Populli, ndër më optimistët – ka zënë e po vajton!?
Nga Halil Matoshi*
Kanë thënë: Një popull që ende qesh ai jeton. Kosovarët jo që po qeshin, por po i mbajnë edhe brinjët nga qeshjet. Sondazhet thoshin se shqiptarët janë ndër popujt më optimistë në botë!? Pse po vajtojnë tashti? Pra, kthejuni humorit e qeshuni… Humori (edhe ai i zi) është më i shëndetshëm se çdo politikë demagogjike e të gjitha qeverive kosovare!?
Humori gjithnjë është më i shëndetshëm se secila politikë që manifeston retorika të forta patriotike e sentimente nacionaliste.
Nacionalistët, nëse ka njëmend të tillë, kurrë nuk ikin nga atdheu!?
M’sa a ikin të vdekurit tanë!???
Ikin të gjallët, ata më energjikët, më liberalët dhe më të edukuarit në aspektin individualist!?
Çka keni me këta njerëz?
I shëndetshëm pra është ky humor, me të cilin e tfilluam këtë shkrim, sepse Kosova nuk do të mbesë pa kosovarë dhe kurrë nuk do t’i shuajë dritat, sepse kurrë gjatë historisë ata, kosovarët, nuk e kanë shuar dritën e lirisë!?
Po ikin kosovarët!?
Po cili nga popujt që janë ende nën robëri ose vetëm sa kanë dalë nga ajo, nuk ia mësyjnë botës së lirë!?
Nuk ka të tillë.
I shihni televizionet shqiptare?
Ose flisni me shumë shqiptarë që dikur (1990 – 91) ngjiteshin si “të marrë” në anije për ta zënë ëndrrën jetësore, “L’America-n” personale?
Fëmijët e tyre, duke qenë se janë rritur, ose edhe lind e shkolluar në një shtet të organizuar si Italia, po i rikthehen tokës së shqipeve të fortë, individualitete, qoftë në biznes, qoftë në sferat tjera të jetës, si artist, sportist, stilist, ose thjesht si qytetarë të suksesshëm e mendjehapur…
Pse pra kosovarët nuk duhet të vajtojnë për ato të reja e të rinj, që po mësyjnë Evropën?
Sepse Kosova nuk mund t’u ofrojë ende asgjë!
Në çastin kur Republika u bën ofertë të denjë si shtetas të denjë, ata do të vijnë…
Mirëpo, të mos bëhemi cinikë, duhet ta pranojmë, qytetarët e brishtë, të paqëndrueshëm e të nënshtruar mund t’i duhen pushtetit si votë ose si vegla qorre (analfabetët funksionalë), por jo një shoqërie të përparuar, konkurrencës dhe shtetit të maturuar?
Republikës i duhen individë të lirë, të qëndrueshëm dhe të fortë.
Me pare e me ekspertizë!?
Dhe mbi të gjitha të panënshtrueshëm…
Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë e tha një të vërtetë me gjysmë goje: "Nuk pranohen kërkesat për azil. Nja 90% do të refuzohen".
Kjo nuk është edhe ndonjë deklaratë e fuqishme për të mos e lënë përkohësisht këtë vend, sepse po të thoshte ajo se do t’i kthejmë gjysmën, ndoshta do të nisej gjysma e popullsisë së Kosovës drejt Gjermanisë, ngase, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, cilësia e jetës atje nuk mund të krahasohet me këtë mjerimin kosovar, qoftë të trashëguar, po edhe të mbjellë nga mosdija, mujshia, nepotizmi e korrupsioni, thjesht nga injoranca e tubuar përreth HTH po në një shkallë edhe rreth partive të tjera, në Republikë, pra në punët publike janë ngarkuar kinse meritokratët e luftës e të paqes, po jo të punës dhe mendjes!
Në një shoqëri në krizë të thellë ekonomike e identitare, politike e ideologjike, madje së fundmit edhe fetare, në një shoqëri ku të rinjtë e kalojnë kohën kryesisht në bastore sportive ose në caffe-çajtoret e katundeve kosovare e më rrallë në bilardo, t’i pranojë Gjermania 10% nga ta po e zëmë 30 mijë, kjo paraqet një shans goxha të madh për një shoqëri që ende bredh në kërkim të vetes. Sepse qeverisja e keqe e pasluftës në Kosovë e ka prodhuar një brez të humbur, mes heroizmit si sentiment historik dhe heroizmit në jetë!?
Që është të jesh i suksesshëm!?
Në anën tjetër, ambasadori norvegjez, Jan Brathu, paska thënë: ”Emigrantët rrezikojnë shumë vjet dënime”!?
Mos e merrni seriozisht, ose i ka ngatërruar gjërat ose ka mundur të qëllojë në humor të keq!?
Ky dosti Brathu nuk ia paska haberin konceptit të lirive themelore të njeriut, si e drejta e të kërkuarit të lumturisë personale (liria ekonomike ose liria për…), por edhe e drejta e azilit, që janë shtylla të secilës demokraci të madhe evropiane. Sepse Evropa e çterritorializuar është një projekt në ndërtim e sipër (një botë në lëvizje) ku mund të vijë kushdo dhe mund të rrijë me ne – evropianët kryesisht emigrantë!?
