Projektligji për hapjen e dosjeve nuk e mbyll debatin mbi të shkuarën

Kryeministri Edi Rama premton hapjen e dosjeve të Sigurimit, por ekspertët mendojë se projektligji i paraqitur nga qeveria nuk është projekti i duhur për t’u përballur me të shkuarën e errët të diktaturës shqiptare.

Nga Aleksandra Bogdani, BIRN

Përgjatë 24 viteve të trazicionit, Shqipëria ka tentuar disa herë të shpluhurosë të shkuarën e errët të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ka dështuar.

Por qeveria e majtë e Edi Ramës premton sërish hapjen e dosjeve, përmes një projektligji që ka dorëzuar së fundmi në Kuvend.

“Nisma për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nuk është një angazhim elektoral i qeverisë, por detyrim përballë të gjithë atyre që vuajtën përndjekjet e regjimit komunist,” tha kryeministri Rama të mërkurën.

Drafti ligjor i hartuar nga ministria e mirëqënies sociale parashikon që çdo qytetar i përndjekur nga Sigurimi do të ketë mundësinë të njihet me dosjen e vet personale. Projektligji parashikon gjithashtu të ekspozojë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, në rastet kur ata punojnë në institucione të rëndësishme të shtetit.

Por studiues dhe aktivistë të hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit në Shqipëri janë dyshues se përmes këtij projektligji, Shqipëria do të mund të përballet me të shkuarën e vet të errët.

Sigurimi i Shtetit konsiderohet si makineria e dhunës së nomenklaturës komuniste të Shqipërisë, për mbajtjen e vendit nën terror dhe goditjen e armiqve të pushtetit.

Përgjatë 45 viteve të diktaturës përllogaritet se Sigurimi ka pasur rreth 120 mijë bashkëpunëtorë.

Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimit dhe Pasojave të Komunizmit nuk i jep besim projektit të qeverisë, që sipas tij përjashton lustracionin.

“Projektligji vetëm sa u mundëson njerëzve që kanë vuajtur, të dinë se kush u ka bërë keq,” thotë Tufa.

“Nuk preken drejtuesit e lartë të Partisë së Punës dhe as gjyqtarët apo prokurorët që i shërbyen sistemit,”shton ai.

Elsa Ballauri, nismëtare e një tjetër projektligji që ndodhet aktualisht në Kuvend e sheh pozitivisht, por të pamjaftueshëm draftin e qeverisë “Rama” për hapjen e dosjeve.

“Sigurimi i Shtetit ishte vegla e përsosur dhe vrasëse e diktaturës, por ajo drejtohej nga ideologjia e Patisë së Punës,” thotë Ballauri.

“Ndaj edhe pritshmëria e ish-të persekutuarve mbetet e përgjysmuar me këtë projekt,” shton ajo.

Në prezantimin e projektligjit, kryeministri Rama tha se qeveria i ishte referuar modelit gjerman të hapjes së dosjeve. Por kjo deklaratë është një tjetër shkak për kontestimin e draftit të qeverisë.

“Së pari, ky nuk është sistemi gjerman. Është marrë vetëm një nga amendimet e fundit të ligjit gjerman dhe jo i gjithë procesi i kryer atje,”thotë Tufa, i cili e njeh në detaje atë model.

Ai shpjegon se Gjermania e ka kryer përballjen e vërtetë me të shkuarën në vitet 1989-1991, kur u larguan nga sistemi të gjithë bashkëpunëtorët e STAS-it. Më pas, ligji u amendua disa herë, për përsosjen e gjithë procesit të lustracionit.

“Në Shqipëri, theksi vihet tek bashkëpunëtorët e Sigurimit, ose tek ata që quheshin 1200 lekëshat e kohës dhe amnistohen drejtuesit e vërtetë të sistemit të dhunës. Kjo është një tjetër fyerje e rëndë,”thotë Tufa.

Projektligji i dorëzuar në Kuvend është i pari i propozuar nga një qeveri e majtë gjatë dy dekadave të fundit. E konsideruar si trashëgimtare e Partisë së Punës, e majta shqiptare ka qëndruar më së shumti indiferente në të shkuarën ndaj shtresës së ish-të përndjekurve.

Në të kundërt, projekti i fundit i qeverisë së djathtë të Berishës u rrëzua në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese. Asokohe, disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese rezultuan në konflikt interesi, për shkak se kishin gjykuar çështje politike gjatë viteteve të diktaturës.

Që prej kësaj kohe e deri më sot, çështja e dosjeve ka trazuar opinionin publik pa ia dalë të kthehet në një projekt real për Shqipërinë.

Ekspertët e çështjes kanë këmbëngulur vazhdimisht se vetëm një konsensus i gjerë politik mund të realizonte hapjen e dosjeve dhe përballjen e Shqipërisë me të shkuarën e vet nën diktaturë.

Një draft i shoqërisë civile, i përcjellë në Kuvend nga dy deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi synoi të siguronte konsensusin e të dyja kaheve të politikës, por mori një mbështetje minimale.

Elsa Ballauri, autore e këtij drafti të dytë mendon se dështimi i përpjekjeve për të pasur një aksion të vetëm mbi këtë çështje e bën më pak serioze historinë e hapjes së dosjeve në Shqipëri.

“Që të mos ketë një dështim të ri, është e rëndësishme të bashkëpunohet për një ligj që realizon hapjen e dosjeve dhe lustracionin dhe jo që i sheh të ndara këto procese,” thotë Ballauri.

“Vetëm kështu mund të shkohet deri në fund dhe padyshim do të ketë një efekt pozitiv për të ardhmen,” shton ajo.

Ndërsa për Agron Tufën, kjo çështje zgjidhet përfundimisht vetëm nëse merret i plotë modeli gjerman dhe zbatohet.

“Duhet të pyesim veten se si ka mundësi që në vendet e tjera të Lindjes, e deri në Rumani u realizua lustracioni, ndërsa në Shqipëri rrëzohet vazhdimisht si antikushtetues,” përfundon ai.

SHKARKO APP