Prindërimi, institucioni moral i dashurisë!
Nga Dorina HOXHA
Mendon se duke vrarë i zgjidhe problemet e tua, besoje mbase në paqen e përjetshme. I dashur ‘kujtim’, sepse tani në jetën që unë po shkruaj, ti ke mbetur një kujtim dhe me keqardhje të njoftoj që problemet e tua mbase sapo kanë nisur.
Uroj të prehesh i qetë dhe me respektin ndaj arsyes, që është e përkulshme ndaj çdo mendimi, ndjej keqardhje për një njeri që si shumë vrasës të tjerë marrin çdo ditë jetë të pafajshmish në Shqipërinë tonë të dashur. Sikur ta kishe kuptuar vlerën e jetës mbase nuk do të arrije atë që prodhove, mbase edhe e dije, veprove ashtu siç veprove për t’iu hakmarrë kësaj jete, që të bëri të ndiheshe inferior, i vogël dhe i pafuqishëm. Prite 40 vite të burrëroheshe dhe të krijoje një familje, të bëheshe baba.
A nuk u puthe njëherë nga vogëlushët e tu? … A nuk i puthe njëherë ata tek duart e vogla, e t’i thoje: ‘ Ja kështu kam qenë edhe unë. Babai im, domethënë gjyshi juaj më rriti mes varfërisë por nuk harronte të më puthte në darkë e të pyeste maman a kanë ngrënë fëmijët, si janë sjellë në shkollë?! ’
Vallë si do të jesh ndjerë kur dy sy krejt të pafajshëm e të sinqertë të përqafuan fort, pasi ti ishe i vetmi hero i familjes për to?! Prej sa vitesh i shoqëroje fëmijët e tu në shkollë?
I udhëzoje mbase, që të kishin kujdes nga të huajt dhe për çdo shqetësim të flisnin me Ty, sepse ti do t’ua zgjidhje çdo problem, qoftë edhe ti mësoje se si të mbanin lapsin për të ngjyrosur. A i ke shërbyer fëmijëve të tu duke i pushuar së qari e duke i gabuar me ndonjë çokollatë, ti ndërrosh pampersin apo të luash me ata mbi tavolinë?!
Fëmijët nuk janë ‘prona’ juaj, nuk duhen trajtuar si ‘pasuri e paluajtshme’, që ke të drejtë ta shesësh dhe blesh përgjatë gjendjes tuaj të luhatshme psikike. Familjet shqiptare janë në krizë dhe për këtë flasin shifrat alarmante të vrasjeve dhe vetvrasjeve të raportuara çdo ditë nëpër media. Vetëm në javën e parë të muajit dhjetor raportohen mbi 5 vrasje, që si shkak kanë dhunën dhe konfliktet familjare. Natyrshëm të krijohet bindja se shoqëria shqiptare po shkon ndrejt marrëdhënieve të paqëndrueshme familjare. Nuk mjaftojnë më as dy dekada për të vrarë, as për të njohur, as për të besuar, më shumë se kurrë klith arsyeja e përkulshme ndaj çdo mendimi.
A jeni ndjerë të frikësuar ndaj mendimeve të mbrapshta të mendjes dhe menjëherë jeni lutur, po…po, i jeni drejtuar thirrjes së brendshme për të mos rënë pre e instiktit vrasës dhe epshndjellës për të shkelur çdo norme dhe tabu.
Prej pak ditësh opinion publik në Shqipëri pësoi tronditje nga një ngjarje e rëndë në qytetin e Korçës. Babai vret fëmijët e mitur më pas edhe veten. Kjo ngjarje bëri xhiron e mediave, kronikës së zezë i’u shtuan tre emra më shumë. Sapo dëgjon një dramë të tillë nuk ju interesojnë shkaqet e ngjarjes. Pak rëndësi ka të dish arsyet, aty ku marrëzia ulet këmbëkryq. Babai, heroi i çdo fëmije në familjet shqiptare ndodh të jetë edhe monstra e fantazisë së tyre më të keqe. Dashuria më e sinqertë ndërnjerëzore është ajo e prindit ndaj fëmijës dhe anasjelltas.
Tragjedia në Korçë na përmbys rendin e dashurisë dhe mes 1000 shkaqesh zgjedh arsyen më të pranueshme njerëzore si zgjidhje, si përshembull :
“Përse nuk vrau shkaktarin e depresionit të tij dhe t’ia linte ‘shtetit’ të kujdesej për fëmijët, ishin të pafajshëm?’
Rasti i fundit i ndërgjegjes është të shpresosh se strukturat institucionale, do të ishin zgjidhje më e mirë se vdekja, dhe se kujdesit social ofron më shumë dashuri se prindi, si institucioni i parë moral i dashurisë.
Prindërimi, si një mision i vështirë por jo i pamundur, kërkon impenjim dhe dije, për ti ofruar shoqërisë në të ardhme një brez pa problem psikologjike, të gatshëm për të ofruar dashurinë e paabuzuar në forma të ndryshme. Pasi dëgjova një tragjedi të tillë mu kujtua fraza e famshme popullore: “Më e vështirë është të rrisësh një fëmijë se sa të ndërtosh një xhami”. Nuk e kisha kuptuar se prindërimi paskësh qenë metafora morale e veprave të mira dhe sakrificës njerëzore për vazhdimësinë. Sa keq, që një prind ngec në misionin e tij të të ofruarit të dashurisë. Duke dashur të bëjmë ‘gjithçka-diturin’ biem pre e më të keqes, ABSURDIT, vdekja në atë çast, mbase manifestohet si DASHURI. (marre nga opinion.al)