Populistët e djathtë në Europë, të financuar nga Kremlini?
Partia e ekstremit të djathtë në Francë Front National (FN) ka kundërshtuar një raport të medias se ka dashur të marrë hua 40 milionë euro nga një bankë ruse. "Kjo është e sajuar, është çmenduri", tha kryetarja e partisë Marine Le Pen: "Ne kemi kërkuar nëntë milion euro dhe kemi marrë nëntë milionë euro."
Front National ka nevojë për mbështetje financiare ndër të tjera për organizimin e një kongresi, që do të zhvillohet në Lion. Fronti National akuzohet prej kohësh se mbështetet me para nga Rusia. Shefi i bankës është një person i besuar i Putinit. Nëntë milionë janë dhënë ndërkohë.
Marine Le Pen flirton me Putinin
Përsa i përket financimit të partisë Front National ndodhet në vështirësi, sepse me sa duket nuk merr më kredi nga bankat franceze. Mbështjetja ruse vjen si me porosi. Sipas deputetit të FN në parlamentin evropian Jean-Luc Schaffhauser kredia prej nëntë milionësh është aprovuar, sepse kryetarja e partisë Le Pen ka marrëdhënie të mira me udhëheqësinë ruse përreth Vladimir Putinit.
Marine Le Pen ka kritikuar fort sanksionet evropiane kundër Rusisë. Ajo vazhdimisht thekson në intervista: "Unë e admiroj Putinin" dhe akuzon BE, se po nxit një luftë të re të ftohtë. Le Pen ka kritikuar ashpër edhe qeverinë franceze, për mosfurnizimin e Moskës me një anije ushtarake të porositur për shkakun e krizës së Ukrainës.
Le Pen kritikohet.
"Është shumë e çuditshme, që nga toka mëmë e lirisë, një parti merr financime nga mjedisi i afërt i Putinit, armiku më i madh evropian i lirisë", thotë Reinhard Bütikofer, eurodeputet i të Gjelbërve, për Deutsche Welle. Putini lufton me të gjitha mjetet vlerat evropiane. "Por që tani armiqtë e lirisë evropiane në Moskë bashkëpunojnë me të djathtët radikalë evropianë, kjo është një cilësi e re", thotë ai. Sepse në Parlamentin e BE-së jo vetëm Marine Le Pen dhe anëtarë të tjerë të Front National janë bërë avokatë të Putinit, por edhe Nigel Ferage i United Kingdom Independence Party (UKIP) në Britaninë e Madhe. Edhe në partinë "Alternativa për Gjermaninë" ka deputetë, të cilët kanë bërë komente proruse.
Miqtë e Rusisë në Parlamentin Evropian
Nëse më parë zërat prorusë gjendeshin kryesisht në partitë e krahut të majtë në Parlamentin Evropian, sipas një studimi të Policy Research Instituts Political Capital në Hungari nga 24 partitë e djathta populiste 15 janë të hapura për Rusinë.
Stili nacionalist dhe autoritar i Putiniit nuk gjen admirim vetëm nga Front National. Partia hungareze Jobbik dyshohet të mbështetet nga Kremlini. Ajo është një admiruese e hapur e lojërave të Putinit për pushtet. Referendumi i Krimesë konsiderohet nga anëtarët e partisë si "shembullor". Në këtë mënyrë edhe minoritetet hungareze në Sllovaki dhe Rumani do të mund të ndryshonin kufijtë, thonë anëtarët e saj.
Pasojat juridike të mundshme
Radikalët e djathtë të Europës nuk e fshehin se duan ta dobësojnë BE. Më këtë qëndrim ata arritën të fitojnë vota në zgjedhjet e fundit evropiane. Skandali për financimin milionësh i vjen Front National në një moment shumë të papërshtatshëm. Në fundjavë Marine Le Pen do të rizgjidhet si kryetare partie. Kredia nga banka ruse mund të ketë edhe pasojë ligjore: Gjykatësit francezë po zhvillojnë hetime për shkak të mundësisë së financimit të paligjshëm të partisë Front National. Ndoshta së shpejti ata do të interesohen të hetojnë edhe për paratë e marra nga Kremlini./DW