Presidenti i Turqisë dhe kryetari i partisë
Nga Mero Baze
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, i ofroi qeverisë shqiptare ndihma financiare të konsiderueshme që kanë të bëjnë me financimin e disa projekteve në infrastrukturën politike, fetare dhe kulturore të vendit. Ai mori përsipër në emër të qeverisë turke, të financojë ndërtimin e Xhamisë së re të Namazgjasë, ndërtimin e Parlamentit të ri të Shqipërisë, i cili duhet të zhvendoset nga vendi ku është që të mos jetë në oborrin e Xhamisë së re që do të ndërtohet si dhe restaurimin e 26 shtëpive me vlera për trashëgiminë tonë kulturore në Gjirokastër. Kjo është ndoshta vizita më konkrete sa i përket ofertës financiare, që një zyrtar i lartë i ndonjë vendi mik me Shqipërinë, i ka ofruar vendit. Jo vetëm se shumat janë të mëdha, por dhe se ato janë të shpërndara në institucione delikate që kanë të bëjnë me historinë e politikës, fesë dhe kulturës shqiptare.
Financimi i parlamentit të ri që do të bëhet tek ndërtesa e sotme e zyrave të parlamentit, tek ish-Komiteti Qendror i PPSH, është pjesë e negociatave të kryeministrit Rama për të shmangur ndërtimin e një xhamie në oborr të Kuvendit ekzistues. Pas kësaj Presidenti i Turqisë ka marrë përsipër ndërtimin e Kuvendit të ri, pas zhvendosjes së tij nga ky mjedis që është.
Financimi i Xhamisë, ka qenë premtim i hershëm i tij edhe pse Berisha i bashkangjiti një biznes pallatesh si taksë për pushtetin e tij, ndërsa financimi i restaurimit të 26 shtëpive të Gjirokastrës është një vullnet i mirë për të mbajtur në këmbë vlera të trashëgimisë sonë kombëtare.
Nëse gjithë këtë faturë ndihmash do ta konsiderojmë si ndihmë të shtetit turk për Shqipërinë, është me të vërtetë mbresëlënëse.
Por duke ikur Presidenti turk bëri një kërkesë publike për shtetin shqiptar, e cila më shumë sesa ndonjë telash për Shqipërinë, importon këtu problemet e brendshme të politikës turke. Ai kërkoi që shteti shqiptar të mbajë qëndrim ndaj asaj që ai e quajti një rrjet terroist dhe që ka shërbime në Shqipëri. Edhe pse nuk e tha me emër, bëhet fjalë për rrjetin arsimor të kolegjeve turke, pas të cilit qëndron armiku i tij politik, Gylen.
Kërkesa më shumë sesa e bezdisshme për palën shqiptare, është një lakmues për portretin politik të Presidentit të Turqisë, i cili nuk e kupton dot sesi një vend që e pret dhe e fton si President, të respektojë po ashtu edhe kundërshtarin e tij. Është mentaliteti i një lideri absolutist, që nuk e pranon dot opozitën dhe që e konsideron atë një rrjet terrorist. Aq i fiksuar ishte kundër tij, sa ofroi shërbime nga qeveria turke për të zëvendësuar shërbimet e ofruara nga rrjeti i kundërshtarit të tij. Dhe kjo ka pjesën e vet të ironisë, pasi nëse rrjeti i Gylenit është terrorist, nuk ka pse zëvendësohet me shërbime ta ngjashme nga qeveria.
Institucioni i Presidencës por edhe i kryeministrisë së Turqisë është i mirëpritur në Shqipëri. Turqia, si një vend që ka bashkuar historinë tonë me Perandorinë Osmane për 500 vjet, është vendi ku shumë shqiptarë u bën të famshëm si kryeministra, guvernatorë, shkencëtarë, arktiketë, filozofë dhe politikanë. Historia moderne e Turqisë pas rënies së Perandorisë Osmane, ka qenë një histori miqësie me Shqipërinë dhe një aleate e sigurtë e saj në trazimet ballkanike.
Ne duhet të pranojmë Turqinë ashtu siç është, por nuk duhet ta marrim atë si model tonin. Ne duhet ta pranojmë Erdoganin ashtu siç e pranojnë turqit, por nuk duhet ta marrim atë si model politik. Ne duhet të jemi miqtë perëndimorë të Turqisë, më shumë sesa Turqia të jenë aleatja jonë lindore. Nuk ka vend as për tu alarmuar nga pasioni i autoritarizmit të Erdoganit dhe as për të humbur kohë me betejën që ai ka me kundërshtarët e tij politik. Ne duhet të respektojmë Presidentin e Turqisë dhe jo hallet e Kryetarit të partisë në pushtet në Turqi. Është historia e një vendi që ka ditur ta bëjë vet historinë e tij. Ne duhet të bëjmë historinë tonë.
Tema