Protestat dhe regjimi Rama-Ulaj

Nga Fatos Lubonja – Gjatë protestave të njerëzve tek ‘Astiri’ , kam dëgjuar shpesh të akuzohet Rama se po bën gjëra që të kujtojnë regjimin komunist, duke pasur parasysh dhunën e ushtruar ndaj njerëzve në atë regjim (disa duke e lidhur edhe me trashëgiminë familjare të shumë prej rilindësve). Ndonjë ma ka thënë këtë ide edhe si vërejtje kur më ka dëgjuar të shprehem se ajo që po ndodh tek ‘Astiri’ është fashizëm.

Gjykoj se në këtë situatë ku njerëzit e ‘Astirit’ janë në rrugë, kur studentët janë në protesta, – që nuk mund të mos konsiderohen si protesta kundër shkakut/sistemit që i ka nxjerrë në rrugë, – ia vlen të shtrohet pyetja se çfarë është ky sistemi ynë në mënyrë që të dimë se çfarë duhet të luftojmë dhe si ta luftojmë.

* * *

Kur Musolini ka dhënë një përkufizim se çfarë ishte fashizmi, është përgjigjur se: ‘Fashizmi është fuqia financiare e korporatave, mbështetur nga fuqia shtrënguese e shtetit’.

Po t’i referohesh këtij përkufizimi të fashizmit, që e lidh sistemin politik me atë ekonomik (vë në dukje se kam parasysh përkufizimin e cituar të Musolini, jo fashizmin si regjim i pajisur edhe me ideologji nacionaliste, fashizmin e dallimeve raciale të Holokaustit dhe të Luftës II), vështirë të mos e vësh re se tek ‘Astiri’ kemi të bëjmë me korporata private që përdorin forcën shtrënguese të shtetit kundër njerëzve. Së fundmi, ‘The Guardian’, duke iu referuar dhunës policore në Francë ndaj lëvizjes së jeleqeve të verdhë, ka botuar një artikull të famshëm të Bertold Brecht të vitit 1935 me titull ‘Fashizmi është fytyra e vërtetë e kapitalizmit’, të shoqëruar me foto të demonstruesve të gjakosur nga Policia. Sipas Brechtit, kapitalizmi degjeneron në fashizëm atëherë kur të pasurit kalojnë në përdorimin e dhunës së shtetit, që e kanë kapur nëpërmjet fuqisë financiare, për të mbrojtur interesat e tyre.

Argumenteve të autorit të Arturo Ui, një pjesë, me të drejtë, u kundërpërgjigjen me idenë se komunizmi, për të cilin ai luftoi në emër të zhdukjes së pronës private si burim i së keqes, nuk ishte tjetër veçse një ‘kapitalizëm shtetëror’ ku e gjithë ekonomia e vendit kishte një pronar të vetëm – nomenklaturën komuniste. Pra, kulmi i degjenerimit të kapitalizmit, si dhunë e një bande kriminale që ka kapur shtetin për interesat e veta, nuk ishte fashizmi, por komunizmi ku kishte një korporatë/pronar të vetëm.

Si do ta cilësonim sistemin tonë, që ka nxjerrë sot në rrugë studentët dhe njerëzit e ‘Astirit’, duke iu referuar këtyre përvojave historike, por edhe pa rënë në shkollarizëm? Le t’i referohemi skandalit ‘Astiri’.

Sipas burimeve të besueshme të nxjerra edhe nëpër media, e të pakundërshtuara nga i akuzuari, oligarku kryesor i përfshirë në këtë histori, quhet Bashkim Ulaj. Zotëria në fjalë ka marrë tendera pa fund edhe gjatë kohës së Berishës, edhe gjatë kohës së Ramës. Zotëria në fjalë (gjithnjë sipas mediave) po shkatërron me leje shtetërore edhe Valbonën, duke ndërtuar atje HEC-e, ai ka hapur edhe një televizion ‘A2’, që thuhet se është filial i ‘CNN’, në përurimin e të cilit mori pjesë edhe Rama vetë; ka ngritur edhe një kullë që quhet ‘Aba’ ku ka zyrat edhe ish-shefi i opozitës Berisha, por edhe BE-ja. Sipas dokumenteve të tjera të ekspozuara edhe në emisionin ‘Te paekspozuarit’ me titull ‘Rrugët e florinjta të Edi Ramës’, zotëria ka marrë nga Rama edhe një tender prej 350 milionë eurosh për një nga rrugët e florinjta. Nuk i kam rreshtuar të gjitha bizneset e tij dhe tenderat që ka marrë, por them se, për Shqipërinë e vogël, kaq mjaftojnë për t’i vënë emrin ‘korporatë’.

