Prapaskenat e kaosit në Beograd
Nga Vllado Vurushiç/ Jutarnji List
Deri para dy javësh Aleksandër Vuçiçit i dukej se nuk ka si ecën më mirë dhe se është në kulmin e tij. Në zgjedhje dërrmoi opozitën e përçarë dhe realizoi një sukses koreanoverior- kontroll absolut në Kuvendin e Serbisë, pas kësaj dështoi marrëveshja „historike“ me Kosovën në Shtëpinë e Bardhë, gjë së cilës i’a kishte frikën, duke marrë kështu një shtyrje shtesë. U mburr me fitoren kundër koronës (por në fjalimin e djeshëm Vuçiçi sulmoi beogradasit se „janë të pavëmendshëm ndaj shëndetit të tyre“), gjë për të cilën në mënyrë triumfuese foli edhe epidemiologu i tij kontravers, Branimir Nestoroviç, dhe ishte gjithashtu euforik rreth treguesve të jashtëzakonshëm ekonomikë.
Por, problemet filluan përnjëherësh. Aleksandër Vuçiçit i ranë të gjithë problemet mbi shpinë, ndërsa protestuesit agresivë u shtynë deri nën dritaret e zyrës së tij. Policisë i’u desh tërë nata, shumë gaz lotsjellës, shkopinj dhe automjete për të qetësuar me mijëra protesues të dhunshëm para Asamblesë së Beogradit, gjithsejt njëqind metra larg zyrës së tij presidenciale. Policia ishte tejet brutale, por edhe portestuesit nuk i lanë gjë mangut. U arrestuan me dhjetra protestues, por u plagosën edhe 40 policë. Shkaku formal ishte deklarata e Presidentit se, që ditën e premte e deri të hënën në Beograd (nuk dihet se çfarë do të bëhet me pjesën tjetër të Serbisë?) do të vendoset përsëri ora drastike policore për shkak të përhapjes pabesueshmërisht të shpejtë të koronavirusit që kërcënon, tani bash në mes të verës, ta shndërrojë Serbinë në një “Itali të marsit“.
Por, shumë shpejt protestat u shndërruan në dhunë dhe në kaos, por edhe me mesazhe të hapta politike. Doli se kishte protesues që nuk ishin grumbulluar atje për shkak të “koronës“ dhe manipulimeve të pushtetit në lidhje me të, sepse ajo u shndërrua në një grumbullim politik, ku dominoi tema e Kosovës, të cilën protestuesit „nuk e japin“, u hodhën edhe parulla kundër emigrantëve, por edhe kundër rrjetit 5G dhe vaksinimit. Protestat i udhëhoqi politikani ultrakonservator Srgjan Nogo. Mediat pro regjimit e vënë pikërisht theksin te kjo pjesë e protestuesve, duke anashkaluar pjesën e përgjegjësisë që i takon Vuçiçit, ndërsa këtë grumbullim të radikalëve e refuzuan edhe protestues të tjerë që ishin ngritur kundër gënjeshtrave të regjimit mbi koronën. Zëvendëskryetarja e Partisë përparimtare të Vuçiçit Marija Obradoviç akuzoi për kaosin e shkaktuar partinë e opozitës e quajtur “Partia e lirisë“. Sipas saj, kjo protestë është një përpjekje e dëshpëruar e opozitës së dështuar për të shkaktuar një kaos shtesë në këtë situatë edhe kështu të ndërlikuar në vend, të shkaktuar nga epidemia e Covidit-19.
Ajo deklaroi se pushteti do t’i lajë hesapet me vendosmëri me të dhunshmit, siç i quajti ajo protestuesit. Por gjithsesi, Vuçiçi është në probleme, ndërsa përhapja e infektimit dhe imazhi e statusi gjithnjë e më i keq që kanë në Europë e detyron për veprime drastike, por edhe për t’iu drejtuar Rusisë dhe Kinës. Por, ndërkohë, ndërsa BE po shqyrton mundësitë që të mbyllë plotësisht kufijtë dhe të kufizojë ardhjen e qytetarëve të saj, mediat provuçiçiane shkruajnë dhe flasin për protestuesit si për “fashistët“, të dhunshëm dhe hordhi dhe këmbëngulin të zvoglojnë përmasat reale të pandemisë së koronës në Serbi.
Tani është evidente se Vuçiçi për shkak të zgjedhjeve ka manipuluar me “koronën“ dhe të gjitha këto tani po i kthehen si bumerang, dhe për më shumë kur përmendet takimi mes skuadrave beogradase Crvena Zvezda dhe Partizani, ngjarja sportive më e rëndësishme për fitozët në Serbi, në të cilën Vuçiçi lejoi ardhjen e tifozëve, gjë e cila, sipas disa informacioneve, edhe ka nxitur shpërthimin përsëri të infektimeve me koronavirus, i cili gjithsesi nuk ishte i mundur, por dukshëm i mbytur për shkak të zgjedhjeve. Vuçiçi i fitoi zgjedhjet e kështu tani korona nuk ka shumë rëndësi për të. Vuçiçi dhe cerberët e tij besnikë mediatikë nuk arritën as t’i “gëzohen” shpalljes së akuzës për krime lufte kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, por këtu është edhe fakti se me këtë Vuçiçit i ka dështuar edhe marrëveshja për “korrektimin e kufijve” që kishte me të, dhe kjo ishte një prej zgjidhjeve shpëtimtare të Vuçiçit për problemin e Kosovës.
