Polemikat e helmuara shqiptare

Nga Artur Zheji

Shqipëria është pjellore që ç’ke me të! Në nëntokë, në mbitokë dhe në shoqërinë tonë njerëzore. Porse në drejtim të pjellorisë ka një lajm tjetër të mirë. Kemi stërholluar dhe mbipopulluar mediat me Polemika.

Polemika të cilat, në shumicën e rasteve ngjajnë gjithnjë e më tepër me marrjen nëpër gojë të gjithçkaje dhe gjithkujt. Jemi bërë pra ne, polemistët, një ushtri e tërë. Tani kësaj ushtrie, përveç gazetarëve profesionistë, të cilët më së shumti nuk dinë, nuk duan apo nuk munden të bëjnë ndonjë punë tjetër, u bashkëngjiten edhe lloj-lloj amatorësh të tjerë që vijnë nga profesione të tjera, por ushtrojnë në ekran një profesion të ri. Atë të televizoraxhiut. Kap ekran dhe fol. Kap ekran dhe komento. Faktorizohu. Fol me pasion për gjëra që nuk di. Pasioni dhe mundësisht bërtitja akuzonjëse, e mbulon më së miri paditurinë. Dhe është një mall i kërkuar, sepse sherri në debat rrit shikueshmërinë dhe kështu mund të thirresh përsëri e përsëri. Për të akuzuar në mënyrë bërtitëse, gjithçka, gjithkënd dhe gjithkund.

Përveç kotësisë njerëzore që frymëzon këtë dukuri, përveç ca mendjeve të sëmura nga kriza të shumëfishta ekzistenciale, dështimesh dhe inatesh të fshehura në nënshtresë të ndërgjegjes, ky polemizëm është dëshmi e një periudhe tensionesh reale në Shqipëri.

Është një tension që pasqyrohet në rrugë, në ndeshje bandash rivale, në të përditshmen e shqiptarëve, në jetën e të cilëve shteti ndërhyn sot, më shumë se sa dje, dhe përfundon në trajtë hinke, kryesisht në mediat elektronike dhe rrjetet sociale.

Ministrat, deputetët, kryeministri apo ish-kryeministri, kanë rritur intensitetin e komunikimit publik falë teknologjive të reja. Nga shtëpia, nga zyra, nga makina, qoftë me një telefon xhepit, hidhen në rrjet komente dhe asociacione të drejtpërdrejta. Të cilat paketohen dhe shpërndahen në kohë reale. Aty ka më së shumti mbresa të sipërfaqshme. Britma. Akuza pa fakte. Sharje dhe ironira. Selfie. Propagandë. Deklarativizëm. E pra, një “self made media”, një media e bërë vetë.

E cila po i shndërron apo i ka shndërruar mediat tradicionale, gazeta e televizione, më së shumti në amplifikatorë, në altoparlantë apo në shtypshkronja. Duke zbehur gazetarinë. Sidoqoftë, nëse pranojmë se kemi patur ndonjëherë gazetari shqiptare. Përtej gjobëvënies apo lustrës.

Është krijuar kështu pra një media e re. Një Platformë e Re komunikimi, që po nënshtron shkallë-shkallë mediat tradicionale.

E gjithë kjo ka ndoshta në thelb pak rëndësi. Njerëzimi, nëpërmjet teknologjisë, po e mund anonimitetin dhe pasivitetin e shumicës, që dikur ngulej apo stepej para ekraneve apo përpara faqeve të para të gazetave, të cilat dikur kishin monopolin e lajmeve, komenteve dhe dekriptimeve të të vërtetave. Shpesh të manipuluara nga botuesit ose pronarët e mediave, në përputhje me interesat e tyre financiare. Sot këto monopole po thërrmohen dhe “elitat” që i drejtonin, si virtuozë të komunikimit, po rrëzohen nga froni i tyre mbretërues.

Shumica, tanimë përmes një kompjuteri, një tableti, një telefoni, dikur konsumatore e padukshme e mediave klasike, ka bërë realisht një kryengritje të pashpallur. Përveç demokracisë direkte që është në rritje të padyshimtë, është rritur njëkohësisht edhe fluksi i shumëfishuar i dyshimeve, i helmeve, pa censurë, por edhe pa përgjegjësi. Krijimi i këtij realiteti të ri ka sjellë edhe një përshtatje të re.

Shpërthimi dhe lulëzimi i faqeve ”on line”, një media e re kjo, ka rritur skandalistikën, sensacionin, pornografinë, shpifjen apo interpretimin e papërgjegjshëm të fakteve, të figurave politike, apo të figurave. Duke siguruar një shikueshmëri apo një “klik-ueshmëri” që është, e thënë ndryshe, edhe numri i vizitorëve të këtyre faqeve, që barabitet me kopjet e shitura të gazetave apo shikuesit e ekraneve.

Gjëja që bie në sy, është se këto faqe “on line”, që përpiqen me çdo mjet të krijojnë një influencë në rritje, në opinionin apo në shijen, apo në konfliktin virtual publik, duke fshehur identitetin e botuesit ose të pronarit. Pra kjo zbulesë, në mungesë edhe të ligjeve adekuate, ka krijuar anonimitetin e grupeve të interesit, që financojnë në mënyrë të padeklaruar orientimin e këtyre flukseve të reja komunikative.

Shtohet kështu doza e helmit që derdhet në damarët e shoqërisë, dhe ai, ose ata, që zotërojnë “shiringat” dhe “serumet” që derdhen në këto vena, fshehin me art dorën dhe interesat e tyre financiare e të biznesit. Duke shtuar, për fat të keq, kaosin, zallamahinë në emër të së vërtetës kinse pa pronarë dhe botues.

Në të vërtetë, në emër të krijimit të së vërtetës, një fshehje e re e saj.

Në thelb, asgjë e re sidoqoftë në këto 4-5000 vitet e fundit.

Gazeta "Mapo"

SHKARKO APP