E pra, duke iu referuar dy përkufizimeve që përmenda më sipër të fashizmit dhe komunizmit, kjo lidhja Rama – Ulaj e degjeneruar në dhunë tek ‘Astiri’ duket më shumë si fashizëm sesa si komunizëm. Por le ta thellojmë arsyetimin duke tentuar më parë të përkufizojmë edhe atë që quhet thjesht kapitalizëm e që konsiderohet si e mira përballë të këqijave si fashizmi dhe komunizmi.

Për komunistin Bertold Brecht, ata që janë kundër fashizmit, pa qenë kundër kapitalizmit, janë si njerëzit që dëshirojnë të hanë mishin e viçit, por që nuk mund të shohin me sytë e tyre gjakun e viçit të derdhur nga kasapi, prandaj ndihen të lehtësuar kur ky ua servir atë pasi i ka larë duart. Prandaj, thotë ai, pa zhdukur pronën private, si burim i të këqijave, herët apo vonë, do të na shfaqet fashizmi. Mirëpo, siç e kemi parë në kurrizin tonë, prona private e kthyer e tëra në pronë shtetërore, në emër të komunizmit, e menaxhuar nga partia-shtet prodhoi një dhunë e gjak edhe më të madh. Nisur nga këto përvoja, mund të themi se sistemi i kasapit që lan duart pasi ther viçin mund të quhet e keqja më e vogël, që ka mundur të ndërtojë deri më tani njerëzimi. Le ta quajmë ndryshe kapitalizëm me fytyrë njerëzore ku ‘të shfrytëzuarit’ gëzojnë të drejta të organizohen në sindikata dhe të përfaqësohen nga parti politike të majta, të protestojnë, të kërkojnë politika sociale që u sigurojnë një minimum jetese të nevojshëm, arsim dhe shëndetësi falas, barazi përpara ligjit; ku promovohet arti e kultura kritike dhe mendimi ndryshe politik, ku ka zgjedhje të lira, ku prodhohen rrotacione që edhe kur rezultojnë se nuk sjellin ndryshim, përsëri i mbajnë njerëzit me shpresë.

E pra, le të përsërisim pyetjen: po ky sistemi korporata Ulaj -shteti Rama çfarë është? Nuk më duket se ia vlen të zgjatem shumë për të treguar se që nga ’91 e këtej, kasapët te ne nuk kanë bërë ndonjëherë merak të lajnë duart pasi e kanë therur viçin. Pyetja që mund të shtrohet sot është: në raport me vite më parë (kam parasysh pas vitit 1997), a kanë kasapët tanë më shumë apo më pak kujdes për të larë duart? Skandalet e fundit tregojnë se kanë më pak. Vendimmarrje si ato tek ‘Astiri’ ku forcën e ligjit e zëvendësoi dhuna shtetërore, sikurse ndodhi edhe me prishjen e stadiumit ‘Qemal Stafa’, vendimmarrja për prishjen e Teatrit, për vënien e traut në autostradën e Kukësit, ashtu sikurse edhe vendosja e gjobave të reja për studentët, janë tregues të qartë se gjatë qeverisjes Rama 2, kemi një thellim të frikshëm të fashistizimin të sistemit, marrjen nën kontroll nga një parti-bandë e vetme të të gjitha ‘korporatave’ sipas një projekti që kjo parti të kontrollojë krejt ekonominë, krejt mediat, pushtetin e drejtësisë dhe të gjithë pushtetin politik. Arroganca fashistoide e këtyre vendimmarrjeve është shenjë e dukshme e përparimit të këtij projekti.

