Politikat dhe sfidat reale të një “industrie”!

Nga Alfred Peza

Hezitova të flisja për shumë arsye, gjatë një tryeze diskutimi për botimet shqiptare, të zhvilluar në një nga ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, si pjesë e kalendarit të aktiviteteve të Panairit të Librit. Në prani të shkrimtarëve, poetëve, botuesve, studiuesve dhe kritikëve, duke qenë se merrja pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë, preferova të dëgjoja. Por, kjo nuk ma heq të drejtën jo mua por askujt, që të rendis disa ide, duke i ndarë ato me një publik më të gjerë.

Industria e librit në përgjithësi dhe letërsia shqiptare në veçanti, mund të kenë sot shumë probleme, të natyrave nga më të ndryshmet e të shumëllojshmet. Një pjesë e tyre u trajtuan nga pjesëmarrësit, të cilët janë njerëz me peshë dhe kontribute, ndër vite. Për sa më përket mua, do të doja t’i grupoja sfidat e letërsisë së sotme shqiptare në tri kolona: – Sfida të lirisë. – Sfida të tregut. – Sfida të teknologjisë.

Duke mos pretenduar në asnjë rast që t’i shteroja as atje e as këtu të gjitha këto, kësaj liste kushdo mund t’i shtojë apo t’i heqë çfarë dëshiron.

1.- Sfida e lirisë.

Ka ende keqkuptime, moskuptime apo mosshfrytëzim sa e si duhet, të mrekullisë së lirisë së këtyre 25 viteve, si në çdo fushë tjetër të jetës shqiptare, për të bërë letërsi. Faji për mungesën e suksesit të pritshëm apo mospasjes së aksesit të duhur në publik, i vendoset gjithçkaje, por asnjëherë vetvetes apo cilësisë së produkteve letrare.

Deri në vitin 1990, faji për mungesën e suksesit iu vu herë regjimit (kjo për disa ishte e vërtetë), herë Ismail Kadaresë e ndonjëherë më pak edhe Dritëroit ose të dyve bashkë etj. Me suksesin e tyre, ata pretendohet se “i zaptuan” hapësirat dhe nuk lanë shumë të tjerë që të shpërthenin e të kishin suksesin e merituar në lartësinë e gjenialitetit apo të talentit të vet. Janë të njëjtët që edhe pas çerek shekulli lirie gjejnë gjithmonë diçka që i bën të ngushëllohen ose të besojnë se i pengon veprat apo “kryeveprat” e tyre, që të kenë vlerësimin e merituar.

2.- Sfidat e tregut

Ka shumë probleme në hapësirat shqiptare në Ballkan, në lidhje me librin dhe ciklin e mbyllur të një industrie, që duhet pranuar se operon me “teknologji” dhe mentalitete të prapambetura, në raport me epokën ku jetojmë. Sigurisht që edhe shteti me politikat e tij kulturore duhet të bëjë më shumë. Por, pak duket të investohet nga operatorët privatë në burime njerëzore të kualifikuara dhe në sistemet e teknologjive digjitale, për të kapërcyer pengesat që shtete të tjera në kushtet e një krize globale të rënies së shitjeve për shkak të internetit, po i amortizojnë.

Tregu shqiptar nuk ka pse konsiderohet ende me 3 milionë banorë. Sipas “google”, në të gjithë botën sot ka të paktën 16 milionë shqiptarë. Tregu i botimeve dhe i letërsisë shqipe, duhet ta konsiderojë dhe ta eksplorojë të gjithën këtë. Nëpërmjet shitjeve online, eBooks-ave, kindle-ve, website-ve të dedikuara për libra e autorë të caktuar etj. Ka ardhur koha që botuesit të bashkëpunojë me televizionin, kinematografinë, internetin dhe videolojërat me anë të projekteve të përbashkëta, si një tendencë e sotme globale për ta shpëtuar librin, duke e parë atë edhe si pjesë të industrisë së argëtimit në tërësi.

3.- Sfidat e teknologjisë

Ka një të vërtetë të madhe në atë se rrjetet sociale, po e vrasin kulturën e leximit, e për rrjedhojë po godasin industrinë e botimeve. Sikundër ka një të vërtetë se prurjet në letërsinë shqiptare të pas 1990, bashkë me vlerat që kanë njohur sukses dhe në gjuhë të tjera, kanë sjellë edhe ujëra të panevojshme.

Gjykoj se nuk është e vërtetë plotësisht se nuk lexohet. Një pjesë e së vërtetës lidhet me refuzimin ndaj mediokritetit, banalitetit dhe botimeve për botime dhe letërsisë për letërsi. Përgjatë dekadës së fundit, ka patur një qasje shumë pozitive të lexuesve ndaj autorëve dhe veprave që ata i konsiderojnë ndryshe nga të parat.

Politikat shtetërore e qeveritare për botimet në përgjithësi dhe letërsinë në veçanti, strategjitë dhe projektet e përbashkëta me botues e autorë, janë të rëndësishme për ta fituar sfidën e teknologjisë. Më shumë se sa te çmimi i librave, roli i qeverisë duhet kërkuar te mungesa e një sistemi funksional arsimor në të gjitha nivelet, që t’i detyrojë nxënësit dhe studentët gjatë shkollës, por edhe më pas, përgjatë gjithë jetës, që të shkojnë te libri e të qëndrojnë pazgjidhshmërisht të lidhur me të. Roli i klasës politike lidhet edhe me modelet që ajo promovon dhe me sistemin e meritokracisë që duhet të instalohet në këtë vend. Nëse krijohet bindja se mund të bësh karrierë e të mbrothësohesh nëpërmjet arsimit, kulturës, botimeve dhe letërsisë, kjo ndihmon në dekurajimin e modelit të atyre që lulëzojnë nëpërmjet moralit të forcës. Pak kohë më parë, në mediat shqiptare tërhoqi vëmendjen një shkrim shumë interesant për një pikë të përbashkët të të gjithë njerëzve më të suksesshëm sot në botë. Çudia për ne në Shqipëri ishte se ajo kishte të bënte me leximin. Me të lexuarit. Me librin. Ku rekordin e mbante njëri nga njerëzit më me influencë sot në botë: Warren Buffett. I cili leximeve edhe sot e kësaj dite, i kushton… 80% të kohës. Kjo i duhet ngulitur në kokë të gjithëve. E nëse ia nisim që sot, deri në Panairin e Librit të 2018, disa gjëra mund të kenë filluar që të lëvizin në drejtimin e duhur. alpenews.al

SHKARKO APP