Politikanët tanë mediokër, pigmenj para viganit Fan Noli!
Ashtu siç janë lënë shpesh në hije figura historike si Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Avni Rustemi etj, dhe si me apo pa dashje kujtohet ndonjëherë Esat Pashë Toptani, edhe Fan Noli harrohet po aq shpesh nga politika dhe nuk merr vëmendjen e merituar, në Shqipëri. Disa thonë se historia duhet rishkruar nga e para, disa pretendojnë se figura e Mbretit Zog apo e diktatorit Enver Hoxha duhet vlerësuar më tepër. Por studiues të shumtë, siç edhe shprehet Moikom Zeqo, shfaqen të revoltuar se përse Fan Noli edhe sot e kësaj dite nuk i jepet vendi që i takon.
“2015-viti i 50 vjetorit të vdekjes së Fan Nolit. Sa pak, sa mjerueshëm u nderua dhe u festua përvjetori i këtij gjeniu shqiptar. Politika në Shqipëri ka një raport negativ me kulturën. Politikanët tanë mediokër janë pigmenj para viganit FAN NOLI,” – shkruan së fundmi studiuesi Moikom Zeqo, në profilin e tij Facebook. Më tej ai shton se “mungon në Tiranë një shtatore e denjë për Fan Nolin. Mungon optika e duhur për vlerësimin substancial për Fan Nolin. Nuk ka nevojë AI për ne, por ne kemi nevoje për TË.”
Fan Noli vetë shkruante disa dekada më parë:
Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregtie:
Kush fitonte më tepër, ai ishte usta,
Dhe kush nuk plaçkiste, ish krejt budalla.
Janë disa nga vargjet e Fan Nolit, me anë të cilave ai godiste politikën e kohës. Janë vargje të pavdekshme, që qëndrojnë ende sot e kësaj dite kohës në Shqipëri, teksa korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin është kthyer në gjë të zakonshme dhe madje “vlerë” . E ndoshta për këtë arsye politikanët shqiptarë nuk kanë kohë për t’i kushtuar vëmendjen që meriton kolosi dhe gjeniu, Noli.
Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Floridë, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij. Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje: “Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.
Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje të cilat nënvizoi Noli. Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij.
Fan Noli u nda nga jeta, në kohën kur Shqipëria ishte nën regjimin komunist. Nga përkthimet e Nolit, diktatori Enver Hoxha i njihte të gjitha tragjeditë e Shekspirit e të tjerat. Ata që i kanë qëndruar pranë diktatorit kujtojnë se një nga përkthimet që Enveri e lexonte duke buzëqeshur ishte “Rubairat” e O. Khajamit.
Enveri kishte një libër, ku një nga veprat e Shekspirit – jepej në dy gjuhë (bilingue) krahasuese, anglisht e frëngjisht. Enveri u mor gjatë e me kënaqësi, duke bërë krahasimin e variantit frëngjisht me përkthimin e Nolit. Mbaj mend që në fund Enveri u shpreh i entuziazmuar: “Me të vërtetë, përkthimi i Nolit tonë tingëllon më bukur!”.
Noli nuk erdhi më asnjë ditë në Shqipëri pas largimit më 1925, dhe as gjatë viteve të regjimit komunist. Por megjithatë, Hoxha edhe pse i konsideruar si ndër diktatorët më të egër të kohës në Europë, shpesh dorëzohej para figurës së tij të madhe.
Dhe nëse politika sot mund të ndahet apo edhe të bashkohet për vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës apo edhe të Ahmet Zogës, për figurën e Nolit nuk shihet se ka ndonjë arsye pse t’u ndarë.
Çdokush që e konsideron veten shqiptar, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, vështirë se mund të mos ketë mësuar ndonjë nga vargjet e Nolit e të mos jetë magjepsur.
Por duket se për Nolin kujtohen tjetërkund. Një kronikë gazetareske e vitit 1982, nga Observer të shtyn për një kërkim më të thellë arkivor rreth figurës së Fan Nolit. Shqiptarët e Amerikës kanë qenë të magjepsur dhe e kanë konsideruar gjithnjë si liderin e tyre peshkopin, Fan Noli. Për ta Fan Noli nuk ka qenë vetëm një lider shpirtëror, por edhe një lider i ideve politike dhe kombëtare përparimtare. Reporteri i Observer ka përshkruar sesi 31 vjet më parë në datat 1 dhe 2 maj të vitit 1982 është festuar 100-vjetori i kryepeshkopit Theofan S. Noli (1882-1965) në Boston.
Ajo që mësojmë përmes rreshtave të kronikës së kohës është se Kryepeshkopi Fan Noli ka qenë një figurë e vlerësuar edhe nga amerikanët. Ja një përshkrim sesi njeriu më i rëndësishëm i letrave shqipe, Fan Noli, ky ish-student i Harvardit rikthehet atje për 100-vjetorin e lindjes duke u vlerësuar si një ndër gjenitë e tij. Ja si përshkruhet festimi i 100-vjetori të lindjes së Nolit:
“Më 1 dhe dy maj të këtij viti, shqiptarët dhe miq të Shqipërisë ishin mbledhur në Boston, Massachusetts, për të nderuar kujtimin e udhëheqësit të tyre të madh, dhe më vonë priftit Theofan Stylian Noli. Kishin ardhur me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes së tij, 1882-1982”. Në artikull shkruhet se peshkop Noli njihet si një nga figurat më të shquara të historisë bashkëkohore shqiptare. Ai është themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Në vitin 1924 ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë dhe si delegat në Lidhjen e Kombeve, ku theksohet se “ai luajti ndoshta rolin kryesor në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e kombeve në vitin 1920”.
Gjithashtu, shkruhet se: “Në fushën e letrave shqipe, Noli ka një rol parësor si përkthyes në gjuhën shqipe i veprave të Shekspirit, të Ibsenit, Servantesit, Ibanezit, Longfellout, etj. Si studiues dhe kritik ai fitoi famë me studimin e tij “Bethoveni dhe revolucioni francez”, por edhe për Historinë e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeut”. Pasi janë përmendur arritjet dhe shërbimet e tij për kombin shqiptar nga artikulli mësojmë se një program i gjerë dyditor me aktivitete për të nderuar Nolin është sponsorizuar dhe organizuar nga Kryedioqeza Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Shoqatat shqiptare, ku theksohet se “Universiteti i Harvardit ka luajtur një rol kryesor”.
Sido që të shkruhet historia e Shqipërisë, dhe sido të jetë vlerësimi i politikës së djeshme, të sotme, apo edhe të nesërme ndaj tij, Fan Noli e sigurtë është se do të mbetet i pavdekshëm ndër breza për shqiptarët, kudo, anembanë, ku ata jetojnë.
Përgatiti: Aranit Muraçi/ Koha Jonë