Ndoshta ka menduar se ata që emigrojnë tek ISIS-i mund të rrezikojnë shumë vjet burg – sepse të kërkosh azil në vendet e BE-së, s'ka Zot që të ndëshkon me burg – pos me refuzim azili!? Evropa po çterritorializohet – po shndërrohet në një gjeografi emigrantësh që duan të jenë evropianë…
Për të gjithë euroskeptikët dhe vajtuesit kosovarë duhet të theksohen edhe disa fakte:
Së pari, emigrimi nuk është një fenomen që duhet të na bëjë të vajtojmë, sepse secili individ e gëzon të drejtën universale për ta kërkuar lumturinë e vet (liria për jetë më të mirë ose liria ekonomike), së dyti e drejta e azilit është po ashtu një e drejtë e pranuar botërisht dhe së treti, vetë Evropa po ndërtohet mbi këto vlera të përbashkëta.
Realisht kosovarët nuk janë sivjet më të varfër se vjet ose parvjet, janë në të njëjtin stad, mirëpo në krahasim me vitet e mëparshme, sivjet qytetarëve u është vjedhur edhe shpresa dhe aty ku nuk ka shpresë, vështirë se pranon të jetojë dikush normalisht…
Madje, ky fenomen po e ringjall nervin e reagimit qytetar, gjë që dëshmon se Kosova nuk ka rënë në letargji.
Demonstratat e këtyre ditëve, që nuk duhet të ndërlidhen vetëm me “veprimet shpërthyese” të Lëvizjes VV, dhe jo as vetëm me racizmin e një ministri (Jablanoviq) e me dyshimet për “Trepçën”, por me mllefin e akumuluar 15-vjeçar, në thelb, ky rizgjim po ia ndreq imazhin Kosovës së dytë, asaj qytetare, e po ia shkatërrojnë imazhin Qeverisë së modelit kleptokratik.
Motivet thelbësore për ikje janë kryesisht të natyrës sociale, duke qenë se është rritur papunësia njëherësh edhe paperspektiva, qytetarët druajnë se Kosova po shkon drejt një krize të thellë sociale; mirëpo, pas një krize gjashtëmuajshe institucionale, pas përplasjesh të ashpra në luftën për pushtet, atmosfera politike është bërë e pajetueshme në Kosovë.
Çka më tutje?
E para, Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan emergjent që t’i apelojë vendet e fuqishme të BE-së, për t’i pajisur një numër kosovarësh me viza pune për 3-6 muaj për ta zbutur kështu sadopak mjerimin ekonomik në vend;
Së dyti, të fillojë ta rrisë besimin e shtetasve në institucionet e shtetit, përkatësisht që ta rikthejë atë besim dhe së treti duhet të krijojë një fond ndihmash, për strehim dhe ushqim të atyre që mund të kthehen rrëmbimthi, nëse shtetet përkatëse nuk ua njohin të drejtën e azilit.
Natyrisht që një vend si Kosova që nuk ka krijuar perspektiva të qarta për të rinjtë dhe që nuk mundet me politika kombëtare të punësimit dhe aspekteve tjera sociale të zvogëlojë ose të zhdukë fare fenomenin e azilkërkimit, e ka tepër të vështirë që të hyjë në procesin e liberalizimit të vizave.
Prandaj kjo lëvizje nuk duhet trajtuar si një fatkeqësi!?
Më parë një fat!
Sepse, një vend që ka potenciale aq të mëdha të rinjsh, me një përqindje të madhe (rreth 65-70 %) të popullsisë nën moshën 27-vjeçare, është i natyrshëm ekspansioni i tyre në tregjet e punës.
Ikja me numra goxha të mëdhenj e të rinjve dhe të rejave nga Kosova të jep shpresë se këta njerëz vlejnë…
Derisa një nga miqtë e mi në FB po thoshte: “Unë do të rri i mbrami me i ndal dritat” një tjetër po thotë: “Qysh po shkojne senet, vetem KFOR-i ka me mbet ne Kosove. I pari ka hy, i fundit do të dalë”.
Kur krejt po dalin…!? Le të dalin të shohin, të mësojnë dhe të fitojnë…
Pse jo!? Dhe, lë të dihet, një popull që qesh, nuk do të zhduket…
Ata nuk duan të mëshirohen nga askush.
Duan ta rrëmbejnë një të drejtë universale.
Mua më gëzon ky fakt: Këta njerëz nuk do të pranojnë që të shndërrohen as në votues të verbër të partive politike kosovare dhe as në lypës pranë sporteve të ‘punës e mirëqenies sociale’, këta qytetarë kosovarë do të bëhen të zotët e vetes, pra edhe të Republikës.
Ata e duan Kosovën!
Dhe do ta duan më fuqishëm kur të bëhen dikushi!
*Koha Ditore