Pranvera e shqiptare e vitit ’90-të
Nga Ilir Levonja
Në pranverën vitit 1990 një gazetar italian, i hollë, me flokë të rënë, me mustaqe të zeza…, shëtiste në Shqipëri. Ai do fluturonte nëpër viset tona. Do futej nëpër zonat e larta. Në zonat e ulëta. Në oborret e njerëzve. Do u bënte pyetje shqiptarëve. Të cilët disa me mburrje e disa me ironi. Do jepnin ato përgjigjet tona standarde. Që mirë jemi, mirë. Plot kemi. Poshtë armiqtë. Të rrojë partia. Do i mëshonte me kamera parullave. Ashtu me sportivitet dhe do na fliste për herë të parë. Në atë mënyrë rrëfimi që nuk ishin mësuar shqiptarët. Epoka televizive e jona qe e dominuar vetëm nga suksesi dhe arritjet e mëdha. Madje do i tregonte botës mbarë për mekanizimin dhe agregatet tona bujqësore, deri tek qerret. Dhe mjetet e tjera me të cilat ne ndërtonim socializmin. Ky ishte Federico Fazzuoli i emisionit Linea Verde të “RaiUno”. Ne ishim të gjithë të shokuar për shkak të atyre emocioneve që provon kur shikon veten tënde me sytë e një të huaji. Që deri atë diell jete. Ishin në kokat tona si qënie që na donin vetëm të keqen. Që ku të gjenin rastin dhe të na gllabëronin.
Dhe jo më larg se nga këto emocione ndodhi edhe 2 korriku. Një lloj marazi që shpërtheu dhe bëri të papërfillshëm një regjim gjysmë shekullor. E gjitha kjo, ka hyrë në analet e kohës sonë si eksodi i 2 korrikut 1990. Ose ngjarjet e ambasadave. Edhe pse ishte pikënisja. Fryma, ajo u ezaurua nga zhvillimet e tjera. Sidomos ato politike që erdhën më pas. Dhe që konkluduan me lëvizjen e dhjetorit, pluralizmin etj.
Këtë e tregoi më së miri edhe ky njëzet e pesë vjetor. Që nuk u përkujtua shtetërisht, por vetëm me deklarata spontane që prapë u pleksën me zhvillimet e ditës në politikën shqiptare. Nga ana tjetër plot webe, kanale televizive, reportazhe, e kaluan si një ngjarje me atmosferë. Pra me rëndësi të madhe për zhvillimet e më pastajme të demokracisë në Shqipëri. Por siç e thashë, për asnjë çast zyrtarisht. Në fakt është një ngjarje që i përket popullit. Që i përket masës në përgjithësi. Pasi është nisja drejt Perëndimit. Këtu nuk mund të përjashtojmë as familjet në favor të regjimit. Për më të thjeshtën arsye se ata sot janë pjesëmarrës dhe bashkëqytetar në botën perëndimore. Në mos drejt për së drejti, janë përmes fëmijëve të tyre. Që kanë emigruar dhe po jetojnë aty. E që në një farë mënyre o një tjetër, janë ata që bëjnë dallimin midis sistemeve. Të atij që ndërtuan dhe atij që iu kundërvunë.
Zakonisht historia i mban në sqetull ngjarjet e mëdha. Mirëpo me 2 korrikun nuk ndodh kështu. Edhe pse e tillë që shënon hapjen e një fondi ekonomiko-politik, prapë nuk mund të klasifikohet si e rangut shtetëror. Edhe pse nisja e transformimeve demokratike. Nuk mund të klasifikohet si datë që duhet të përkujtohet shtetërisht. Është ndoshta një nga ngjarjet që do mbetet ngjarje për aq kohë sa mos të kemi një histori tonën. Ndofta edhe për faktin e thjesht. Që nuk prodhoi një lider politik. Edhe prodhoi qytetarë perëndimorë. Që nuk mori asnjëherë suport politik. Megjithëse ishte një shpërthim masash. Pra një ngjarje kapërcyell në fatet e popullit tonë.
Pse nuk është festë e shtetërore? Ose të përkujtohet shtetërisht dhe solemnisht 2 korriku i vitit 1990? Aq më tepër që po shoh sot edhe nëpër webe, se edhe në Kosovë kjo datë përkoka me lëvizjet e para për pavarësimin e Kosovës. Për afrimin e vendit po me Perëndimin? Arsyet janë të shumta. Por ndër më të rëndësishmet mund të përmendim politizimin më shumë se sa duhet, me ndarje kahesh, të vet popullit. Pjesa dërrmuese e qytetarëve e shikon perspektivën në dy rrugë, pjesëmarrjes në parti. Ose ikja jashtë shtetit. Në të njëjtën kohë duke qenë një ngjarje dhe jo lëvizje, protagonistët e saj janë në Perëndim. Shumë prej tyre japin intervista dhe shpjegojnë në një apo tjetër mënyrë, atë ftohjen e emigrantit me vendin amë. Ose vështrimin me një koncept të ri të politkëbërjes. Për rrjedhojë edhe kur afrohen ata stonojnë, karshi tropikut politik shqiptar. Ku të dya gjysmat janë vetëm për njërin. Dhe njëri, vetëm për vetem. Kësisoj edhe e vërteta e faktorëve të ndryshimeve në një vend nuk ka si të jetë reale. Por arsyeja më e fortë, më reale. Dhe dominantja është ajo që tha me pak dhe shumë fjalë një përfaqësues i lartë politik i vendit, sot në Kuvend. ''Gjatë këtyre viteve janë shitur dhe blerë deputetë, gjykatës, kryetarë bashkish, kryetarë komunash, prokurorë e nëpunës etj''. Por edhe ky tepër vonë. Kur nuk e ka pushtetin. Kjo, dhe thjesht, sepse bindjet politike janë më forta se ato qytetaret.