Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, 100 Vjet Multilaterizëm i Shqipërisë nga Lidhja e Kombeve tek Kombet e Bashkuara
Nga Nga Av. Kastriot FRASHËRI –
Çfarë është 100 vjetori i multilateralizmit në Gjenevë?
Krijuar në 1919, Lidhja e Kombeve ishte organizata e parë ndërkombëtare me synimin për të zhvilluar bashkëpunimin midis kombeve dhe për t’u garantuar atyre paqen dhe sigurinë. Në vitin 1920, Lidhja vendosi selinë e saj në Gjenevë, dhe kjo ngjarrje shënoi zhvillimin e diplomacisë bashkëkohore multilaterale. Gjatë 100 viteve të kaluara, multilateralizmi ka evoluar nga hapat fillestarë të Lidhjes së Kombeve në punën komplekse dhe gjithëpërfshirëse që po bëhet nga Kombet e Bashkuara (OKB) sot.
Për të festuar 100 Vitet e Multilateralizmit, Kombet e Bashkuara Gjenevë po vijon të organizojë aktivitete të shumta së bashku me Shtetet Anëtare të saj, Vëzhguesit, Organizatat Ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë, duke përfshirë autoritetet lokale, shoqërinë civile dhe sektorin privat. Qëllimi është të nxjerrë në pah evolucionin e multilateralizmit në fusha të ndryshme që nga koha e Lidhjes së Kombeve deri në ditët e sotme dhe Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Njëqindvjetori është një mundësi për Kombet e Bashkuara (UN) dhe aktorët e tjerë për të promovuar rëndësinë e arritjes së paqes përmes multilateralizmit, duke kujtuar mësimet e së kaluarës ndërsa shikojmë të ardhmen. Njëqindvjetori gjithashtu do të ndihmojë në njohjen e publikut të gjerë me çështjet aktuale globale dhe do të sigurojë një moment për reflektim më të thellë mbi rëndësinë e multilateralizmit në botën tonë në ndryshim. Kohëzgjatja e këtyre aktiviteteve ishte: nga 24 Prill 2019 (Dita Ndërkombëtare e Multilateralizmit dhe Diplomacisë për Paqen) deri në 15 Nëntor 2020 (përvjetori i Asamblesë së parë të Lidhjes) dhe një pjesë e tyre që dikton pjesëmarrje të publikut për fat të keq nisur nga situata e krijuar nga pandemia COVID-19 një pjesë e tyre u përqëndrua tek diskutimet virtuale ose nuk u zhvilluan. Po ashtu, në Ditën Ndërkombëtare të Multilateralizmit (24 Prill), Zyra e KB në Gjenevë paraqiti një botim të veçantë “Multilateralizmi në kohë e Covid-19”, që përqendrohet në efektet e pandemisë në kulturë, sport dhe turizmi.
Për të përkujtuar 100 Vitet e Multilateralizmit, antarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe vendin që zë kjo ngjarrje e shënuar jo vetëm në historinë tonë kombëtare por edhe atë të kombeve gjykoj se do të ishte në interes të lexuesit të njihej me këtë faqe të re të Shqipërisë në historinë e saj, përpjekjet e elitës së saj politike por edhe të miqve dhe dashamirësve tanë në botë. Shqiptarët, natyrisht, gjetën atje edhe kundërshtarë, por edhe miq të së drejtës që u bënë menjëherë miqtë tanë të vërtetë, të cilët morën në dorë çështjen tonë dhe e mbrojtën ashtu siç ju ka hije misionarëve të paqes dhe të së drejtës së kombeve e popujve të cilat përkonin me zhvillimin e diplomacisë bashkëkohore multilaterale.
Ja, si u pranua Shqipëria në Lidhjen e Kombeve
Më 15 nëntor të vitit 1920 do të hapej në Gjenevë e para Asamble e Lidhjes së Kombeve. Një muaj më parë, më 12 Tetor, z. Pandeli Evangjeli në emër të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, i dalë nga qeveria e Kongresit të Lushnjes, e cila kishte si prioritet të politikës së saj të jashtme rikonfirmimin e vendimeve të Konferencave të viteve 1913 e 1914 mbi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, i paraqiti zyrtarisht sekretarit të përgjithshëm z. Erik Drummond kërkesën e qeverisë shqiptare për antarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Në këtë kërkesë ndër të tjera thuhej kështu: “Qeveria shqiptare, shprehëse besnike e ndjenjave të gjithë popullit shqiptar, duke dashur me gjithë shpirt të konsolidojë paqen në Ballkan, kërkon të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e Madhe që do të mblidhet në Gjenevë 15 nëntorin që vjen”.
Paraqitja e kandidaturës shqiptare, bëri që në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare të shtrohej menjëherë çështja e Statusit ndërkombëtar të Shqipërisë e cila njihej e konsoliduar. Këtë kërkesë e kërkonte artikulli 1 i Statutit të Lidhjes, ku përcaktonte se: “mund të bëhet anëtar i Lidhjes … çdo shtet … që qeveriset lirisht”. Në këtë aspekt e përqëndroi vëmendjen zoti Erik Drummond, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes, në letrën e përgjigjes që i dërgonte palës shqiptare ku ndër të tjera u kërkonte që të viheshin në dispozicion të tij dy lloj dokumentesh: 1) “Kopje autentike të dokumentave me anë të së cilave Shqipëria ka shpallur pavarësinë e saj, ose me anë të së cilave (Shqipërisë – K. F) i është dhënë qeverisja e plotë (has been accede to full self government) bashkë me çdo dokument tjetër të mëvonshëm që t’i ripohonte ato”.
