Politika si mendësi ndryshimi

Profesori i njohur dhe politikani Shezai Rrokaj ka përmbledhur qëndrimet e tij publike, të shprehura në veprimtari politike, në median e shkruar e vizive gjatë periudhës dyvjeçare të angazhimit tij në politikë në një libër me titull “Politika si mendësi ndryshimi”. Edhe pse i ardhur nga bota akademike, ai ka vendosur të shkruajë një libër për politikën.

Në këtë linjë, ai shprehet se “qëndrimet e mia janë mbajtur larg përdorimit të politikës si mjet linçimi personal ndaj kundërshtarëve politikë. Zaten, a nuk duhet të jetë politika një mendësi për qeverisje në të mirë të qytetarëve? A është e nevojshme që politika tek ne të dalë prej frymës së kazermës dhe të bëhet më e paqtë, më bashkëpunuese për interesat e vendit?”

Përmes rreshtave librit të tij, ai i përmbahet mendimit se “Shqiptarët meritojnë një politikë më të përgjegjshme, më qytetare, më kombëtare, e cila e ka për detyrë të shtjerë në punë potencialin e madh njerëzor, pasuritë e shumta të mbitokës dhe të nëntokës dhe nuk kemi pse presim që këtë gjë të na e thotë kush”.

Një përmbledhje se çfarë do të gjeni mes faqeve të këtij libri e ka dhënë vetë profesori Rrokaj:

Ky botim përmbledh një pjesë të qëndrimeve të mia publike, të shprehura në veprimtari politike, në median e shkruar, vizive si dhe në portale, gjatë periudhës 2-vjeçare të angazhimit tim aktiv në politikë. Duke ardhur nga bota akademike si pjesë shoqërisë civile, e cila ka në thelbin e sjelljes së vet jokonformizmin me qeverisjet, kam bindjen se vetëm qenia në opozitë më ka krijuar lehtësinë e duhur për ta përmbushur këtë mision sui generis.

Në çdo rast qëndrimet e mia janë mbajtur larg përdorimit të politikës si mjet linçimi personal ndaj kundërshtarëve politikë. Zaten, a nuk duhet të jetë politika një mendësi për qeverisje në të mirë të qytetarëve? A është e nevojshme që politika tek ne të dalë prej frymës së kazermës dhe të bëhet më e paqtë, më bashkëpunuese për interesat e vendit? I përmbahem mendimit se përfshirja e mendësisë së shoqërisë civile për qeverisje të mirë është e domosdoshme për t’i parë problemet sociale nga një vështrim ndryshe nga ai me të cilin ato janë krijuar.

Kur në një vend ka politikë të keqe për qytetarët ata përballen me dy mundësi: të largohen prej vendit ose të ndryshojnë politikën e keqe. Përvoja e vendeve demokratike na mëson se ka gjithmonë një shans për një vend për të bërë më mirë nëse, siç thotë Nënë Tereza, nuk do ta gjykojmë tërë kohën njëri-tjetrin, pasi nuk na mbetet fare kohë për ta dashur.

Shqiptarët meritojnë një politikë më të përgjegjshme, më qytetare, më kombëtare, e cila e ka për detyrë të shtjerë në punë potencialin e madh njerëzor, pasuritë e shumta të mbitokës dhe të nëntokës dhe nuk kemi pse presim që këtë gjë të na e thotë kush. Konica na mëson se ”shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë”. Le të themi të vërtetën, gjithnjë të vërtetën të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim (…). Heshtni, shtrohuni, bashkohuni.

SHKARKO APP