Protesta si shans i fundit!

Nga Lutfi Dervishi

Presidenti Republikës thotë se mbështet protestën e studentëve.

Kryeministri ëndërron që të jetë sot student.

Ministrja Arsimit thotë se në çdo rast studentët kanë të drejtë.

Pedagogët janë me studentët.

Studentët e rretheve janë me studentët në Tiranë.

Opozita afëmendsh është sy e vesh te protesta më e madhe e studentëve që nga kolapsi i regjimit komunist 28 vjet më parë.

Media (tradicionale dhe e re) është live dhe komenton protestën!

Gjithë protestat e tjera (Teatri, Astiri, Shkoza…) janë me protestën edhe pse refuzohen nga protestuesit studentë! Kush është kundër?!!

Në protestë nuk janë studentët që studiojnë jashtë, nuk janë studentët e universiteteve private. Janë ata që kanë “mbetur”.

Studentët kanë bërë publik 8 kërkesa- por pritshmëritë ndaj protestës i kalojnë 8 pikat dhe janë shumë më të mëdha.

Studentët sot kanë përballë ish studentë të Dhjetorit 90 që sot janë në krye të sistemit.
28 vjet më parë studentët ndihmuan në kolapsin e regjimit komunist. A do të ndihmojnë studentët sot në kolapsin e dytë, kolapsin e tranzicionit të stërgjatur?

Historitë e lëvizjeve të mëdha kanë nisur pa njoftuar datën, dhe gati të gjtha kanë nisur për shkaqe “minore”. Shpallja e një tarife për studentët përsëritës ishte pika që derdhi zemërimin e akumuluar – jo thjesht ndaj kushteve të jetesës dhe studimit, por për varfërinë në rritje dhe mungesën e shpresës; është zemërimi ndaj një sistemi ku koktejli i arrogancës, abuzimit, indiferencës, pandëshkueshmërisë dhe talljes me varfërinë ka dehur 0.1% dhe ka varfëruar 99.99%.

Nga Shqipëria, sot largohet “shtresa e mesme” dhe në vend ka mbetur 99% përballë 1% që as e ka idenë se çfarë do të thotë kalosh muajin me një pension, të paguash faturat në rritje dhe të përballesh me shërbime minimale!

Protesta e studentëve është sinjal për “sistemin” që duhet të lëvizë në të kundërt do të shembet. është sinjal që gjërat duhet të ndryshojnë me shpejtësi para se të jetë vonë.

Protesta është sinjal për partitë ekzistuese se duhet të ndryshojnë rrënjësisht nëse nuk do të duan të kenë përballë një lëvizje që t’i fshijë nga sistemi dhe t’i kalojë në librat e historisë.

Protesta është sinjal për drejtësiënë që duhet të lëvizë dhe jo të presë ta pyes media Prokuroren e Përgjithshme: a ke hapur hetim për fallsifikimin diletant të tenderit 18 milionë euro për 10000 cm rrugë!

Protesta është sinjal për “oligarkët” se nuk mund t’i kenë të gjitha se në momentin që do t’i kenë të gjitha nuk do të kenë vend ku t’i venë.

Protesta është sinjal për median (tradicionale) që duhet të kujtohet se ka jetë edhe përtej jetës së liderëve, institucioneve dhe jetës virtuale.

Protesta është sinjal se nuk mund të vijojë pafundësisht që edhe të tërhiqet litari edhe të trashet zullumi!

Protesta apolitike është sinjal se zemërimi është në muajin e 9 -të dhe mund të lindë një lëvizje politike si përgjigje ndaj kokëfortësisë dhe vërbërisë ndaj varfërisë në rritje për 99% dhe pasurimit galopant për 0.1%.

SHKARKO APP