2) “Kopje autentike të deklaratave, me anë të së cilave qeveritë e vendeve të tjera e kanë njohur Qeverinë e Shqipërisë, si qeveri ‘de facto’ ose ‘de jure’” , e më tej ai i njoftonte se merrte përsipër t’u bënte të ditur kërkesën shqiptare gjithë anëtarëve të Shoqërisë dhe ta shtronte për diskutim përpara Asamblesë.
Për të shfrytëzuar sa më mirë këto mundësi që dilnin përpara, qeveria shqiptare dërgoi në Gjenevë një delegacion të posaçëm të kryesuar nga Fan S. Noli dhe të përbërë nga: Pandeli Cali, Dr. Adhamidhi Frashëri dhe Hil Mosi. Nisja e delegacionit iu njoftua Lidhjes me anë të një telegrami më datë 8 Nëntor 1920. Delegacioni shqiptar mbëriti në Gjenevë më 12 nëntor 1920. Me mbëritjen e delegacionit trajtimi i çështjes së statutit ndërkombëtar të Shqipërisë kaloi ekskluzivisht nga përfaqësimi i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në autoritetin e delegacionit të posaçëm të akredituar në Lidhjen e Kombeve të kryesuar nga Fan S. Noli.
Hapi i parë që bëri delegacioni ynë me të mbëritur në Gjenevë ishte paraqitja e dokumenteve të kërkuar në Sekretariatin e Lidhjes si dhe përgatitja e terrenit të përshtatshëm për të konkretizuar këtë synim. Ai paraqiti ekstrakte nga ngjarrjet/ditët ndërkombëtare të 1913-14-ës:
Traktati i Londrës i 30 majit 1913 (art 2 dhe 3).
Vendimi i Konferencës së Ambasadorëve i 29 korrikut 1913, statuti organik i Shqipërisë i prillit 1914, artikullin 1 dhe 2 të Kapitullit I, si dhe artikullin 7 dhe 8 të kapitullit II.
Në ditët në vijim delegacioni shqiptar e thelloi më tepër plotësimin dhe cilësinë e dokumentacionit të kërkuar, duke parashtruar dhe argumentuar më së miri prezantimin e gjithë çështjes shqiptare me anë të një memorandumi që ju paraqit sekretariatit të Lidhjes së Kombeve më 22 nëntor nga vetë Fan S. Noli.
Ky memorandum shprehte një platformë të plotë juridike të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare pas Luftës së Parë Botërore. Ai e trajtonte këtë çështje në disa aspekte: njohjen e shtetit shqiptar dhe të qeverisë së tij para lufte, statusin e Shqipërisë gjatë luftës dhe njohjen e qeverisë shqiptare pas luftës. I parë në këto aspekte memorandumi tregonte qartë disa tregues që tregonin më së miri gjendjen reale politike të Shqipërisë deri në atë kohë se “Shqipëria nuk ishte një shtet i ri i krijuar pas lufte sepse ajo ekzistonte si një shtet i pavarur që më 1913”.
Në pikën e dytë të memorandumit vihej në dukje se, megjithëse Shqipëria e porsalindur u përfshi nga valët e luftës së madhe botërore, përsëri zhvillimet e luftës nuk e ndryshuan aspak statusin e saj ndërkombëtar.
Në një prej këtyre pikave, memorandumi trajtonte një çështje mjaft të rëndësishme, atë të njohjes së qeverisë shqiptare pas lufte. Themi të “rëndësishme”, sepse, shteti shqiptar ishte po ai që u njoh më 1913, kështu që nuk ishte nevoja për ta njohur “ex novo”. Duke e parë çështjen në këtë prizëm lihej të kuptohej se qeveria shqiptare në këtë kohë i ka të gjitha cilësitë për t’u konsideruar si qeveri “de jure” dhe “de facto” e shtetit shqiptar: ka dalë nga një asamble kombëtare, si shprehje e vullnetit të popullit dhe ka nën kontrollin e saj pjesën më të madhe të vendit. Më tej memorandumi paraqiste mjaft fakte dhe argumente të pakundërshtueshme të cilat tregonin njohjen de facto të saj nga ana e këtyre shteteve, nëpërmjet vendosjes së marrëdhënieve miqësore diplomatike midis tyre etj.
