Protestat në Maqedoni janë vetëm fillimi

 

Nga Edward P. Joseph/ Foreign Affairs

Si shumë terroristë, ai ishte i ri. Ai kishte lindur pak kohë përpara se vendi i tij të përfshihej nga luftërat e urrejtjes; pak pas lindjes babai i tij u kap nga autoritetet dhe u vra së bashku me disa anëtarë të tjerë të familjes sunite myslimane. Përpara dy javësh, djali 24-vjeçar marshoi drejt një komisariati policor duken ulëritur, sikurse u raportua, britmën xhihadiste të betejës “Allahu Akbar!” dhe më pas hapi zjarr, duke vrarë një agjent policie dhe duke plagosur dy të tjerë, përpara se të vritej nga shkëmbimi i zjarrit me policinë.

Gjatë fundjavës, rreth 400 kilometra më në jug, u vranë tetë policë të tjerë së bashku me 14 të dyshuar si terroristë në një betejë të armatosur pranë një kufiri ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Parë Botërore, të cilin radikalët nuk e njohin më.

Një ditë e zakonshme në Siri apo Irak? Jo, kjo ndodhi në Europë, një ditë udhëtim larg Vjenës. Sulmi i parë në Zvornik, një qytet në Bosnje i etnisë serbe, qe një përkujtesë shokuese e influencës së mundshme të Islamit radikal në rajon, sidomos në kuadër të ngritjes së Shtetit Islamik (i quajtur edhe ISIS).

Vetëm një numër i vogël boshnjakësh janë radikalizuar. Edhe më i vogël është numri i atyre që kanë shkuar për të luftuar në Siri apo Irak. Por në Ballkanin që vazhdon të jetë i frakturuar, nuk ka nevojë për shumë radikalë për të destabilizuar një vend.

Dhe Islami radikal nuk është i vetmi kërcënim përballë viteve të tëra të punës dhe investimeve në miliarda në rajon nga Uashingtoni dhe partnerët europianë. Me plasjen e konfliktit në Ukrainë, Rusia ka hequr dorë nga roli i saj në rajon, duke nxitur thirrje përvëluese për solidaritetin sllavo-ortodoks. Në të vërtetë Moska dha një suport të fortë verbal për qeverinë e sfiduar në Maqedoni, ku ndodhi incidenti i dytë shokues. Luftimet e fundjavës, me granata, snajpera dhe armë automatike, ndodhën në qytetin e Kumanovës, pranë kufirit ndërmjet Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës. Qeveria e përshkroi përleshjen si një betejë midis policisë dhe “një prej grupeve më të rrezikshme terroriste në Ballkan”, – ndoshta duke e patur fjalën për radikalët shqiptarë. Rrethanat e vërteta të luftimeve dhe koha kur ndodhën janë mjaft të dyshimta, pasi ndodhën kur qeveria po përballet me valat në rritje të protestave kundër provave për abuzimet e shumta për të cilat dyshohet qeveria. Sapo presidenti maqedonas u kthye nga Moska, ai priti disa prej protestuesve të kritikuar dhe paralajmëroi marrjen e masave ndaj një tjetër :revolucioni me ngjyrime”.

Me Maqedoninë që po përballet me shpërbërjen e mundshme, me Bosnjën, e cila është në kulmin e tensioneve që pas luftës, dhe me Kosovën që po përjeton një eksod masiv qytetarësh që po largohen nga qeveria e tyre e korruptuar, e përçarë, tri vendet më të rrezikuara të rajonit janë në grykën e humnerës. Shpërthimi i radikalizmit apo i konflikteve ndëretnike të shfrytëzuara nga oportunizmi rus apo islamist, është plotësisht i mundshëm. Dhe nëse ndodh, diplomatët amerikanë dhe europianë do të detyrohen që më në fund t’i përgjigjen një pyetjeje: Kush e humbi Ballkanin?