Infeksioni në Serbi po përhapet me shpejtësi të pabesueshme, ka me qindra të infektuar në ditë, ndërsa numri i të vdekurve në një ditë të vetme ka kaluar atë të muajve mars dhe prill, kur thuhej se pandemia ishte në kulmin e saj. Duket se korona i ka shpëtuar “rrezes” se Vuçiçit para se ai mendonte dhe deshte. Pakkush u beson të dhënave zyrtare mbi numrin e të sëmurve, ndërsa edhe mediat e huaja shkruajnë se këto numra janë së paku dhjetë herë më të lartë se ata zyrtarë. Novi Pazari është shndërruar në një vatër të re dhe të rrezikshme, që tashmë quhet Bergamo serbe, ndërsa disa deklarojnë se sistemi shëndetësor serb gjendet para kolapsit, ndërsa epidemiologu kryesor i Serbisë Predrag Koni nënvizon mungesën e personelit që do të duhet zëvendësuar me atë që “dinë dhe munden”.
Megjithëse Vuçiçi mburret se në Serbi janë bërë më shumë testime sesa në vendet e ish Jugosllavisë të marra sëbashku, disa media të pavarura përmendin se nuk bëhen testime dhe se në spitalet e Beogradit njerëzit kthehen në shtëpi dhe u rekomandohet që të rikthehen në spitale pas 15 korrikut. Shumë punonjës të mjeksisë flasin për mungesa të pajisjeve mbrojtëse, por edhe të ilaçeve dhe materialeve sanitare. Shqetësim akoma më të madh ka shkaktuar lajmi se Vuçiçi nga mjetet financiare të buxhetit ka miratuar rreth 8 milionë euro për Kishën Ortodokse serbe për ngritjen e Tempullit të Shën Savës në lagjen beogradase Vraçar, ndërsa për nevojat e Novi Pazarit, ku siç duket infeksioni i koronavirusit ka dalë nga kontrolli, janë miratuar 750 mijë euro.
Për këtë temë u deklarua edhe Arkipeshkvi ortodoks i Gjermanisë Vlladika i Duseldorfit Grigor, i cili tha se “nuk duhen ndërtuar aq shumë kisha, sepse kemi spitale ku nuk ka peshqirë, letër higjenike dhe gjithçka është braktisur”. Por menjëherë e sulmoi personalisht Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Irinej, dhe një prej atyre gazetave jo të regjimit në Serbi, gazetën “Danas”, ai e quajti “antiserbe”. Por për Vuçiçin ka shumë rëndësi mbështetja e Kishës Ortodokse serbe sidmos në lidhje me çështjen e Kosovës e për pasojë mjetet financiare as që llogariten.
Kryetari i Sindikatës së mjekëve dhe farmacistëve Rade Paniç është i çuditur me këtë informacion dhe thotë se rezervat e buxhetit duhen orientuar në shëndetsi. – Situata në terren është e tillë që personeli mjeksor ka vetëm një maskë për tërë kohën e shërbimit dezhur, në një kohë që ato duhen ndërruar çdo dy orë. Mungojnë dorezat mjeksore dhe veshjet një përdorimëshe për këpucët, e kësisoj shumë operacione shtyhen për më vonë”- tha Paniçi për gazetën Danas.
Por, siç thuhet në Serbi, kur të vinë të këqijat hapu derën. Kështu është puna edhe me këto problemet protestuese- koronavirusale, sepse këtij i është shtuar edhe një paralajmërim serioz nga Brukseli. Sepse Serbia, krahas Rusisë dhe Bjellorusisë, ishte i vetmi vend europian që mbështeti deklaratën kineze për gjendjen në krahinën e atjeshme Xinjiang ku jetojnë kryesisht muslimanë ujgurë. Mbështetje dhanë edhe vende të tilla se Koreja e Veriut, Irani, Kuba, Venezuela, Pakistani dhe disa vende afrikane.
BE-ja ka shprehur shqetësim për gjendjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare një këtë provincë kineze, ndërsa Serbia, si vend që është duke zhvilluar bisedime për antarsim në “Klubin e Brukselit” i’a ka kthyer shpinën asaj dhe është drejtuar për nga “vëllai Xi Jingping”, gjë që i ka nevrikosur shumë burokratët e Brukselit.
“Ky është autogoli më i madh që ka bërë një vend që pretendon të hyjë në BE”- është mesazhi nga Bruskeli. Me këtë Serbia përfundimisht i’a ka kthyer shpinën BE-së dhe është rreshtuar me Kinën një një çështje tejet delikate e cila mund t’i kushtojë Serbisë dinamikën e procesit të bisedimeve me BE-në, kësisoj deklarata e Vuçiçi për antarsim në BE pas 4-5 vitesh vihet në pikëpyetje. /*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza