Presidenti amerikan dhe letra e Çekrezit

Nga Ilir Ikonomi

Njeriu në këmbë në foton e parë është presidenti amerikan Woodrow Wilson, për të cilin historianët bien dakord se e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi në vitet 1919-20. Është, si të thuash, Skënderbeu amerikan i shqiptarëve. Presidenti ka dalë në Uashington në vitin 1915 me dhëndrin, Francis B. Sayre Sr. dhe nipin e porsalindur.

Në kohën kur u bë kjo foto, as presidenti Wilson dhe as dhëndri i tij nuk e kishin menduar se do të kishin të bënin ndonjëherë me vendin e largët të quajtur Shqipëri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kur Sayre studioi më vonë në Universitetin e Harvardit, qëlloi të kishte shok klase Kostë Çekrezin (1892-1959) nga Ziçishti i Korçës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Çekrezi kishte qenë editor i gazetës “Dielli” në Boston, para se të shkonte në Harvard. Më vonë u emërua profesor në Uashington, u kthye në Shqipëri për të punuar si gazetar dhe u bë kundërshtar i Mbretit Zog. Në vitin 1935 u arratis nga Shqipëria si pjesëmarrës i një rebelimi kundër mbretit dhe përfundoi në Francë.

Për t’u kthyer përsëri në Amerikë i duhej vizë, prandaj në janar 1936 i shkroi letër ish-mikut të Harvardit, Francis B. Sayre, i cili tani punonte si Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit. Në atë kohë, Presidentit Wilson nuk jetonte më. Letrën e Çekrezit e hasa në arkivin amerikan dhe më tërhoqi vëmendjen kjo pjesë ku ai i kujton ish shokut të klasës se si ishin njohur në Harvard në vitin 1918:

“Në atë kohë, ju patët mirësinë të shfaqnit interesim për çështjet shqiptare në një shkallë të tillë, saqë me vullnetin tuaj morët përsipër të flisnit me Presidentin e ndjerë Wilson dhe, më besoni, ndërhyrja juaj ishte mjaft e dobishme.”

Nuk dihet se sa mund të ketë ndikuar miqësia e Çekrezit me shokun e tij të Harvardit që Wilsoni të njihej me çështjen shqiptare në vitin 1918, kur Lufta e Parë Botërore ishte në mbarim e sipër. Por, në atë kohë, shqiptarët e Amerikës bënin përpjekje që fjala e tyre të binte në vesh të presidentit amerikan, me shpresën se ai do ta ndihmonte Shqipërinë të ruante kufijtë e saj në negociatat e paqes, të cilat pritej të fillonin në Paris në vitin 1919.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?