Pritshmëria për drejtësi dhe ndëshkueshmëri
Nga Mero Baze
Ka një acarim kombëtar lidhur me pritshmërinë që njerëzit kanë pasur për drejtësinë lidhur me 21 Janarin. Për hir të së vërtetës nuk është i gjithi një acarim që vjen nga zhgënjimi. Një pjesë e atyre që “vajtojnë” në të vërtetë e kanë atë si shenjë triumfi, që socialsitët nuk ia dolën dot dy vjet pas ardhjes në pushtet, të vënë në vend drejtësinë për vrasjet politike. Është një gëzim i ligë, që vjen në përgjithësi nga adhuruesit e vrasësve.
Identikti i këtyre vajtuesve artificialë është i lehtë të ndërtohet. Ata flasin fillimisht me urrjetje, jo për të vrarët as për socialistët po për Ilir Metën, pasi ai sipas tyre ishte shkaku i revoltës. Pastaj flasin për Edi Ramën që i çoi para Kryeministrisë. Pastaj flasin për dhunën e demonstruesve. Pastaj e kalojnë atë pjesën, që Sali Berisha me Lulzim Bashën kanë vrarë dhe vazhdojnë prapë me Ilir Metën, që është ende në pushtet. Vazhdojnë me Edi Ramën, që nuk është burrë ta zbojë këtë Ilir Metën nga pushteti. Pastaj vazhdojnë të qajnë se këto punë kështu do të shkojnë derisa Ilir Meta dhe Edi Rama do të jenë bashkë…dhe vaji vazhdon. Në të vërtetë ky nuk është një vaj për viktimat. Ky është një vaj i berishistëve të fshehur, që qajnë humbjen e pushtetit për shkak të Ilir Metës dhe jo vrasjen e katër qytetarëve nga Sali Berisha. Forma më e hapur e kësaj kategorie është statusi i Shkëlzen Berishës, ndërsa më të fshehurit janë një tufë laraskash, që mendojnë se bëhet opozitë duke vajtuar ikjen e Ilir Metës prej tyre. Dhe në të vërtetë janë duke e forcuar kultin e Ilir Metës në politikën shqiptare, duke e bërë atë të “vetmen rrugë” për të ardhur në pushtet.
E vërteta e demonstratës së 21 Janarit përmban brenda Ilir Metën si pjesë e pushtetit të Sali Berishës. Ata që dolën më 21 Janar në rrugë nuk kishin si qëllim të pastronin Berishën nga Meta dhe as t’i bënin Berishës ndonjë nder duke i larguar njerëzit rrotull tij. Ata dolën të dëshpëruar nga arroganca 6 vjeçare e pushtetit të Sali Berishës, nga lodhja që kishin nga mosdëgjueshëmria e pushtetit dhe kapja e drejtësisë. Duke filluar nga vrasjet në Gërdecë për shkak të biznesit të të birit, nga abuzimet në rrugën e Kombit prej dhëndrrit brenda në PD, e deri tek skandali më i fundit që ishte në atë kohë dhe që kishte të bënte me videon Meta- Prifti.
Por, 21 Janari nuk është i rëndë vetëm si pushkatim politik. Vrasja nga policia mund të ndodh dhe në një vend demokratik, mund të ndodh dhe në SHBA apo Francë. 21 Janari nuk është i rëndë më 21 Janar, aq sa është i rëndë dhe i pangjashëm askund në botë, më 22 Janar, më 23 Janar më 24 Janar dhe derisa kjo çështje u varrosë nga drejtësia. 22 Janari, kur Berisha refuzoi të dorëzojë gjashtë gardistët vrasës para drejtësisë është një ngjarje e panjohur në botë. Mjafton aq, që atij t’i hidheshin hekurat që atë ditë. 23 Janari, kur Berisha shpalli Presidentin dhe Kryeprokuroren lavire dhe horr bulevardi ështe e pangjashme në botë. Mjafton aq, që atij t’i hidheshin hekurat. 24 Janari, kur Berisha shpalli gazetarët puçistë, mjafton për ta futur në listën e tij të preferuar të diktatorëve paranojak dhe të çmendur, që mendonë se problem i tyre është shtypi dhe jo krimet e tyre. 25 Janari, kur Berisha filloi të ngrejë Komisionin Parlamentar për të bllokuar hetimet është shembulli se si një demokraci dështon dhe një pushtet informal i kryeministrit bllokon drejtësinë. Kjo është në të vërtetë kronologjia, që e bën të rëndë 21 Janarin dhe jo vetë 21 Janari. Vrasja e katër demonstruesve paqësorë të paaramotsur dhe të pambrojtur, është një vepër e zezë, pasi është një krim i mbrojtur me pushtet politik, ç’ka dëshmon se është krim i bërë për të qëndruar në pushtet. Ndaj dhe pritshëmria për drejtësi është zhgënjyese, pasi ndryshimi i pushtetit nuk do të thotë automatikisht dhe ndryshim i drejtësisë. Kjo shumicë duhet të sillet si Berisha, që ta gjunjëzojë drejtësinë, që mbrojti atë. Por natyrisht që nuk ka ndërmend të sillet njëllojë dhe nuk është se e ka keq.
Atë çfarë ka keq kjo shumicë është pritshëmria për ndëshkueshmëri. Berisha ishte një kafshë politike që vrau për të qëndruar në pushtet, por Familja e tij u bë miliardere nga ai pushtet. Kjo shumicë duhet t’i kishte prerë krahët ndërkohë pushtetit ekonomik dhe lidhjeve të familjeve Berisha. Ajo ka mekanizma hetimi që nga Drejtoria e Pastrimit të parave dhe krimit ekonomik, e deri tek administrata hetimore në polici dhe financa për ta bërë këtë. Në fakt këtë nuk e ka bërë dhe sot Familja jo vetëm që ndihet në pushtet, por bën dhe karshillëk me pafuqinë e këtyre që janë në pushtet.
Shqiptarët e sinqertë, ata që ishin në rrugë më 21 Janar, por edhe ata që ishin me shpirt me ata që ishin në rrugë, sot janë të dëshpëruar pikërisht se nuk po prekin me dorë ndëshkueshmërinë e Berishës dhe shpurës së tij. Për ta bërë më cinik këtë dëshpërim ka dhe një kor të “zhgënjyerish” fallco, që bëjnë dhe ata sikur ka ardhur fundi i botës që nuk po zbardhet ky 21 Janari dhe faji i aleancës Rama-Meta në të.
E vërteta duhet thënë hapur dhe pa mëdyshje. Kjo është një drejtësi e kapur nga Berisha dhe aksush të mos presë që dikush prej tyre do të hetojë Sali Berishën për faktet flagrante të 22, 23, 24, 25 Janarit e më tej, që varrosën drejtësinë e 21 Janarit. Por, qeveria ka në dorë të bëjë betejë me Berishën dhe familjen mafioze që mban peng Shqipërinë. Ka gjithë pushtetin për këtë. Dhe kur pushteti t’i tregojë dhëmbët familjes mafioze, kur njerëzit e Berishës në drejtësi, të shikojnë se beteja ndaj tyre është serioze, atëherë ata janë minj që e ndjejnë të parët tërmetin. Tani nuk kanë çfarë të ndjejnë! Berisha vazhdon ti trimëroj më shumë se sa i tremb Rama.
Gazeta "Tema"