Ashtu sikurse në luftërat e Ish-Jugosllavisë, Uashingtoni dhe Brukseli ka gjasa që të fajësojnë njëri-tjetrin. Në fakt, turpi do të ndahet. As kriza në Ukrainë dhe as ajo në Lindjen e Mesme nuk janë alibi për politikat e ndrojtura të Perëndimit dhe vëmendjen sporadike të viteve të fundit. E vërteta është se, edhe pse destabilizimi në Ballkan qëndron pak më larg kërcënimit që u vjen interesave perëndimore nga agresioni i Putinit apo barbarizmi i ISIS-it, kjo është gjithsesi një sfidë aspak e lehtë për t’u përballuar. Në rajon nuk ka armë bërthamore. Terrorizmi vetëvrasës gjithashtu është shumë i rrallë. Dhe mbi të gjitha, ndryshe nga Ukraina apo vendet e Lindjes së Mesme, edhe vendet më të përçara të Europës Juglindore ndajnë ende një orientim strategjik të përbashkët, me përqindje përgjithësisht të larta të mbështetjes për t’u anëtarësuar në NATO dhe në BE.

Por në vend të përforcimit të këtyre themeleve të forta për të kapërcyer pengesat që mbeten në kuadër të integrimit euro-atlantik, Perëndimi i ka lejuar vendet problematike që të bëjnë hapa pas. Uashingtoni ia kaloi përpara kohe përgjegjësinë e udhëheqjes mbi Ballkanin BE-së, e cila ua kaloi këtë përgjegjësi udhëheqjeje gjithashtu përpara kohe liderëve të rajonit. Pa një kulaç dhe kërbaç për t’i përmbajtur sjelljet e tyre, politikanët i kanë konsoliduar gjerësisht rrjetet e tyre të korruptuara të patronazhit, duke i futur në xhep apo intimiduar mediat dhe duke mos realizuar reformat domethënëse.

Meseleja në Maqedoni

Maqedonia është shembulli kryesor i pasojave të vëmendjes sporadike. Me ndihmën intensive ndërkombëtare pas pushimit të mizorive ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve më 2001, vendi bëri progrese të mëdha duke ndërtuar institucione të përbashkëta demokratike. Në vitin 2006 erdhi në pushtet kryeministri aktual, Nikola Gruevski. Pas katër zgjedhjesh tejet të dyshimta, ai është përpjekur ta konsolidojë pushtetin duke shtënë në dorë sistemin gjyqësor, duke margjinalizuar opozitën dhe duke i zënë frymën medias së pavarur. Në vitin 2007, Maqedonia renditej e 36-ta, përpara Shteteve të Bashkuara në “Freedom House’s Press Freedom Index”. Vitin e kaluar, Maqedonia zbriti në vendin e 123-të, duke u rreshtuar pranë vendeve si Venezuela. Ekonomia e vendit ndërkohë vazhdon të karakterizohet nga një huamarrje në rritje dhe që nuk mund të mbështetet nga të ardhurat buxhetore.

Edhe pse vazhdon të jetë një prej liderëve më të rinj të rajonit, Gruevski duket se është përlyer shumë gjatë viteve të shumta të qëndrimit në pushtet, sikurse ka dëshmuar një skandal rrëqethës mbi abuzimet e qeverisë. I publikuar periodikisht nga opozita, telefonatat e regjistruara pretendojnë të përshkruajnë orkestrimin direkt të qeverisë për manipulimet financiare dhe zgjedhore, përgjimin masiv elektronik, përfshirjen e saj në krime politike dhe madje edhe vrasje të kundërshtarëve. Në zbulimin më shokues, të nxjerrë javën e kaluar, zyrtarë të lartë të qeverisë pretendohet se dëgjohen të mbulojnë një aksident të dyshimtë me makinë që i mori jetën një kritizeri të njohur të qeverisë. Një tjetër regjistrim duket se e implikon qeverinë në fshehjen e një rasti të rëndë, në të cilin policia ka rrahur për vdekje një djalë të ri që po festonte zhurmshëm. Gruevski dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se regjistrimet janë puna e “agjentëve të huaj” të paspecifikuar, të cilët duan të destabilizojnë vendin.

Në përgjigje të kësaj, këtë muaj mijëra maqedonas të rinj kanë protestuar guximshëm dhe janë përleshur me policinë. Ata dhe opozita kërkojnë që kryeministri dhe aleatët e tij t’ia lëshojnë pushtetin një qeverie teknike, që do të organizojë zgjedhje të reja ndërkohë që të jetë duke u zhvilluar një hetim i pavarur lidhur me faktet e dala. Ndërsa tensionet shtohen, opozita ka bërë thirrje për një protestë masive javën e ardhshme. Duke qenë se rrezikon telashe të rënda ligjore dhe personale nëse ai dhe bashkëpunëtorët e tij dorëhiqen, Gruevski duket se është i vendosur ta luftojë deri në fund, duke e çuar stabilitetin e Maqedonisë në buzë të greminës.

