Programi PD-së promovon zhvillimin si liri

Nga Altin Gjeta –

Ndërsa zgjedhjet e 25 prillit po afrohen, Partia Demokratike po shpalos shtyllat kryesore të programit të saj qeverisës, në qendër të të cilit duket qartë se është ekonomia.

Siç kam pasur rastin ta theksoj edhe më parë, Shqipëria e post-viteve 90-të është dominuar nga narrativa antipolitike duke krijuar pika reference boshe në diskursin publik (p.sh anti-berishizmi, anti-komunizmi) me synimin e vetëm manipulimin e opinionit publik dhe ikjes së përgjegjësive për keq-qeverisjen dhe korrupsionin e ngritur në sistem, çka ka sjellë mandej polarizim të tejskajshëm social në vend dhe neveri të përgjithshme ndaj të gjithë palëve politike.

Bash për këtë, gjykoj se të flasësh për program dhe të artikulosh ide politike alternative në një Shqipëri të zhytur në depresion ekonomik, moral dhe institucional, si dhe të marrë peng nga diskursi antipolitik populist i kryeministrit Rama, mbart farën e një fillimi të ri transformues dhe emancipues për vendin.

Gjatë dy mandateve si kryeministër zoti Rama ka ndërtuar dhe çimentuar një model ekonomik, i cili në terma praktik dhe teorik njihet si oligarki shtetërore, tipike për ish-republikat sovjetike. Në një model të tillë, aktori kryesor ekonomik është shteti. Kjo do të thotë se në një vend si Shqipëria, e cili pluskon në gjendje parademokratike, ku parimi i kontrollit dhe balancimit të pushteteve ka rënë, institucioni i zgjedhjeve është i deformuar dhe media e lirë është nën presion të vazhdueshëm, grupi apo grupet e interesit që kanë kapur shtetin kontrollojnë tërësisht ekonominë. Sipas këtij modeli shteti vendos nën kontrollon të gjitha burimet ekonomike në vend dhe i shpërndan ato tek klientët e vet në forma të ndryshme, si konçensione, liçensa ekskluzive apo kontrata afatgjata partneriteti publik-privat.

Nën qeverisjen e Ramës ky model oligarkik etatist është ngritur në sistem. Ndërsa Partia Socialiste propagandon se barra fiskale është rritur vetëm për të pasurit, në fakt taksat e drejtpërdrejta (taksa progresive mbi të ardhurat personale) dhe të tërthorta (taksa e qarkullimit, rritja e çmimit të energjisë, tatimi mbi fitimin e kompanive 15%, korrupsioni në administratën publike) tregojnë se barra reale fiskale është rritur në kurriz të shtresave më të dobëta të shoqërisë. Për pasojë, kjo jo vetëm që nuk e ka ngushtuar hendekun mes shtresës së pasur dhe shtresave të tjera të shoqërisë, por e ka zmadhuar atë duke goditur në mënyrë të veçantë shtresën e mesme e cila është edhe shtylla kurrizore e një shoqërie të lirë.

Pra, aplikimi i një filozofie të tillë puniste e cila pretendon se një grup burokratësh të (të dëshmuar të paaftë dhe të korruptuar) në Tiranë dinë ti shpenzojnë më mirë paratë e shqiptarëve në interesin publik, ka sjellë pasoja shkatërrimtare për vendin, si rritjen pabarazisë, emigrimin masiv dhe ndërtimin e një ekonomie dembele, joprodhuese, që bazohet pothuajse krejtësisht tek buxheti i shtetit. Së fundi, çka është edhe më e rëndë në terma afatgjatë, ky model ekonomik ka gërryer hapsirën e lirisë në shoqërinë shqiptare. Sipas një raporti të fundit të OSCD-së, Shqipëria renditet në vendin e katërt në botë për emigrimin e krahut të kualifikuar të punës, çka tregon së pjesa më vitale dhe arsimuar e shoqërisë e ka pasur të pamundur të realizojë potencialin e saj këtu.

Përkundër këtij modeli, PD propozon një program qeverisës që mbështet atë çka Amartya Sen, nobelist në ekonomi, e ka quajtur zhvillimi si liri. Sipas Sen, zhvillimi ekonomik dhe liria janë dy komponentë përplotësues të lidhur pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Liria individuale (politike, civile, ekonomike) është themeli i zhvillimit ekonomik, ndërsa zhvillimi ekonomik zgjeron në mënyrë eksponenciale lirinë duke luftuar varfërinë, pabarazinë dhe pengesat objektive si sëmundjet, paaftësitë fizike që deprivojnë shumë njerëz nga ndjekja e një jete të mire dhe të dinjitetshme.

