuk duhet të qe e tille edhe videoja e mundshme që Dritan Prifti kishte për të birin e Berishës? Pra ato video o ishin të gjitha të vërteta dhe përbënin problem, ose ishin montime dhe për këtë nuk duhej të friksohej as Meta dhe as Berisha. E vetmja gje që është non sens, që nuk e kap asnjë logjikë, është ajo për të cilën Meta kërkoi të na mbushë mendjen nga salla e kuvendit. Që videoja e tij ka qenë e montuar, por ato për Shkëlzenin paskëshin qenë aq të vërteta sa e trembën Berishën dhe e detyruan të sakrifikonte Metën.
Meqë jemi te videoja e montuar, tejet e pakuptimtë qe edhe ajo që Meta tha të hënën në mbrëmje në “Opinion” për gazetarin Filip Çakuli. Duke u përgjigjur se ai nuk kish ndërmend të hakmerej ndaj autorëve të videopërgjimit, ai tha se një nga miqtë e tij më të mirë të pasdarkave ishte edhe Filipi megjithëse qe ai që e montoi atë video. Unë personalisht, megjithë vendimin e turpshëm të gjykatës, nuk mendoj se ajo video ka qenë e montuar në thelbin e saj. Por kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka fakti se numri dy i shtetit shqiptar promovon si shembuj miqësie gazetarë që sipas tij (jo sipas shumicës) prodhokan kronika të montuara që shkatërokan karriera politike dhe i shërbejnë qëllimeve krejt të tjera nga misioni i tyre. Këtë vetëm nnjë njeri në hall mund ta pohojë me gojën e tij.
Një episod tjetër i dyfytyrësisë së Metës është edhe riciklimi i akuzave për Bashën. Nuk mundet ai sot, ti kujtojë shefit të opozitës se ai nuk ka dhënë dorëheqjen dhe i është shmangur gjykimit kur u akuzua nga prokuroria për 220 milion dollarët e rrugës së kombit. Mënyrën se si u soll Basha në këtë rast kanë të drejtë ta gjykojnë të gjithë atë që kanë mbajtur për shtëtë vitet e fundit të njëjtin qëndrim. Por ta dëgjosh atë nga Meta që as u kujtua ta përmendte këtë akuzë ndërkohë që e kishte Lulin “mikun e preferuar” brenda qeverisë, e për më tepër që luftoi me mish e me shpirt për ta zgjedhur në krye të Tiranës, kjo nuk ka asnjë pikë besueshmërie. Ky është thjeshtë sharlatanizëm politik.
Po ashtu nuk kanë asnjë pikë besueshmërie përbetimet e Metës se nuk di seç gjenden në kundërvideot e Spartak Brahos të cilat paraqiten si shantazh, sa herë që vetë Meta ndihet i rrezikuar.
Pikërisht këto metoda okulte (përfshi edhe rastin si ka komunikuar me të afërmit e deputetit Fufi) të cilat ai i preferon përpara kanaleve shtetërore dhe komunikimi publik gjatë kësaj krize, e kanë dëmtuar rëndë imazhin e kryeparlamentarit. Ato e kanë risjellë atë shumë më pranë Ilir Metës real duke e dërrmuar njëherë e mirë rolin e njeriut mbi palët, që përgjërohet për mirëkuptim dhe që u bërtet të gjithëve në fytyrë shprehjen tashmë të famshme: “me qetësi”.
Por Ilir Meta nuk ka humbur vetëm në imazh. Kriza e fundit atë rrezikon ta trondisë edhe elektoralisht. Duke mbajtur prej një viti e gjysëm një “qëndrim mbi palët”, duke i shkuar e duke iu ulur pranë Berishës në parlament, duke e penguar nuk dihet se përmes ç‘lidhjeve Bashën ta godiste fort, ai pretendonte të shkonte në këtë mënyrë drejt zgjedhjeve të qershorit. Kreu LSI-së pretendonte se duke mbajtur gjallë këtë ambiguitet mund ti përsëiste PD-së të njëjtin reng që i bëri në 2013, rekrutimin e një pjese të majme nga elektorati i saj, që e çoi LSI-në nga një parti 4%-she në një parti mbi 10%-she.
Por me sa duket këtë herë PD-ja nuk e ka më iluzionin e ardhjes në pushtet përmes ish aleatit të saj të vjetër. Nëse prej disa kohësh ajo e kishte renditur emrin e tij në dyshen e së keqes, pas denoncimit të Doshit ajo e ka shfrytëzuar këtë ngjarje për ta shpallur Metën armikun e saj politik dhe për ti hapur luftë frontale. Jo më kot, prej më shumë se një jave, beteja duket sikur nuk është më mes PD-së dhe PS-së por mes opozitës dhe LSI-së.
Pikërisht për këto arsye, hapja e çështjes Doshi nuk ishte e lehtë për Ilir Metën. Megjithëse tani për tani, duket sikur nuk ka prova që mund ta rëndojnë atë si pagator në vrasje, në imazh dhe politikisht, ai do ti ndjejë pasojat e kësaj ngjarjeje që ende është duke ndodhur.