Po ndodh një revoltë kundër “klasës sunduese”

Nga Robert Reich, The Christian Science Monitor

“S’ka mundësi që ai të fitojë të drejtën për të kandiduar,” është fraza që dëgjohet më shpesh kur njerëzit e korridoreve të Uashingtonit përmendin DonaldTrump ose Bernie Sanders. Megjithatë, ndërsa entuziazmi për miliarderin bombastik dhe veteranin socialist vazhdon të rritet brenda secilës parti, establishmenti politik është i habitur. Njerëzit e korridoreve politike nuk e shikojnë që fenomeni më i madh politik sot në Amerikë është një revoltë kundër “klasës sunduese” të njerëzve të korridoreve që kanë dominuar Uashingtonin për më shumë se tre dekada.

Në dy mënyra shumë të ndryshme, , Trump dhe Sanders janë agjentë të kësaj revolte. Dy mënyrat do t’i shpjegoj në çast. Mos e merrni këtë si një tërheqje tipike të publikut nga kandidatë që hiqen si jashtë kastës politike që do të pastrojnë pisllëkun, edhe kur ata janë pjesë e kastës që ka krijuar pisllëkun. Ajo që është e re tani është niveli i zemërimit ndaj atyre që kanë pasur pushtet mbi sistemin tonë politik dhe ekonomik që nga fillimi i viteve 1980. Mes tyre janë presidentë dhe drejtues të kongresit nga të dy partitë, së bashku me shpurën e këshilltarëve politikë, strategjistëve politike dhe spin-doctors. Shumica kanë qëndruar në Uashington edhe kur nuk kanë qenë në pushtet, si lobistë, konsultues fushate, avokatë korporatash, grumbullues fondesh, ndërmjetësues politikë.

Gjysma tjetër e klasës sunduese përbëhet nga drejtuesit ekzekutivë të korporatave, shefat e Wall Street, dhe multi-milionerët që i kanë ndihmuar këta liderë politikë – dhe për të cilët politikanët kanë dhënë favore si shpërblim. Amerika ka pasur një klasë sunduese prej kohësh, por ishte e gatshme ta toleronte gjatë tri dekadave pas Luftës së Dytë Botërore, kur prosperiteti u shpërnda gjerësisht dhe kur Bashkimi Sovjetik përbënte një kërcënim të dukshëm. Atëherë, klasa sunduese dukej mirëdashëse dhe e zgjuar. Ndërsa në tre dekadat e fundit – kur thuajse gjithë përfitimet ekonomike të kombit kanë shkuar për ata në krye, kurse pagat e shumicës së njerëzve s’kanë pasur ndonjë rritje – duket se klasa sunduese është e interesuar për mbushjen e xhepave të saj në kurriz të pjesës tjetër të Amerikës.

Ne kemi parë marrëveshje me interes personal me përmasa monumentale – duke filluar me kontrollin e bonove të thesarit të pavlefshme në vitet 1980, pasuar nga kriza Kursimeve dhe Kredive, skandalet e korporatave në fillim të viteve 2000, duke kulmuar me gati shkrirjen e Wall Street në 2008 dhe kreditë e dhëna nga financat publike. Përgjatë rrugës, miliona amerikanë humbën vendet e punës, kursimet dhe shtëpitë. Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka hapur portat për hyrjen e parave të shumta në politikë më shumë se kurrë. Taksat janë ulur për pagat e larta, borxhi qeveritar është shtuar, shërbimet publike janë shkurtuar. Dhe asnjë drejtues ekzekutiv i Wall Street nuk ka shkuar në burg. Loja duket e mbushur me abuzimet e pushtetit, kapitalizëm favoresh, dhe mirëqenien e korporatave.

Më 1964, amerikanët ishin dakord 64% me 29% që qeveria punonte për të mirën e të gjithë popullit. Më 2012, përgjigja ishte përmbysur, me votim 79% me 19% që qeveria “drejtohej nga një grusht interesash të mëdha që kujdeseshin për vete.” Kjo e bërë të vështirë që njerëzit e zakonshëm të ecin para. Më 2001, sipas një sondazhi të Gallup, 77% e amerikanëve ishin të kënaqur me mundësitë për të ecur para duke punuar dhe 22% të pakënaqur. Më 2014, vetëm 55% ishin të kënaqur dhe 45% të pakënaqur. Zemërimi kundër klasës sunduese ka marrë dy forma të ndryshme. Në të djathtë janë shkatërruesit. Partia e Çajit, e cila u shfaq menjëherë pas kredive që iu dhanë Wall Street, ka synuar të frenojë qeverinë në rrugën e saj dhe të përmbysë klasën sunduese që e shikon si të kalbur në thelb. Përfaqësuesit e saj në Kongres dhe legjislaturat e shteteve kanë sulmuar establishmentin republikan.

Donald Trump është topi njerëzor shkatërrues i tyre. Sa më i zemëruar dhe ofendues ndaj politikanëve të tjerë është shfaqur, aq më shumë popullor është bërë në atë pjesë të publikut që lumturohet nga një miliarder racist, bombastik, që sulmon klasën sunduese. Në të majtë janë rindërtuesit. Lëvizja Occupy [Pushtimi], edhe kjo lindi pas kreditimit të Wall Street, synonte largimin e klasës sunduese dhe rindërtimin e sistemit tonë politik dhe ekonomik nga zero. Occupy nuk zgjati por e futi në hartë pabarazinë. Dhe ndjenjat që ushqyen lëvizjen Occupy ziejnë ende.

Këta i përfaqëson Bernie Sanders. Sa më shumë ai mbron rindërtim themelor të ekonomisë dhe demokracisë tonë në favor të punëtorëve, aq më popullor bëhet mes atyre që nuk besojnë më që klasa sunduese mund të bëjë ndryshimet e nevojshme. Megjithatë, pavarësisht revoltës në rritje kundër klasës sunduese, gjasat janë që kandidatët presidencialë për 2016 do të jenë Jeb Bush dhe Hillary Clinton. Tek e fundit, klasa sunduese e kontrollon akoma Amerikën. Por revolta kundër klasës sunduese nuk do të mbarojë me zgjedhjet e 2016. që do të thotë se klasës sunduese do t’i duhet të ndryshojë mënyrën si e sundon Amerikën. Ose nuk do të sundojë shumë gjatë.

SHKARKO APP