Ndryshe nga PS, e cila në fakt nuk artikulon ide politike, por vetëm sulmon opozitën me retorikë populiste, programi i PD-së me taksën e sheshtë 9% dhe lehtësimin e tarifave, burokracive dhe taksave të tërthorta synon zgjerimin e hapësirës së lirisë individuale dhe nxitjen e sipërmarrjes duke u lënë më shumë para në xhep qytetarëve. Sipas kësaj filozofie, PD mendon se njerëzit dinë ti shpenzojnë dhe investojnë më mirë paratë e tyre sesa një grup burokratësh apo politikanësh, sado vullnetmirë dhe të ditur të jenë ato. Sepse siç edhe Friedrich Hayek argumenton në librin e tij ‘Kushtetua e Lirisë’, dija shkencore nuk është shumatore e të gjitha dijeve, dhe se informacioni mbi marrëdhëniet ekonomike është i shpërndarë në mënyrë horizontale tek njerëzit e thjeshtë nga fshati më i largët deri në kryeqytet ku lartohen qiellgërvishtësit. Ky model ekonomik, i bazuar tek individi dhe liria ka potencialin ta shkëpusë shoqërinë shqiptare nga sindroma etatise sipas të cilës shteti duhet të kujdeset për jetën e tyre, model i cili ka prodhuar vetëm mjerim ekonomik dhe social që prej vitit 1944.

Programit ekonomik, PD i ka atashuar dy elementë të tjerë plotësues, arsimin dhe shëndetësinë, të cilat në gjykimin tim janë shumë të rëndësishme për suksesin e saj. Zoti Basha ka deklaruar se do të rrisë pagat për mjekët dhe infermierët dhe se paratë do të ndjekin pacientin, ndërsa për sa i përket arsimit, përveç rritjes së pagave për mësuesit dhe pedagogët, PD ka shpalosur një paketë mbështetje financiare ambicioze për nxënësit dhe studentët. Sigurisht, kjo ka një faturë financiare, e cila e bën që disa nga zotimet e zotit Basha të duken jorealiste. Mirpo, eksperienca e vendeve të zhvilluara (vendet e BE-së, Japonia, tigrat e Azisë së Jugut) ka treguar se pa një shërbim të mirë shëndetësorë dhe sistem edukimi që i përgjigjet sfidave të kohës është shumë e vështirë të ndërtosh një ekonomi konkuruese dhe të diversifikuar. Adam Smith, babai i ekonomisë së lire, e cilësonte edukimin masiv si një të mirë publike nga e cila përfiton e gjithë shoqëria, prandaj çfarëdolloj kostoje të ketë, arsimi duhet mbështetur, sepse një sistem shëndetësor dhe arsimor i mirë dhe gjithëpërfshirës forcon liritë themelore dhe krijon mundësi të barabarta për të gjithë.

Sigurisht, ky model ekonomik do të mbetej i paplotë nëse nuk do të mbështetet në një sistem politik demokratik i cili garanton liritë politike dhe të drejtat e njeriut. Sipas Amartya Sen, regjimet demokratike dhe zhvillimi ekonomik kanë treguar se mbështesin njëri-tjetrin sepse në një sistem demokratik qeverisësit kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme nga publiku nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta, mediave, gjykatat etj. Megjithatë, vijon ai, duhet të kuptojmë se asnjë model i tillë ekonomik dhe politik nuk garanton zhvillimin ekonomik në vetvete pa angazhim shoqëror. Por, një model ekonomik dhe politik që ka si synim zgjerimin e hapsirës së lirisë i krijon një shoqërie mundësitë për zhvillim, mundësi të cilat ajo duhet të dijë si ti shfrytëzojë. Kësioj, mendoj se është jetësore të kuptojme se Lulzim Basha e ka ofruar një mundësi të tillë, të cilën shoqëria shqiptare do të duhet ta kapitalizojë dhe testojë duke e votuar PD-në në zgjedhjet e 25 prillit.

*Chevening fellow

Hulumtues pranë Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë

SHKARKO APP