Problemi nuk është kryetarokracia partiake, por autokracia qeverisëse
Nga: Ardit Gjinali
Demokratizimi i partive politike në Shqipëri është një debat që ka filluar bashkë me rikthimin e demokracisë dhe rivendosjen e pluralizmit politik, gjithashtu; është një debat i gjerë, kompleks dhe përfshin një numër të konsiderueshëm aktorësh dhe faktorësh nuk mund të kufizohet vetëm në kompetencat e liderëve politikë dhe në të njëjtën kohë këto kompetenca nuk janë shkaku i gjendjes aktuale që vendi po përjeton sot.
Demokratizimi i mëtejshëm i partive mund të jetë objekt i diskurit politik në një periudhë politike kur vendi do të përjetonte një normalitet dhe një demokraci në kufijtë e të konsideruarit e qëndrueshme. Sot, vendi ndodhet përpara një udhëkryqi të rrezikshëm, i tilli i ndërtuar qëllimshëm nga shtet-pushteti në tentativën për të shuar opozitarizmin, të tillin jo vetëm politik.
Po përjetojmë një qetësi të gënjeshtërt të periudhës kinse festive, e tilla që është shndërruar në kalendarike ose si një hapësirë e propagandës qeverisëse që përcjell paksa gëzim nga tepria e të tillit që përcjell fuqia dhe burimet e pushtetit; qetësi e gënjeshtërt pas një shkundjeje që reagimi qytetar shkaktoi ndaj pluhurit të heshtjes që është shndërruar në pisllëkun ndotës që ngjyroset vazhdimisht për të ofruar pikturën qeverisëse të sukseseve imagjinare që rrokin epizmin e pashoq dhe lavdinë e pamatë të të palavdishmëve pushtet-ushtrues; të tillët që e nisën rrugëtimin qeverisës si Rilindës të gënjeshtrës së ndryshimit, vijuan me ushtrimin e mëkatit që buron nga gënjeshtra dhe po e bitisin me enumeracionin e zullumeve që janë trashur njëjtë me pamundësinë e ansamblit qeverisës për të dalë nga qerthulli i mëkateve që kryhen rradhë pas rradhe.
Autokracia qeverisëse nuk është një trill letrar që shërben për të dëshmuar në rreshta një Shqipëri më dramatike se e tilla aktuale; e tilla aktuale është tërësisht dramatike dhe lehtësia e frikshme që shtet-pushteti trajton dramaticitetin është tërësisht tragjik për fatin e një shoqërie që i tilli po qeveris dhe nën rendin e të cilit po jetojmë duke përjetuar kufizimin e përditshëm të lirive individuale dhe shoqërore, gjithashtu. Autokracia qeverisëse Shqiptare ka rrëmbyer shpresën e një vendi duke e vërtitur në analet e errëta të uzurpimit qeverisës të gjithçkaje dhe duke ofruar asgjënë poshtëruese për qytetarin, i tilli që po përjeton sagën e mundimshme të ofruar nga keqqeverisja kronike.
Kapja e shtetit dhe përdorimi i të njëjtit në kurriz të pushtetit, sistemi i përcudnuar i drejtësisë që e ka shndërruar verdiktin e drejtësisë në një version që favorizon pushtetin politik ; projektligji i medias që ndodhet në sirtaret e komisioneve parlamentare ku kuvendon arroganca pushtetore dhe çertifikohet padrejtësia e ngjizur në paligjshmëri; arrestimet e intelektualëve dhe qytetarëve të angazhuar për shkak të konsumimit të së vetmes herezi të tillën kritikë për rrugën që të paudhët politikë po e dërgojnë vendin; deformimi i kushteve të barazisë përpara proçesit zgjedhor dhe përdorimi i kushtetutës për të çertifikuar llogaritë elektorale favorizuese për pushtetin- përdorimi dhe keqpërdorimi i çdo burimi për rrëmbimin e mandatit të tretë qeverisës dëshmon vullnetin negativ të keqqeverisjes për të instaluar tërësisht autokracinë.
Një realitet politik i së nesërmes së afërt nën diktatin tërësor të autokracisë do të kyçte secilën dritare opozitarizmi me arbitraritetin politik dhe ligjor që po shfaqet përdhunshëm dhe në një ritëm aspak të ngadaltë dhe përgjatë kësaj stine politike; një rend tërësisht autokratik do ta konsideronte kryetarokracinë partiake si një pjesë të fondit leksikor dhe republika do të shndërrohej në një kryeministokraci që do të përdorte institucionet e tjera kushtetuese si një dekor vezullues kinse demokratik.
Realiteti i sotëm është kambana që secila energji opozitare duhet përdorur për një bashkim të madh që do të kishte si mision themelor, rrëzimin e një qeverisjeje që ka humbur fabulën, braktisur misionin dhe sunduar Shqipërinë. Koha për një bashkim të madh për të realizuar ndryshimin e madh dhe për të sjellë një shpresë të re që do të vendoste themelet e një Shqipërie normale është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…