Kundër pikpamjeve shqiptare të shprehura në memorandum dhe në polemikë me të doli një pikpamje e kundërt në formën e një memorandumi të posaçëm që Sekretari, Drummond i drejtoi Asamblesë së Lidhjes lidhur me çështjen e pranimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Ky memorandum i parë në një vështrim të përgjithshëm nxirte në pah aspektin kryesor të problemit (sipas tyre K. F) – njohjen e shtetit shqiptar dhe lihej në një anë tjetër aspekti i pjesshëm: ai i njohjes së qeverisë shqiptare. Veç tyre edhe një aspekt tjetër duhet të vihet në dukje se me gjithë “paanësinë” e jashtme të memorandumit aty konstatohet një farë mbizotërim i lehtë i pikëpamjeve që kishin të bënin me statusin ndërkombëtar të Shqipërisë, të cilat e vështirësonin hapjen e dyerve të Lidhjes.
Shqyrtimi i çështjes së anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe të Lidhjes së Kombeve u zhvillua në dy faza. Faza e parë u karakterizua nga debatet në Komisionin e V-të dhe faza e dytë ishin diskutimet në seancën plenare të Asamblesë, e cila i dha përfundimisht fund çështjes së hapur të Shqipërisë. Por si u arrit deri këtu? Në komisionin e V-të çështja e Shqipërisë u mor në shqyrtim në mbledhjen e 4 dhjetorit 1920 dhe si bazë shërbeu raporti i nënkomisionit që ishte ngarkuar të mblidhte të dhëna rreth kandidaturës së Shqipërisë.
Përfundimi i diskutimit deri diku tregonte se ishte i paracaktuar fati i Shqipërisë, përderisa raporti anonte më shumë nga qëndrimet e kundërshtarëve të pranimit të vendit tonë. Këto qëndrime anonin nga mendimet e seksionit juridik të Lidhjes (i cili raportoi posaçërisht përpara Asamblesë- K. F.) dhe zhvillimet në këtë seksion u kristalizuan me hartimin e një raporti që komisioni ia drejtoi Asamblesë në datën 6 dhjetor.
Ky Komision i propozonte Asamblesë që çështja të shtyhej deri sa statusi ndërkombëtar i Shqipërisë të sqarohej definitivisht. Pavarësisht nga çfarë u konkludua është e rëndësishme të themi se nga anëtarët e Lidhjes u krijuan dy qëndrime të kundërta. Protagonistët kryesorë në këtë “betejë qëndrimesh” ishin francezi Vivian, i cili ishte udhëheqës i pikpamjeve të shumicës dhe britaniku Lord Robert Cecil, delegat i Afrikës së Jugut, së bashku me delegatin e Kanadasë Newton Wesley Rowell.
Hon. Lord Robert Cecil (një prej figuarave më të rëndësishme të kohës dhe fitues i çmimit “NOBEL” për Paqe K-F) nën cilësinë e kryetarit të komisionit të kuvendit lexoi raportin e këtij nënkomisioni dhe më poshtë deklaroi se është në favor të anëtarësimit të Shqipërisë, duke ripërsëritur argumentat që kishte përdorur dhe më parë. Ai tha se kundërshtimet që mund të bëhen për pranimin e disa shteteve nga shkaku që mbijetesa e tyre është në rrezik, meqë ato kombe rrethohen prej vendeve fqinjë, gjendja e të cilave është anarkike, nuk mund të vendosen edhe për Shqipërinë, meqë kufijtë e saj lidhen me ato të Serbisë dhe Greqisë dy shtete të njohur që respektojnë delegacionet ndërkombëtare.
Më poshtë ai theksoi ndjenjën e fortë kombëtare të Shqipërisë, të cilën ai e paraqiti si një provë të vazhdimit të ekzistencës kombëtare dhe të domosdoshmërisë së njohjes së saj. “Shqipëria, shtoi ai përbën një komb për arsye të sentimentit unanim të banorëve të saj”.
Duke vazhduar debatin, folës të tjerë si z. Viviani, delegat i Francës, u shpreh kundër. Ai theksoi duke lënë mënjanë argumentet do të ishte një “sfidë kundër Fuqive të Mëdha” të cilat ende nuk kishin vendosur mbi statusin e mëtejshëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Sipas tij – “Kuvendi po të bënte ndonjë vendim të tillë mbi këtë çështje do të vinte në kundërshtim me dëshirën e tyre”. Më tej kërkoi që vendimi mbi këtë çështje të shtyhet për më vonë derisa të vendoset statusi ndërkombëtar i Shqipërisë me një marrëveshje tjetër të Fuqive të Mëdha, meqënëse statusi i saj më 1913 dhe 1914 nuk mund të ketë më fuqi.
Më tej zoti Pagliano deklaroi se mbështeste propozimin e zotit Viviani përderisa ai propozim nuk e refuzon pranimin e Shqipërisë por e lë atë për më vonë, dhe ky propozim shkaktohet edhe nga arsyet që lënë dhe çështjen e pranimit të Shteteve Balltike për më tutje, ku këto shtete nga pikëpamja e njohjes ndërkombëtare de jure dhe de facto janë në një pozitë me Shqipërinë. Më tej, si për t’u shfajësuar ai theksoi se dëshiron të përgënjeshtrojë gjithë sa deklarohet e kundërta se Italia kundërshton pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Përkundrejt këtyre deklaratave sikundër theksoi edhe përpara komisionit të posaçëm, të kryesuar prej Lordit Robert Cecil, Italia dëshiron te ndjekë një rrugë të qartë në këtë çështje me një program liberal të udhëhequr nga idealet e drejtësisë. Italia beson – sipas tij se pranimi i këtyre shteteve në këtë organizatë do të inkurajojë zhvillimin e institucioneve të tyre në mënyrë demokratike.
