Prek Cali dhe një histori me partizanë
Nga Edmond Kaceli
Kam pasë dy kushërinj partizanë, shpirti u ndrit’të në qiell e pushofshin në paqe!
Ishin dy vëllezër Nik Fran Kaçeli e Gjon Fran Kaçeli. Historia fillon nga mënyra e rekrutimit me forcë që kriminelët e udhëheqjes komuniste iu bënin djemve të Veriut gjatë tranzicionit të tyre nga Shqipëria e Veriut për të shkuar në ndihmë të vëllezërve kriminelë komunistë të Jugosllavisë!
Komunistët, nën petkun e liberatorëve(!) detyronin nga një mashkull për shtëpi të bashkohej me zor në luftën e tyre. Luftë që kurrë nuk u bë lufta e popullit! Kur erdhën në shtëpinë e Kaçelajve (Turkajve), sekuestruan nga një djalë për familje. Gjyshi im, Prekan Zef Kaceli ishte djalë i vetëm. E axha i tij Fran Gjergj Kaçeli, për mos me lanë hisen e vllaut për me “hupë në luftë” duke pasë tre djem, dërgoi dy djemtë e tij, ngase kishte tre djem. Ky ishte shpirti i Veriut!
Dy djemtë e axhës së gjyshit, Nika dhe Gjoni u kthyen të dy të gjallë. Të gjallë por të sakatuar nga lufta. Nga Lufta jo në Shqipëri! Por nga lufta në Jugosllavi! Nga lufta e përbashkët e kriminelëve komunistë për bashkim -vëllazërimin me armikun më të madh të Shqipërisë, dhe të Shqipërisë së Veriut në veçanti.
Sa herë kam dëgjuar prej tyre, me kuriozitet dhe frikë se mos na spiunonte kush, për trimëritë dhe heroizmin e partizanëve!
Baci Nikë, kallxonte shpesh se:
Gjermanët ishin në ikje të vazhdueshme. E na trimat partizanë, i ndiqnim mbrapa vetëm kur ishim të bindur se forca e armëve të tyre nuk mbërrinin tek ne. Ata ik e na ec. Një herë që guxuam të afroheshim më shumë se distanca e zakonshme, plumbat e mitrolozëve gjermanë na bënë të strukeshim për disa orë rresht. Ndërsa kur kaluam kufirin në ndihmë të jugosllavëve, kena pa tmerr me sy! Nuk kena shkrepë armë. Por në trupat tona bani kërdinë ùja (uria) të ftoftit akull dhe sidomos tifoja e morrit! Po kena luftua me morrat. Shumë prej nesh nuk u kthyen më nga ajo luftë!”
Nikës në spitalet partizane të jugosllavisë i kishin humbë të gjithë gishtat e këmbëve prej dimrit. Ndërsa Gjoni kishte humbë njërën këmbë!
E tash deshta me dalë tek ata partizanët që u vranë në Kelmen nga beteja e përgjakshme e komunistëve me Prek Calin dhe bashkëluftëtarët e këtij tribuni të shqiptarisë. (Gazetari dhe poeti Marash Mirashi, e pati emëruar në një shkrim të mbështetun në fakte historike “Robin Hudi shqiptar! -Kërkoni në koleksionin e gazetës Koha Jonë,viti 91-92). Partizanët e thjeshtë, një pjesë e mirë e tyre të rekrutuar me forcë si ushtarë të brigadave partizane, të injektuar shpejt e shpejt me frikën e marrjes së pushtetit nga reaksionarët, pa asnjë përvojë minimale luftarake, realisht, u vranë në një betejë vëllavrasjeje të ndërsyer nga udhëheqësit e kuq kriminelët Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu!
Plumbat dolën nga armët e malësorëve që mbronin jetën dhe trojet e tyre kundër kolerës së kuqe. Por dorasit ishin kriminelët e kuq që bënin llogaritë e një viti pas luftës! Llogaritë e të ashtuquajturit Pushtet Popullor që do ti kishte “themelet e mbrujtura me gjak”!
Më vjen keq për ata partizanë, ushtarë (fshatarë) të thjeshtë, që humbën jetën atë ditë, duke mos pasë rrugë tjetër. Përpara kishin malësorët luftëtarë të sprovuar, e atdhetarë -armiqtë tradicionalë të Jugosllavisë e komunizmit. Nga pas kishin komandatët e kuq -kriminelë të lindur e të bindur për të shtruar Veriun me çdo kusht!
Nuk jam ekstremist por historia nuk eshte ashtu siç e shkruan kriminelet e kuq! Prek Cali nuk ka qenë bashibozuk por një ndër patriotët dhe burrat më të nderuar të zonës së Veriut. Luftëtar dhe patriot, i tradhëtuar prej komunistëve dhe këlyshve të tyre! Ai u dorëzua në “besë” të komunistëve të pabesë, duke iu thënë bashkëluftëtarëve të tij kundër kolerës së kuqe ” Nuk duhet me u vra vëllau me vëllanë”. Ai u dorëzua per të ndaluar vëllavrasjen e metejshme në Veri, të nisur dhe të vazhduar nga udhëheqësit kriminelë komunistë. Komunistet e udhëhequr nga krimineli i kuq Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, e vranë dhe i masakruan edhe kufomën!
Shënim: Diskutimi për prishjen e shtëpisë së tij, nuk më tërheq. Më duket lojë fjalësh. Prek Cali, si çdo i vdekshëm i kësaj toke ka dritë -hijet e tij që vijnë nga shumë faktorë të ngatërruar të kohës, që historianët e ardhshëm të Shqipërisë kanë për detyrë ti sqarojnë! Por Prek Cali ka ngritë Kullën e Legjendës në zemrat e malësorëve të Veriut dhe në Historinë e Shqipërisë duke i vënë në themel të Kullës shënimin e kufinjve, dhe guximin e përballjes me kriminelët e kuq. Të tjerat janë përralla!