Pritja e bujshme e Fevziut dhe hipokrizia e Berishës (fotot)

Sali Berisha ka dashur t’i bashkohet sot zërave kundër rrymë, që kanë dashur ta ironizojnë festimin e shproporcionuar të 20 vjetorit të emisionit “Opinion” në Tv Klan nga gazetari Blendi Fevziu. Në të gjithë gazetat online është shpërndarë një koment i mëngjesit të Sali Berishës i cili duke iu referuar Gabriel Garcia Markezit, krijuesit të famshëm të Macondos imagjinare, ironizonte ceremoninë e Fevziut duke e quajtur atë një festë kombëtare.

“Buenos días Gabrel Garcia, Buenos días! Miremengjes kombi im, miremengjes! Gezuar festen kombetare te Opinionit! Gezuar! Sb”. Në fakt mund të jenë të shumtë ata që nuk u ka pëlqyer pompoziteti i asaj që organizoi drejtuesi i Opinion. Ashtu sikurse tha dhe vetë gazetari që organizoi një maratonë televizive gjysmë-ditore dhe një pritje me 600 të ftuar, jo të gjithë mund të bien dakord me zgjedhjet e tij.

Por ajo që bën përshtypje është qëndrimi i Berishës për një festë ku zgjodhi të mos marrë pjesë vetë.

Pritjet e Fevziut kanë qenë të tilla edhe më parë dhe Berisha nuk ka munguar kurrë në to. Ai ndihej mirë në krah të Frangajt dhe Fevziut, vajzave të shumta të stisura enkas për të rënë në sy dhe gazetarëve që i vinin rrotull. Një qëmtim i shpejtë i arkivës së agjencisë prestigjioze të fotografisë LSA Photo, tregon se Berisha ka qenë në krye të qoshes edhe në 10 vjetorin edhe në 15 vjetorin e “Opinion”, të organizuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë. Ai nuk ka munguar asnjëherë as në pritjet për promovimet për librat apo dokumentarët e Fevziut madje i shoqëruar nga bashkëshortja dhe e gjithë familja.

 Sali Berisha me bashkeshorten kur ishte ende vetem kryetar i PD ne vitin 2004 së bashku me bashkëshorten në promovimin e librit të Fevziut “50+1”

Berisha duke festuar ne 10 vjetorin e Opinion ne shtator 2007

Berisha ne promovimin e librit Enver Hoxha ne dhjetor 2011

Berisha ne shtator 2010 ne promovimin e librit të Fevziut “jeta ime”

Berisha me bashkeshorten në korrik 2010 ne prezantimin e dokumentarit 2 korriku

Berisha në shtator 2012 në 15 vjetorin e “Opinion”

Berisha në promovimin e dokumentarit “Diktatori” prill 2012

Argita dhe Jamarber malltezi ne festen e Opinion

Po atëherë përse ironizon sot Berisha një ceremoni që e ka përligjur, e ka pranuar, madje e ka promovuar vetë? Se e ka kuptuar me vonesë se kjo “festë kombëtare” është një ekzagjerim, apo thjeshtë nga fakti se nuk është më në pushtet dhe në pritjen e këtij viti do kishte një vend të zakonshëm, si të gjithë të tjerët?

Në fakt njeriu që sa qe në pushtet zgjidhte të dilte vetëm në Opinion, nuk bën asgjë më pak apo më shumë sesa pasardhësi i tij Edi Rama. Edhe ky i fundit, kur ishte në opozitë, e bojkotoi për shumë kohë emisionin e si rrjedhim edhe pritjet e zhurmshme të organizuara nga Fevziu, ndërsa tani u mundua të bëjë protagonistin duke u shndërruar në gazetarin që pyeste Fevziun (foto poshtë).

Nëse Rama dhe Berisha janë të ndryshëm në shumë gjëra, në një gjë të paktën bashkohen. Në hipokrizinë që kanë kur gjykojnë njerëzit, ngjarjet apo personazhet nga këndvështrimi i pozicionit të tyre politik. (lapsi)

SHKARKO APP