Në vijim të diskutimeve mbi çështjen e anëtarësisë apo jo të Shqipërisë, M. Tang-Tsaj-Fau përfaqësues i Kinës, tha se e mirëpriste pranimin e Shqipërisë, por kur një shtet nuk është i njohur “de jure” dhe kur kufijtë e të cilit nuk janë caktuar dhe një pjesë e tokave të së cilit mbahen të pushtuara nga ushtritë e huaja, përkrahu propozimin për ta lënë çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë për më tutje. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe delegati serb M. Spakaloviç, i cili ashtu si dhe parafolësi mbështeti propozimin e z. Viviani për ta lënë këtë çështje për më vonë, meqë ajo (Shqipëria -K.F.), ishte akoma në stadin foshnjëror.
Duke ju rikthyer edhe një herë diskutimit të tij Shkëlqesia e Tij, Lord Robert Cecil deklaroi se “propozimi i z. Viviani nuk duhet të jetë plotësisht i pëlqyer. Kuvendi nuk mund të pranojë ta lërë vendimin mbi këtë çështje në dorë të një grupi shtetesh, duke ju kundërvënë direkt parafolësve të këtij qëndrimi. Dhe më tej shtoi se nuk ishte aspak lajm i mirë botimi në gazetat e mëngjesit se Fuqitë e Mëdha kërkojnë të diktojnë Lidhjen e Kombeve mbi disa çështje. Shqipëria duhet të pranohet në Lidhjen e Kombeve përderisa ka gjithë karakteristikat e nevojshme për të qenë një shtet. Dhe ajo ka dhënë prova së është një shtet që do të ekzistojë”. Më pas ai propozoi këtë rezolutë:
“…Kuvendi, pasi shqyrtoi raportin e Komisionit të V-të për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, deklaron:
1- Se të gjithë kombet, ashtu sikurse rasti i Shqipërisë, kanë të drejtë për jetesë kombëtare në qoftë se e dëshirojnë atë gjë.
2- Kuvendi është i mendjes se Shqipëria është shtet sikundër e kërkon artikulli i I-rë i Kushtetutës dhe është e njohur në të gjitha kushtet e tjera të atij artikulli.
3- Kuvendi vendos të pranojë Shqipërinë si anëtare në Lidhjen e Kombeve”.
Më pas Shkëlqesia e Tij, zoti Newton Rowell përfaqësues i qevrisë së Kanadasë parashtroi arsyet që e bëjnë atë të votojë në favor të çështjes së Shqipërisë. Sepse, sipas tij, shteti shqiptar ka kufij që janë njohur prej konferencave ndërkombëtare dhe as Traktati i fshehtë i Londrës e as coptimi i trojeve shqiptare nuk janë fakte që Shqipëria s’është shtet indipendent.
Në kundërshtim të hapur me këtë gjykim sa të drejtë aq dhe human që karakterizon njerëz të tillë të mëdhenj, përfaqësues të shteteve mbartës të vlerave dhe qytetërimit botëror, të cilët nuk udhëhiqen nga ide apo qëndrime që favorizojnë orekse ekspasioniste e gllabëruese, të cilat në jo pak raste karakterizonin fuqitë e mëdha të Europës së shekullit të XIX –të, në dëm të shteteve të vegjël.
Dhe në rezonancë me to, si për ironi të fatit të mëtejshëm të Shqipërisë, z. Herbert Fisher përfaqësues i Anglisë ndonëse e njeh rëndësinë e argumenteve që u paraqitën në favor të pranimit të Shqipërisë shtoi se: “Komisioni dhe Asamblea nuk mund të dalin mbi vendimet e fuqive të mëdha në këtë çështje. Në përfundim të punimeve të këtij komisioni u kristalizuan dy rezoluta, ajo e zotit Robert Cecil që e përmendëm më sipër dhe ajo e paraqitur nga përfaqësuesi francez z. Viviani, i cili kërkonte që pranimi i këtij shteti të shtyhej për më vonë derisa të rregullohej statusi ndërkombëtar i Shqipërisë, propozim i cili fitoi me 13 vota pro ndaj atij me 8 vota të Lord Robert Cecil.
Mbi bazën e këtij mocioni u hartua dhe raporti i Komisionit i cili iu drejtua asamblesë. Asambleja e Lidhjes së Kombeve e mori në shqyrtim çështjen e pranimit të Shqipërisë në seancën plenare të 17 dhjetorit 1920 në orën 10:00. Debati në Asamble u hap me ndërhyrjen e Lord Robert Cecil e cila u pasua me të tjera ndërhyrje, të cilat siç do të vihet re më poshtë shpalosën një pamje krejt të kundërt nga ajo që ishte zhvilluar më parë.
