“Pronarët” e antidrogës!

Nga Mero Baze

Ka një betejë të pakuptimtë politike dhe një protagonizëm qesharak të politikës, por dhe institucioneve rreth meritave për zbulimin e laboratorit të drogës diku afër Elbasanit.

E pakuptimtë fare duket së pari beteja e opozitës për të akuzuar qeverinë pas arrestimeve. Fakti që policia ka bashkëpunuar me Prokurorinë dhe palën gjermane në këtë operacion dhe nuk i është dridhur dora për askënd që ka arrestuar, do të thotë që është një polici e lirë të veprojë. Deri më tani nuk kemi asnjë fakt dhe asnjë provë qoftë dhe të tërthortë, që policia nuk ka vepruar me profesionalizëm në këtë aksion. Një parti që ka ikur nga pushteti dhe i ka lënë peshqesh Shqipërisë një plantacion zyrtar droge si Lazarati, i cili mes të tjerash kishte jo vetëm laboratorë droge, por ishte dhe një zonë e paprekshme e krimit ku strehoheshin gjithë personat në kërkim, kur flitet për çështje të tilla, bën mirë të heshti, se minimumi nuk humbet ndonjë pikë. Askush nuk do t’ia merrte për ters PD nëse nuk do ta lavdëronte policinë për këtë akison, por bezdia e të llapurit kot dhe kur ke të drejtë të heshtësh, është në dëm të tyre

Edhe nëse e shikojmë tërësisht thelbin politik të këtij debati idiot, unë nuk kuptoj çfarë pikësh fiton PD në këtë rast. Ajo ose duhet të kishte një bilanc më të mirë të saj në këtë drejtim e të mburrej, ose duhet të kishte fakte të reja që nuk i ka dhënë policia dhe të fliste. Përvojën e pushtetit të saj e ka sterrë, pasi ka qenë i vetmi pushtet që ka ligjëruar plantacione droge. Emra të rinj, përveç atyre që ka dhënë policia, nuk jep. Atëhere çfarë është duke u thënë shqiptarëve? Që PD ka njoftuar gjermanët dhe gjermanët kanë informuar për drogë? Opozitë më absurde se kjo nuk mund të gjendet. I vetmi rast kur opozita ka të drejtë të flasë pas këtij operacioni, është nëse ajo del dhe thotë që policia nuk i ka arrestuar të gjithë, ose kemi prova se pas këtij trafiku fshihet ky apo ai politikan, dhe të japë prova. Kurse kjo zhurmë absurde për të mos lënë qeverinë të thotë që kapëm drogën, është një parazitizëm opozitar, nën nivelin e deputetëve të Elbasanit.

Një tjetër betejë qesharake për protagonizëm ka shpërthyer nga Prokuroria kundër Policisë së Shtetit. Ose më mirë të themi, ka një përpjekje nga Prokuroria të depërtojë në shtyp idenë se meritat e kësaj lufte i takojnë asaj. Dhe për t’u dukur bindës kanë publikuar detaje të korrenspodencës së tyre me palën gjermane, dhe kur kanë filluar hetimin në bashkëpunim me policinë.

Kjo është një tjetër dalldi shqiptare për të qenë protagonist me punën e tjetrit.

E vërteta është e qartë dhe nuk ka nevojë as të zbukurohet dhe as të komentohet. Pala gjermane ka rënë në gjurmë të trafikut të drogës pasi ka arrestuar një pjestar të këtij grupi vitin e kaluar dhe ka kërkuar bashkëpunim me palën shqiptare. Për fat, secili ka bërë detyrën e vet. Prokuroria ka hetuar mirë, policia i është përgjigjur në kohën e duhur dhe operacionin e kanë bërë në rregull. Ky  është një hetim i nisur nga pala gjermane, por prokuroria dhe policia shqiptare kanë meritën që kanë vepruar profesionalisht dhe e kanë çuar deri në fund aksionin. Nëse vlejnë të lavdërohen për diçka, është që janë shkëputur nga tradita e dekonspirimeve dhe pazareve me trafikantët, së paku në këtë rast. Për të tjerat, është joserioze të përfshihen në debate publike të cilat bëjnë qesharak dhe këtë pak meritë që kanë.

Institucionet e kanë detyrë hetimin dhe zbulimin e krimit dhe nuk e kanë meritë. Ndaj është mirë të rrijnë larg kësaj zallamahie idiotësh për t’u bërë pronarë të antidrogës. Gjeni një herë pronarët!

Tema

SHKARKO APP