Programi televiziv i Edi Ramës “Si të të bëj të lumtur!”
Nga Agron Gjekmarkaj
Prej disa muajsh vihet re një tjetër adet komunikativ i Kryeministrit tonë! Si kapteri i Kalces me xhandarin te filmi socrealist “Shembja e idhujve”, ai dora vetë së bashku me ministrushen Manastirliu marrin udhët e atdheut duke bërë magji e mirësi.
Asnjeri me sa dimë nuk janë të pajtuar nga ndonjë shoë televiziv, por skenari është i ngjashëm me ç’kemi parë në ekrane.
Tani Edi Rama konkurron me Arbana Osmanin dhe emisionin e saj “Si të të bëj të lumtur!” Me gjasë do të rivalizojë personazhet e ekranit dhe aktorët e “Portokallisë”! Nuk kuptohet mirë gjithë kjo xhelozi profesionale!
Kamera e kujdesshme e kap të parin e vendit me shqytaren e tij duke përshkuar zabelin me këmbë, çehrerëndë e fytyrëngrysur me një heshtje të përzhitur nga simfoni e dhimbjes.
Del i zoti i shtëpisë, fëmijët nga pas, zonja në anë dhe i presin, iu rrëfejnë si jetojnë, si e kanë të rrënuar banesën, sa larg e kanë shkollën e fëmijëve, si po i mbyt papunësia e plot halle të tjera, të gjitha të vërteta.
Po kaq të vërteta janë edhe dënesat e rrudhat në fytyrën e tyre kaq shumë të përhapura kudo në Shqipëri.
Zenitin skena e kap nga ndonjë lot i Ogertës, e cila e fshin atë gjithë pekule e delikatesë. Të këput shpirtin djallja. Regjia përkujdeset që çmeritja të dalë e plotë, por bashkë me të edhe shpresa, e cila përmbyllet me premtimin për riparim shtëpie, mobilie të reja, punë për etërit e shkollë për fëmijët! Një abrakadabra e Rilindjes.
Pastaj, herën e dytë pas disa ditësh, çdo gjë përsëritet si festë, ku falënderohet bamirësi Kryeministër, i cili ledhaton ciripupet plot ëndje pas raportimit, shpuzë, krenar e të dëlirë njëkohësisht të ministres së Shëndetësisë!
Edi Rama ka shpikur një mënyrë tejet origjinale për ta bërë skamjen që të flasë me vete, apo mbyllur në shishe si xhind! Nga jugu në veri ka zgjedhur nja 7 a 8 familje të këputura për t’i ndihmuar.
Nuk dihen kriteret sesi një hallexhi përzgjidhet përkundrejt një tjetri në bingon e pushtetit! Ky Robin Hud që ndihmon hallexhinjtë pa shtëpi e pa katandi po na befason me gjetjen e re!
Në atë majë kodre apo në atë luginë, ku fryn tufani me suferinë, ne atë zgëq dhe hendek ky shkon uji me yrnek, ku mjerimi s’ka fat, por vetëm zhele, po mbushen me xhepehane (municion) topat e propagandës!
Edi Rama ka pothuaj 6 vjet në pushtet dhe po sillet sikur sapo e ka marrë atë, sikur rastësisht po zbulon të panjohurat tronditëse të vendit të tij.
Atë (varfërinë), të cilën duhej ta luftonte si plagën kryesore sociale po përpiqet ta shndërrojë në aleat. Në një këndvështrim izolacionist, shumë mirë që i ndihmon këto familje përtej teatrit të padinjitetshëm në kurriz të tyre. Mbështetja jepej edhe në heshtje, por ajo nuk shërben nëse nuk duket. Kjo nuk është mënyra që vë në vend dinjitetin njerëzor! Ky spektakël e nëpërkëmb atë çmos kurrkush.
Po mijëra të tjera që nuk e fitojnë këtë bingo dhe mundësi përdorimi, si do ta zgjidhin dramën e tyre sociale? Çfarë mesazhi do të transmetojë Kryeministri dhe vartësja e tij rrëfimtare?
Pas koncesioneve, kanabisit e kokainës, banditëve qe blejnë vota, kjo shpirtdhembje nuk emocionon as Fate Velajn, artist. Vetëm luftë ndaj varfërisë nuk është kjo!
Plagët sociale luftohen tjetërsoj, jo me mëshirë selektive për funksione agjit propi! Korrupsioni që ka molepsur gjithçka dhe klientët që presin të marrin tenerat e radhës e bëjnë qesharake ecjen e qeverisë monopateve.
Me qindra janë shtëpitë që projekti i Damjan Gjiknurit të buzëqeshur vesh më vesh dhe shefit të tij për Unazën e Re rrezikon të prishë pa u shqetësuar shumë për kompensim apo për qarje halli. Përkundrazi, po fyhen dhe anatemohen. Me qindra janë ata që do ta gjejnë vetën të pastrehë dhe të varfër.
Pse nuk shkon Kryeministri dhe ministrushja t’iu bëjnë edhe atyre zgjidhjen magjike. Të pikëllohen dhe qajnë me ta, të përkëdhelin fëmijët e tyre, t’u premtojë shtëpi të reja, vende pune?
Jo, sepse këta janë antipropaganda ku dëshmohet sjellja me dy standarde. Protesta e tyre e bën nul mëshirën që përcjellin shërbestarët e Qeverisë .
Protestuesit tek Unaza e re e Tiranës janë pjesa tjetër e vendit që kanë nevojë për zgjidhje e jo për lëmoshë fyese. Varfëria nuk mundet me lotari propagandistike e as arroganca nuk lëmohet me zmerilen e fatkeqëve, që mirëpresin çdo gjë prej hallit. Vetëm një mënyrë ka Kryeministri të na bëjë të lumtur. Te mos dalë nja një muaj në televizion, të na shkaktojë mall e brengë aq sa ta kërkojmë tek emisioni “Njerëz të humbur”.