Kështu Hon. Lord Robert Cecil që në fillim tha: “E ndjej veten në një pozitë të vështirë të flas këtu si një reporter dhe natyrisht shpresoj që Kuvendi do të gjykojë nga një pikpamje e ndryshme nga ajo që karakterizoi komisionin. Do të kërkoj që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe në më jepni leje t’u jap arsyet që më bënë të arrij në këtë përfundim. Çështja e Shqipërisë u diskutua me kujdes prej komisionit të posaçëm. Komisioni thirri, dëgjoi dhe ripyeti përfaqësuesit e Shqipërisë duke bërë që ata të vërtetojnë deklaratat dhe shpjegimet e tyre mbi këtë çështje. I dëgjuam dhe shpjegimet e përfaqësuesve të Greqisë, dhe arrin në një zë unanim që Shqipëria ka gjithë karakteristikat e një shteti”. Një konkluzion i tillë nuk ka si të ishte ndryshe, pasi Shqipëria kishte një qeveri qëndrore të organizuar në një Këshill Ministrash, një trup legjislativ që përbëhej nga Kuvendi Kombëtar dhe një Këshill Regjence të përbërë nga katër Regjentë që përfaqësonin mendime të ndryshme në Shqipëri. Mendimi se “guvernat” mund të njihen nga koha në kohë, por shteti qëndror në këtë rast ishte shumë i saktë. Prandaj përfundimi është i qartë se dy kushtet e domosdoshme që kërkon artikulli i I-rë i Kushtetutës së Lidhjes – d.m.th. që aplikonjësi duhet të jetë një shtet dhe që duhet të qeverisë vetveten përmbushen pa dyshim në rastin e Shqipërisë.
Shqipëria në këtë rast i tregonte Lidhjes së Kombeve se ajo ka një histori që duhet të merret në konsideratë. Në vitin 1913 pas luftës Ballkanike u mbajt një Konferencë e madhe ndërkombëtare ku morën pjesë vendet Ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha. Në këtë konferencë u përcaktuan në mënyrë arbitrare kundrejt vullnetit të shqiptarëve edhe kufijtë e rinj ku mund të vendosej shteti shqiptar. Gjashtë Fuqitë e Mëdha treguan qartë me qëndrimet e tyre se ishin për mosvendosje për të përcaktuar kufijtë shqiptarë.
Ja kundërshtarët dhe miqtë e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve
Në vitin 1914 Fuqitë e Mëdha firmosën një traktat duke përcaktuar kufijtë e Shqipërisë duke bërë kështu njohjen “de jure” të Shtetit Shqiptar. Pra për të gjithë ishte i qartë fakti se Shqipëria nuk e kishte humbur karakterin e saj shtetëror nga pikpamja legale dhe gjendja e saj ishte absolutisht e qartë.
Një tjetër argument i cili ju paraqit kësaj asambleje mbi të cilin insistoi personalisht Lord Robert Cecil si përfaqësues brilant i perandorisë së madhe Britanike se Shqipëria është një vend muhamedan dhe Lidhja e Kombeve duhet të tregojë të njëjtat obligime si për muslimanët ashtu dhe për kristianët. Duke shfrytëzuar këtë tribunë theksoi se: duhet të shfrytëzohet ky rast për t’i dhënë një vendi musliman po atë rëndësi që ka një shtet kristian. Në përfundim të fjalës së tij Lord Robert Cecil tha: Kush njeh historinë e Shqipërisë, njeh forcën dhe fuqinë e saj patriotike. Sepse populli shqiptar, ashtu si dhe mjaft popuj të tjerë në historinë e tyre kanë treguar nëpërmjet luftrave për liri dhe egzistencë këtë patriotizëm. Dhe patriotizmi shqiptar është po aq i fortë sa ai i zviceranëve apo francezëve. Dhe shqiptarët e dëshirojnë me zjarr indipendencën e tyre dhe këtë e kanë mbrojtur me luftë.
Zoti Newton Rowell përfaqësues i Kanadasë, i cili mori fjalën menjëherë pas Lord Robert Cecil tha se: “Shqipëria plotëson të gjitha kërkesat e paktit dhe ne (Lidhja -K.F) me plot besim duhet ta pranojmë këtë vend (Shqipërinë- K.F) në Shoqërinë e Kombeve”. Fill pas fjalës së dy të parëve edhe kundërshtarët që deri dje ishin shprehur kundër, pasuan njëri-tjetrin, duke shprehur pëlqimin e tyre Pro anëtarësimit të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve. Por si ndodhi kjo, si u përmbys kjo tabllo brenda më pak se dy javësh ku Shqipëria, njohu edhe refuzimin edhe pranimin?
