Politika, kjo dashuri pa pasion të majtë

 

Nga Lorenc Vangjeli

Politika është një martesë pa dashuri. Eshtë një marrëdhënie pa pasion, por me interes. Shtatori që u mbyll dje, vetëm sa vërtetoi çfarë duhet të ishte normalisht një aksiomë që pranohet pa vërtetim. Si në matematikë. Muaji i parë i vjeshtës u mbyll duke hapur një lojë të re. Ose duke rinisur aty ku kishte mbetur loja e vjetër mes dy poleve të së majtës që qeverisin vendin. Mbas një heshtjeje të gjatë, ndoshta të mbushur me shumë dilema, me shumë shpresa të krijuara dhe shpresa të dekurajuara, Edi Rama, kryeministër i vendit deklaroi se “…koalicioni qeverisës funksionon plotësisht, qeverisja funksionon plotësisht…”. I dha fund kështu në këtë mënyrë edhe shumë dilemave e shpresave të tjera që e shihnin vendin në skaje të ndryshme të lëvizjeve politike, që nga çarja përfundimtare e maxhorancës, tek aleanca të reja apo dhe tek provimi me shumë të panjohura i zgjedhjeve të parakohshme.

Të mërkurën e fundit të shtatorit, nga Uashingtoni, Rama parashikoi si do të donte ai të ishte moti politik në Tiranë.

Kryeministri vuri sërish topin në qendër në një lojë që përsëritet dhe ripërsëritet, për ironi të fatit, pothuaj me të njëjtat skema dhe të njëjtit lojtarë. Dhe mbi të gjitha me të njëjtin rezultat përfundimtar që ngjan i habitshëm në thelb. Njëlloj siç ndodhi edhe në muajin e parë të pranverës së këtij viti, në mars, për shembull. Këtë rezultat, Meta, prej një muaji në syrin e ciklonit, e shpjegoi në një mënyrë enigmatike: “Nuk mërzitem edhe kur dikush shqetësohet se pse partia ime votohet”. Një mesazh ky edhe për miqtë, edhe për armiqtë e tij. Të parët i shtohen çuditërisht në formë votash kur ndodhet në luftë dhe të dytët i largohen në formë interesi gjatë paqes që e garanton duke bërë luftën e tij.

Historia plot histeri që shpërtheu fort gjatë gjithë shtatorit, por që kishte pasur shkëndijën e rradhës që në javën e fundit të qershorit, ka shumë arsye se pse ndodhi. CEZ-i ishte vetëm një instrument. Ishte vetëm varaku i pistë i një çokollate të hidhur provinciale me korrupsion, të korruptuar, korruptues dhe natyrisht, humbës nga korrupsioni. Megjithatë, në fund të fundit, debati i madh për CEZ-in ishte dhe është një e mirë publike. Ai ishte dhe është shumë i shëndetshëm edhe nëse bëhet instrument dhe instrumentalizohet. Eshtë thjesht ujë që turbullohet për t’u kulluar shumë shpejt. Ajo ishte shfaqja e rradhës kur të gjithë u sulën me gurë kundër të gjithëve. Dhe, më shumë se të gjithë dhe më fort se gjithkush, goditën pikërisht mëkatarët, a thua se madhësia e gurit të hedhur, egërsia brenda gurit të hedhur, llogaria për hedhjen e gurit tek tjetri, shërbente si dëshmi e mungesës së mëkatit vjetjak.

Në vend të këtij debati mund të ishte gjithçka tjetër. Nesër diçka tjetër do ta zëvendësojë pa pikën e dyshimit. Në një ambient jashtëzakonisht acid dhe mosbesues si politika shqiptare, çdo shkëndijë, pavarësisht emrit, mund të shkaktojë zjarr. Zjarr që djeg një e më shumë palë dhe shërben për të ngrohur e fërkuar duart, një apo më shumë palë.

Fundi i shtatorit sqaroi disa rrethana. Marrëdhënia mes dy pjesë të së majtës kishte hyrë në një kurs përplasjeje. Ajo llogarit tashmë një frakturë morale dhe për të parë sa e thëllë është ajo, duhet të rrjedhë ende shumë ujë nën urat e Lanës në Tiranë. Deri në këtë pikë ajo ka shërbyer edhe për të qartësuar disa të vërteta fare të thjeshta. Politika është në thelb një marrëdhënie pa dashuri. Eshtë një kontratë interesi. Më shumë se pasioni atë e mban në këmbë logjika. Më shumë se miqësia personale, atë e ruajnë bindje të përafërta. Më shumë se fjala që fluturon e mban në këmbë e shkruara që mbetet. Edi Rama e Ilir Meta nuk ka nevojë të jenë miq, sikundër presin t’i shohin dashamirësit apo urojnë të thyhen kundërshtarët e tyre. Marrëdhënia e tyre personale ka pak rëndësi për gjithë shqiptarët që qeverisen nga ta. E rëndësishme, për pak më pak se një milion votat që kanë marrë në mënyrë të njëpasnjëshme në dy zgjedhdje rresht, është që të dy të reflektojnë bashkëpunim dhe bashkëndarje fatesh, siç diktojnë së paku deri tani shifrat elektorale. Edhe nëse njërit nuk i pëlqen kravata e tjetrit ose anasjelltas, tjetri nuk pëlqen ngjyrën e xhaketës së njërit.

Për të kaluar në kahun tjetër, e njëjta logjikë vlen edhe për Lulzim Bashën. Nëse shtyhet  që të besojë, shpresojë dhe të ëndërrojë për dashuri në politikë, me siguri që gabon. Sepse nuk në truallin e politikës nuk ka as dashuri dhe as urrejtje. Politika është interes. Martesat politike me pasion shpesh të lënë të zhgënjyer e në mes të rrugës. Sepse politika është një lojë shifrash. Dhe siç ka plot shembuj që e vërtetojnë, rruga drejt shifrave normalisht shtrohet me qetësi dhe jo me hile.

Javanews.al

SHKARKO APP