Rrënjët e dhunës shokuese të fundjavës në Kumanovë janë sa të paparashikueshme aq sa dhe rrethanat e përplasjes së armatosur janë misterioze. Ka një precedent në Maqedoni për luftime të dyshimta me terroristë, që përfshinë në vitin 2002 vrasjen e shtatë emigrantëve nga Pakistani dhe India, të cilët u ekzekutuan nga policia në një incident shumë të dyshimtë. Një gjykatë maqedonase e shfajësoi ish-ministrin e Brendshëm nga akuzat për përgjegjësinë në këto vrasje. Muajin e kaluar, një zëdhënës i policisë maqedonase pretendoi se 40 shqiptarë radikalë sulmuan një stacion policor në kufirin me Kosovën, por as NATO dhe as policia e Kosovës nuk mundën ta konfirmonin një ndodhi të tillë.

Por ja që Gruevski – që pretendon se regjistrimet janë pjesë e një konspiracioni ndërkombëtar që ta detyrojë atë që të ndryshojë emrin e vendit – doli me përfundimin se nismën për të gjithë këtë e kanë marrë Shtetet e Bashkuara. Për ironi të fatit, përleshjet e armatosura ndërmjet policëve maqedonas dhe atyre që cilësohen si radikalë shqiptarë erdhën kur marrëdhëniet ndëretnike në vend kanë bërë një hap mbresëlënës përpara. Për herë të parë në historinë 24-vjeçare si një shtet modern i pavarur, shqiptarët dhe maqedonasit janë dukur tejet të bashkuar në betejën kundër asaj që perceptohet si një diktaturë. Me pothuajse të gjitha stacionet televizive nën hyqmin e qeverisë, është ‘Alsat’, një kanal me pronësi shqiptare, që po transmeton regjistrimet telefonike dhe po u kushton një hapësirë të gjerë zërave të opozitës, çka është një shenjë e çmuar solidariteti. Ueb-sajtet shqiptare kanë botuar komente të forta antiqeveritare të bëra nga maqedonasit, diçka që ishte e padëgjuar më parë në sektorin e izoluar etnikisht të mediave. Transmetimet janë bërë gjithnjë e më kritike si për shqiptarët në qeveri, ashtu edhe për ata në partitë politike në opozitë, të cilët çuditërisht kanë heshtur përballë skandalit masiv.

Komuniteti ndërkombëtar mund të luajë një rol vendimtar për t’i sjellë gjërat drejt një zgjidhjeje paqësore, por deri tani reagimi i tij ka mbetur në tentativë. Vetëm ambasadori gjerman ka kërkuar hapur që qeveria të japë dorëheqjen. Në zgjimin e dhunës më të fundit, ambasada e Shteteve të Bashkuara iu bashkua BE-së, NATO-s dhe OSBE-së për t’iu bërë thirrje “liderëve të vendit që të bashkohen dhe të angazhohen në dialog për të gjitha çështjet me të cilat po përballet vendi”.

Është tipike për Perëndimin të shmangë ballafaqimin me Gruevskin, duke i lejuar atij dhe figurave të tjera t’i mbajnë të hapura çështjet delikate të rajonit. Por mësimi kryesor që ka dalë qysh prej shpërbërjes së Jugosllavisë përpara 25 vjetësh ka qenë se, mospërballja me problemet kryesore i bën ato gjithnjë e më të vështira për t’u zgjidhur me kalimin e kohës. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e Maqedonisë, ku kundërshtimet e kahershme të Greqisë për ndryshimin e emrit të vendit, që Athina e sheh si grabitje të trashëgimisë greke, e kanë lënë Maqedoninë jashtë NATO-s dhe BE-së. Paqëndrueshmëria aktuale e vendit mund të ishte shmangur nëse Shkupi do të ishte lejuar të procedonte drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE. Në vend që të ecte drejt autokracisë, Gruevski do të ishte kufizuar nga kërkesa strikte, të cilat kanë dhënë prova se kanë përforcuar institucionet demokratike gjetkë.

SHKARKO APP