Përfaqësuesi i delegacionit britanik, The Right Honorable Herbert Albert Laurens Fisher, një historian i mirënjohur anglez, edukator, dhe politikan liberal duke pasuar diskutantët deklaroi menjëherë se: “delegacioni ynë pasi e studjoi edhe një herë gjendjen në Shqipëri pas paraqitjes së raportit ka arritur në të njëjtin konkluzion me Lord Robert Cecil dhe deklarojmë votën tonë Pro pranimit të Shqipërisë”. Menjëherë pas tij z. Ali Imam përfaqësues i Indisë u shpreh se mbështeste raportin e Lord Robert Cecil dhe duke qënë se Shqipëria përbëhet nga dy religjione fetare Muhamedane dhe Kristiane, ku muhamedanët janë në mazhorancë dhe kjo është një ogur i mirë për këtë popull, ku muhamedanët e kristianët bashkëjetojnë në harmoni me njëri- tjetrin dhe kjo është një provë e mirë për anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve. Pas tij zoti Vivian, në emër të delegacionit Francez u shpreh se e çmon elokuencën e delegatit britanik Herbert Fisher dhe bashkohet me propozimin e paraqitur me qartësi nga Lord Robert Cecil. Duke pasuar këtë, më poshtë delegati italian Schanzer, theksoi se Italia dëshiron lirinë, pavarësinë dhe progresin e Shqipërisë. Zoti Rowell – vijoi më poshtë ai,- na kujtoi këtu deklaratat e bëra nga Z. Giolitti, Kryetari i qeverisë Italiane në kohën e largimit tonë nga Vlora, të cilat kanë qenë të qarta e të thjeshta. Unë pata nderin dje të shpreh pikëpamjet tona mbi pranimin e shteteve të reja dhe nga kjo pikëpamje e them prapë duke u mbështetur në parimet tona të përgjithshme dhe me dëshirë që Shqipëria të jetë një element paqeje dhe rregulli në gadishullin e Ballkanit, ne jemi Pro pranimit të Shqipërisë në këtë Shoqëri.
Duke mbyllur këtë diskutim, i cili do të çelte një faqe të re në historinë e Shqipërisë, përfaqësuesi i delegacionit Rumun ndër të tjera tha: “Ne mendojmë se çështja e pranimit të Shqipërisë duhet të meret në konsideratë. Për këto arsye dhe të tjera të cilat ekspozoi zoti Cecil, ne jemi të kënaqur të deklarojmë votën e Rumanisë Pro anëtarësimit të Shqipërisë”. Më mirë se kaq për shqiptarët nuk kishte si të përfundonte kjo çështje e shumëdëshiruar për ta, kur kryetari i Asamblesë, i nderuari Paul Hyman, deklaroi përfundimin e këtij debati, duke ftuar anëtarët e kësaj asambleje të japin votën e tyre mbi kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Votimi ishte unanim për Shqipërinë, e cila nuk u zhgënjye këtë herë nga Komuniteti Ndërkombëtar. Me 35 vota Pro, 7 vota Abstenime dhe asnjë Kundër Shqipëria më 17 Dhjetor 1920 u pranua anëtarja më e re e Lidhjes së Kombeve. Të nesërmen kryetari i delegacionit shqiptar Fan S. Noli u ftua të zinte vendin e rezervuar në Asamblenë e Lidhjes.
Vlen të theksohet se pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, qe rezultat i punës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të patriotëve, intelektualëve e miqve të Shqipërisë kudo në botë ku ndër ta shquhej miku i madh britanik i shqiptarëve deputeti Aubery Herbert. Një vend të veçantë në këto përpjekje për t’iu bashkuar qytetërimit botëror luajtën dhe shoqëritë shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, sidomos Shoqëria e shqiptarëve të Amerikës “Vatra”, dhe shtypi i kohës, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar në lidhje me çështjen shqiptare.
Ne duhet të themi se rëndësia e veçantë e kësaj faqe të historisë politike të Shqipërisë do të kuptohet kur të mendojmë se fillimi i marrëdhënieve tona me Lidhjen e Kombeve përputhej me kohëra të rrezikshme për fatet e Shqipërisë, sepse ishte koha kur Konferenca e Ambasadorëve në Paris kishte marrë sërisht në shqyrtim vendimet ndërkombëtare që kishin të bënin me krijimin e shtetit shqiptar.
Viktor Hygo në librin e tij “Të mjerët” thotë se mbas një lufte, mbas një revolucioni të madh në kombe, lind një periudhë e re, një zhvillim e një përparim në jetë të kombeve, një ndriçim i madh në të drejtat e njerëzve e të Shoqërive Shtetërore. Lufta e përbotëshme që trazoi e prishi gjithë botën, bëri mjaft dëme në qytetërimin e njerëzisë, por zgjidhi mjaft çështje shoqërore të rëndësishme, kështu që u bë një hap tjetër përparimi e qytetërimi duke u mbështetur në themele të forta e jo pas idealeve dhe utopive të kota. Zhvillimi i madh i kombeve në këtë luftë rrënuese lindi në vendet e qytetëruar idenë e Shoqërisë së Kombeve, idenë e demokracisë që njerëzit të rrojnë të mbrojtur në një ligj e në një gjykatë të përbashkët. Ky do të ishte morali politik nëpërmjet të cilit do të krijohej Shoqëria e Kombeve.
Shoqëria e Kombeve ishte për atë kohë një shtet i përgjithshëm me ligje e gjykata, me principe të drejta që të mbronte ato, të zgjidhte konfliktet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet Kombeve të vegjël e të mëdhenj, midis të fuqishmëve dhe të dobtëve e të prapësonte të gjitha shkaqet për luftra midis tyre. Pra, si përfundim mund të themi se Lidhja e Kombeve (1919-1946) ishte i pari organizëm që i dëgjoi shqiptarët. Vetëm në atmosferën e Asamblesë së Gjenevës mund të dëgjohej me kujdes zëri i Shqipërisë që kërkonte të qasej në mes të kombeve të qytetëruar e të rrinte pranë tyre si shtet më vete dhe i pavarur.
