Presidenti nga populli?! Padyshim që PO!
“Zgjedhja e Presidentit nga populli, nuk e dobëson sistemin e republikës parlamentare. Ky është vetëm një justifikim. Maqedonia nuk është më pak parlamentare se sa Shqipëria e Kosova, ku Presidentin e zgjedh Parlamenti”…
Nga Blendi FEVZIU
Kanë përkatësi të ndryshme politike, por një përqasje të njëjtë. Atë mbi nevojën që ka politika për reformim. Disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kanë firmosur kërkesën për ndryshime thelbësore në Kushtetutën e Shqipërisë dhe sistemin politik. Nisma parashikon disa përmirësime, por padyshim më thelbësori mbetet ai mbi Presidentin e zgjedhur nga populli. Nismë e përsëritur disa herë, e artikuluar më qartë nga Ben Blushi dhe Dashamir Shehi edhe më herët.
Nuk ka asnjë dyshim që një President i zgjedhur nga populli është një hap i duhur në konsolidimin e demokracisë në vend. Një zgjedhje direkte i jep Presidentit më shumë autoritet moral dhe krijon një balancë më të rëndësishme pushteti se sa kjo aktuale. Presidenti fiton veç kompetencave të tij ligjore edhe një bagazh moral që vjen nga vota direkte dhe besimi që jep ajo. Në këtë rast, tentativat për ta nëpërkëmbur atë, ose për t ‘ja nënshtruar pushtetit të fortë që mazhoranca fiton me vonë, nuk do kishte asnjë vlerë.
E dyta, zgjedhja e Presidentit nga populli, nuk e dobëson sistemin e republikës parlamentare. Ky është vetëm një justifikim. Maqedonia nuk është më pak parlamentare se sa Shqipëria e Kosova, ku Presidentin e zgjedh Parlamenti.
E treta, zgjedhja e Presidentit direkt mund të korrigjonte gabimin e 2008, ku për të shmangur krizën parlamentare, zgjedhja e tij kaloi në një shumicë të thjeshtë. Zgjedhja e Presidentit me 50 + 1 % të votave e ka dobësuar ndjeshëm atë dhe ka fuqizuar mazhorancën. Gjë që shkon dukshëm në dëm të demokracisë në vend.
E fundit, zgjedhja e Presidentit nga populli, është vetëm një detaj. Ai shërben për të kuptuar se nëse bëhet fjalë për një revizionim të sistemit politik në vend, ose më mirë të thuhet të disa kolonave të tij, ai duhet bërë i plotë. Nëse hyjmë në një reformë thelbësore, Shqipëria duhet të reformojë jo vetëm drejtësinë, por edhe sistemin e zgjedhjeve, edhe sistemin territorial, edhe kompetencat që krijojnë disa pole pushteti. Nëse ne nuk krijojmë besim tek zgjedhjet; nëse ne nuk bindemi që votat nuk vidhen; nëse ne nuk numërojmë drejtë vullnetin e çdo zgjedhësi, ne nuk do kemi kurrë një sistem demokratik siç duhet. Ndaj Presidenti është vetëm një element në këtë drejtim, por edhe një test për të parë se deri ku kërkon realisht politika të reformojë vetveten…Opinion.al