Dhe këtu më duhet të bëj kujdes sepse po i bie në qafë më shumë se ç’duhet fashizmit ekonomik. Pse e them këtë? Sepse të ashtuquajturat korporata në sistemet fashiste gjetkë – ndër të cilët sot mund të fus edhe Kinën – kanë prodhuar edhe të mira materiale, kurse korporatat tona vetëm thithin para publike nga shteti, me të cilin bashkëpunojnë. Në këtë kuptim, ato janë më afër ndërmarrjeve shtetërore të komunizmit. Kur flitet për rrugët e florinjta të Edi Ramës, do të vëmë re se disa individë si Ulaj, Salillari etj., thjesht kanë zëvendësuar Ndërmarrjen Rruga Ura të komunizmit që funksiononte me paratë që mblidhte banda e Enver Hoxhës nga puna e skllevërve që punonin nëpër kooperativa, miniera, kampe-burgje e më the të thashë, por me ndryshimin se ndërsa në atë regjim, përveç ndërtimit të rrugëve dhe urave, një pjesë e mirë e këtyre parave publike shkonin për të mbajtur shtetin diktatorial, propagandën dhe çdo gjë publike, sot pjesa e luanit, shkon për pasurimin e korporatave private të Ulajve me shokë.

Por ngadalë, se ka edhe më. Këtij regjimi me tipare në rritje fashisto-komuniste i duhet shtuar edhe hajdutëria dhe korrupsioni i protagonistëve të tij. Vini re: për dy km rrugë të panevojshme, Edi Rama do të nxjerrë nga paratë e shqiptarëve, nga studentët dhe prindërit e tyre, 40 milionë euro, dhe, duke shkelur të gjitha ligjet e tenderimeve do t’ua japë dy-tri korporatave, ndër të cilat pjesën e luanit, d.m.th. gati gjysmën, një kompanie of-shore që na doli se paska falsifikuar dokumentet për të përfituar tenderin. Sipas gojëve të liga, prapa saj qëndron korporata Ulaj dhe këto 20 milionë eurot nuk do të shkojnë fare në asfaltin e rrugës, por direkt në konton bankare të një njeriu të panjohur të qeverisë si shpërblim për 350 milionë eurot e rrugës së florinjtë që i është dhënë. Dhe askush nuk mund ta hetojë se cili është ky njeri i qeverisë, në është Kryeministri dora vetë apo jo, as nëse falsifikatori është vërtet Ulaj, sepse në një regjim fashisto-komunist prokuroria është instrument i regjimit.

Protestat e kohëve të fundit janë reagimi i vetëdijshëm apo i pavetëdijshëm i njerëzve ndaj grabitjeve kësisoj. Them ‘apo të pavetëdijshme’ se disa deklarojnë se këto protesta nuk janë politike pa e ditur se s’mund të mos jenë të tilla. Ata që janë ngritur në protesta, si studentë, ashtu edhe njerëzit e ‘Astirit’ apo të Shkozës duhet ta kenë të qartë se është ky regjim kasapësh me duar të përgjakura që i ka nxjerrë në rrugë dhe protesta kundër tyre, është protestë kundër vendimeve politike të këtyre kasapëve. Të thuash se këtë protesta nuk janë politike; duke i trajtuar (apo devijuar ato) në kërkesa për të marrë dëmshpërblim e shtëpive tek ‘Astiri’ apo për të rritur përqindjen e parave që do derdhen për arsimin e studentëve, është njëlloj sikur t’u lutesh plaçkitësve që mos të të marrin gjithçka, por të të lënë diçka sa për të mbajtur frymën gjallë. Se sa mëshirë kanë këta kasapë, shikojeni tek ‘Astiri’. Prandaj, gjykoj se protestat e studentëve, të ‘Astirit’ e të tjera që duhet t’i pasojnë, duhet të drejtohen kundër sistemit të grabitjes që kanë ngritur kasapët me duar të përgjakura: me thirrjen që ata të largohen nga pushteti dhe të dalin përpara drejtësisë, si dhe me kërcënimin se kushdo që mendon se mund t’i zëvendësojë për të kalëruar të njëjtin regjim me të njëjtat korporata, do të ketë një fund edhe më të keq. Në këtë kuptim, gjykoj se këto protesta duhen deklaruar si politike sa më parë, se përndryshe do të jetë vonë për të gjithë.

Botuar në gazetën Panorama

SHKARKO APP