Shqiptarët, natyrisht, gjetën atje edhe kundërshtarë, por edhe miq të së drejtës që u bënë menjëherë miqtë tanë të vërtetë, të cilët morën në dorë çështjen tonë dhe e mbrojtën ashtu siç ju ka hije misionarëve të paqes dhe të së drejtës së kombeve e popujve. Dhe avokatëve të tillë si Mbretëria e Bashkuar, dhe përfaqësuesit e saj Hon. Lord Robert Cecil, The Right Honorable Herbert Fisher dhe Hon. Newton Wesley Rowell, etj., shqiptarët duhet t’u jenë përherë mirënjohës.
Cilët ishin 3 Mbështetësit e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve?
Hon. Robert Cecil
(14 Shtator 1864 – 24 Nëntor 1958)
Lauruar me Çmimin “Nobel” të Paqes në vitin 1937
Edgar Algernon Robert Gascoyne-Cecil, Viscount I (Vikonti i Parë (14 shtator 1864 – 24 nëntor 1958), i njohur si zoti Robert Cecil 1868-1923, ishte jurist, politikan dhe diplomat në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ishte një nga arkitektët e Lidhjes së Kombeve dhe një mbrojtës aktiv i saj, lauruar me Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1937.
Robert Cecil ka lindur në Cavendish Square, London, fëmija i gjashtë dhe djali i tretë i Robert Gascoyne-Cecil, Markez i 3-të i Salisbury, tre herë kryeminister, dhe Georgina, bija e Sir Edward Alderson Hall. Ai ishte vëllai i Jakobit Gascoyne-Cecil, Markez i 4 i Salisbury, Lord William Cecil, Lord Edward Cecil dhe Lord Quickswood dhe kushëri i Arthur Balfour. Ai ishte arsimuar në shtëpi, derisa ai ishte trembëdhjetë vjeç dhe pastaj kaloi katër vjet në Kolegjin Etoni. Ai pohoi në autobiografinë e tij që e ka shijuar shkollimin e tij në shtëpi. Ai studioi për drejtësi në University College, Oxford, ku u bë një referues i mirënjohur. Në 1887, ai u pranua në Bar (lejohet praktika e avokatit). Ai u martua me Lady Eleanor Lambton në vitin 1889. Nga viti 1887-1906, Robetrt Cecil ka ushtruar ligjin civil, duke përfshirë punën dhe praktikën parlamentare. Më 15 qershor 1899, ai u emërua si Queen’s Counsel (QC). Ai gjithashtu bashkëpunoi për hartimin e librit “Parimet e të Drejtës Tregtare”.
Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1906, Robert Cecil u zgjodh si anëtar Konservator i Parlamentit Britanik. Pas formimit të qeverisë së koalicionit të 1915, ai u bë Nën-Sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme më 30 maj 1915. Ai shërbeu në këtë post deri në 10 janar 1919, duke shërbyer edhe si Ministër i Falenderimeve nga 23 shkurt 1916 deri 18 korrik 1918. Më 25 maj 1923, Robert Cecil u rikthye në qeveri. Në zgjedhjet e përgjithshme të dhjetorit 1923, pasi Konservatorët humbën shumicën e mandateve të tyre, ai hyri në fisnikët e vendit, si Viscount Cecil i Chelwood, i East Grinstead në qarkun e Sussex-it, më 28 dhjetor 1923.
Kur Konservatorët u rikthyen në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 1924 Robert Cecil u bë kancelar i Dukatit të Lancaster.
Në shtator të vitit 1916, ai paraqiti një memorandum, duke bërë propozime konkrete për shmangien e luftës. Robert Cecil ishte një Esperantist i njohur, dhe, në 1921, ai propozoi që Lidhja e Kombeve të miratojë Esperanto-n si zgjidhje për problemin e gjuhës.
Nga fillimi i Lidhjes së Kombeve, pas Luftës së Parë Botërore, deri në dështimin e saj në 1946, Robert Cecil ishte i përkushtuar tërësisht për Lidhjen. Në Konferencën e Paqes në Paris, ai ishte përfaqësuesi britanik në krye të negociatave për Lidhjen e Kombeve. Nga 1920 deri më 1922, ai përfaqësoi Afrikën e Jugut në Asamblenë e Lidhjes. Në vitin 1923 ai bëri një turne pesë javor në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar Lidhjen për amerikanët. Në administratat e qeverisjes konservatore në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve 1923-1924, dhe 1924-1927 ishte ministër përgjegjës, nën juridiksionin e Sekretarit të Jashtëm, për aktivitetet britanike në punët e Lidhjes së Kombeve.
Në pranverën e vitit 1946, ai ishte pjesëmarrës në takimet e fundit të kësaj organizate në Gjenevë, duke i dhënë fund fjalimit të tij me fjalinë e njohur: “Lidhja është e vdekur, jetë të gjatë Kombeve të Bashkuara”. Ai jetoi për trembëdhjetë vjet të tjera, herë pas here duke qenë anëtar në Dhomën e Lordëve, dhe mbështetetës i përpjekjeve ndërkombëtare për paqe me anë të presidencës së tij si nderi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ai vdiq më 24 nëntor 1958 në shtëpinë e tij në Chelwood Gate, Danehill pranë Haywards Heath. Ai nuk la trashëgimtarë dhe titulli Viscountcy i tij u shua.
Hon. Newton Wesley Rowell
(1 nëntor 1867 – 22 nëntor 1941)
Ishte një avokat dhe politikan i njohur Kanadez, një udhëheqës, figurë në Kishën Metodiste. Newton Rowell udhëhoqi Partinë Liberale të Ontarios nga 1911-1917.
Ai ka lindur në Ontario, Kanada. Në vitin 1917, Rowell, si një mbështetës i rekrutimit gjatë Luftës së Parë Botërore, la mënjanë legjislaturën e Ontarios dhe u shkëput nga Sir Wilfrid Laurier dhe Partia Liberale e Kanadasë për t’u bashkuar me qeverinë kombëtare të lëvizjes sindikale të Sir Robert Borden. Ai shërbeu në qeverinë “Borden” si Kryetar i Këshillit te Kanadasë dhe, më pas, si Ministër i parë Shëndetësisë në Kanada. Pas luftës zoti Rowell shërbeu si delegat i Kanadasë në Lidhjen e Kombeve, ku dhe u përfshi në çështjet ndërkombëtare. Ai ndihmoi edhe në formimin e Kishës së Bashkuar të Kanadasë.
Si avokat ai pati një nga praktikat e procesit gjyqësor me të fortë në Toronto, duke argumentuar shumë raste në Gjykatën e Lartë të Kanadasë dhe të Komitetit të Këshillit Gjyqësor, duke përfshirë Edwards v. Kanada (Prokurori i Përgjithshëm). Në vitin 1903,
themeloi firmën ligjore që është e njohur edhe sot “McMillan-LLP”. Në vitin 1929 ai argumentoi dhe fitoi çështjen në lidhje me faktin nëse gratë kishin të drejtën e emërimit në Senatin e Kanadasë. Në 1936 ai u emërua në Gjykatën e Lartë te Ontarios.
Gjithashtu ai është shquar edhe si kryetari i parë i Komisionit Rowell-Sirois në vitin 1937 në lidhje me marrëdhëniet ekonomike.
The Right Hon. Herbert Fisher
(21 mars 1865 – 18 prill 1940)
The Right Honorable Herbert Albert Laurens Fisher, ishte një historian anglez, edukator, dhe politikan liberal. Ai shërbeu si President i Bordit të Arsimit në 1916-1922 në qeverine e David Lloyd George.
Herbert Fisher lindi në Londër, djali i madh i Herbert William Fisher (1826-1903), Motra e tij Maria Adeline Fisher ishte gruaja e parë e kompozitorit Williams Ralph Vaughan, motra tjetër Firence Henrietta Fisher u martua me të dy William Frederik Maitland dhe Francis Darwin. Herbert Fisher ishte kushëri i parë i Virginia Woolf dhe motra e saj Vanessa Bell. Ai ishte arsimuar në Winchester dhe New College, Oxford, ku u diplomua me një shkallë të klasit të parë në 1888.
Herbert Fisher ishte mësues privat i Historisë Moderne në Universitetin e Oksfordit.. Botimet e tij përfshijnë “Bonapartism” (1908), “Tradita Republikane në Evropë” (1911) dhe “Napoleoni” (1913). Në shtator 1912, ai u emërua anëtar i Komisionit Mbretëror për Shërbime Publike në Indi. Në vitet 1913 dhe 1917 ai ishte zëvendës-kancelari i University të Sheffield. Në dhjetor 1916 Robert Fisher u zgjodh anëtar i Parlamentit Britanik për Sheffield Hallam dhe u bashkua me qeverinë e David Lloyd George, si Kryetar i Bordit të Arsimit. Në këtë post ai ishte instrumenti kryesor në formulimin e Ligjit të Arsimit më 1918, i cili bëri të mundur frekuentimin e detyrueshëm shkollor për fëmijët deri në moshën 14 vjeçare. Fisher dha dorëheqjen në parlament, përmes emërimit si Steward Hundred Chiltern më 15 shkurt 1926, duke u tërhequr nga politika për të marrë postin e këshillit drejtues të New College, Oxford, të cilin ai e mbajti deri në vdekjen e tij. Atje ai botoi tre vëllime të “History of Europe” (Historia e Europës) në 1935. Në vitin 1927, ju dha titulli James Tait Black Memorial Prize për biografinë e tij “James Bryce, Viscoont Bryce of Dechmont”, si dhe ka marrë Order of Merit (Urdhërin e Meritës) në vitin 1937.
Fisher u martua me ekonomisten dhe historianen Lettice Ilbert (1875-1956) në vitin 1899. Fëmija i tyre i vetëm ishte akademiku britanik, Mary Bennett. Fisher vdiq në prill 1940, në moshën 75 vjeçare i goditur nga një autobus.