Protestat nuk e turpërojnë Kosovën!

Nga Mero Baze

Kosova përjetoi sot një ditë të stuhishme dhe ndoshta më të dhunshmen prej Qershorit të vitit 1999. Protesta, e thirrur nga partitë e opozitës u përshkallëzua me akte dhune ndaj policisë, institucioneve shtetërore dhe bizneseve private, nën një klime depresioni pas ngërçit ekonomikë dhe zgjidhjes artificiale të krizës politike gjashtë mujore.

Ka shumë kritikë të dhunës mbi protestat dhe po aq mbrojtës të policisë, të ndarë përkatësisht sipas qëndrimit politik.

Ata më parimorët thonë se protestat errësuan imazhin e Kosovës, ndërsa ata më pragmatistët thonë që qeveria e meritonte “edhe më zi”.

Në të vërtetë, për mua ishte një ditë e mirë për Kosovën. Ne pamë një shoqëri të gjallë, me nerv, të egërsuar me impotencën politike të pushtetit për çështje delikate, siç është Trepça dhe çështje emocionale siç është Jabllanoviçi. Problemi i Trepçës dhe i Jabllanoviçit, nëse do ishin thelbi i protestës, do ishin të dëmshme, pasi do i kthente këto nga protesta social- politike, në protesta etnike. Për fat nuk janë të tilla. Po të ishin të tilla, ato do të ishin në favor të qeverisë, pasi e ndihmojnë atë të kërkojë më shumë hapësirë nga Perëndimi për çështje të tilla delikate.

Por përtej kësaj maske, në të vërtetë është zemërimi i shoqërisë për zgjidhjen artificiale të ngërçit gjashtë mujor të krizës dhe mungesën e një shprese të afërt për ndryshim. Kosova është e mbushur me papunësi, korrupsion dhe mungesë perspektive ekonomike. Dhe në mes të këtij depresioni, njerëzit natyrisht shkumëzojnë se si rifillon riti i ri i pushtetit mes dy ish- armiqve. Është një zemërim që endet në ajër dhe që ka të bëjë me artificialitetin politik në Kosovë, me mungesën e natyrshmërisë në përfaqësimin politik dhe natyrisht padurimin e opozitës për rrëzuar një orë e më parë këtë qeveri.

Por përkundër kritikëve të kësaj egërsie, nuk mendoj se Kosova turpërohet nga protestat, qofshin këto edhe të dhunshme. Pllakat e shëtitores dhe xhamat e thyer do të rregullohen një ditë, sikur dikush të vjedh më pak, por rëndësi ka që Kosova reagon si një shoqëri e gjallë dhe nuk pajtohet me stanjacionin.

Imazhi i shtetit të Kosovës nuk janë demonstruesit e dhunshëm, por policia që përballoi betejën me ta. Në një përleshje mes qytetarëve dhe policisë natyrisht që do të ketë të lënduar dhe teprime, por në finale ne kemi një protestë ku nuk të vrarë dhe nuk ka justifikime për vrasjet, siç ka pasur në Shqipërinë primitive të Sali Berishës. Të gjithë i pamë si u qëlluan policët në Kosovë, si u rrethuan dhe shpesh u vunë mes zjarresh që ta humbnin durimin, por nuk pamë gjak. Policia e Kosovës, ia doli të ishte gardiane e shtetit të saj dhe përballoi një betejë me qytetarët e zemëruar, duke i dhënë Kosovës kredencialet e një shteti serioz, shumë më serioz se Shqipëria.

Dhuna në protesta të tilla politike, masive dhe plot indoktrinim nacionalist natyrisht që degjenerojnë në dhunë. Kudo ku dëgjueshmëria e qeverisë kalon nga arroganca, natyrisht që lind gjithnjë një tërheqje ndaj dhunës. Por, e rëndësishme është që ndaj saj të reagohet si shtet i së drejtës. Kosova e kaloi këtë provë dhe imazhi i Kosovës nuk rrënohet për shkak të fotove të dhunshme dhe as për shkak të policëve të plagosur. Imazhi i Kosovës do ishte rrënuar nëse dikush do të vriste për të mbrojtur pushtetin. Kjo nuk ka ndodhur dhe Kosova ka dëshmuar  standard të një shteti ligjor.

I vetmi segment që reflektoi një vjetërsi politike, ishte media zyrtare që shmangu pasyqrimin e protestës, me idenë se po e injoronte atë. Pjesa tjetër e Kosovës, ka reaguar me dinjitet. Protesuesit bën të vetën, policia bëri të vetën dhe natyrisht jeta do të vazhdojë. Unë jam më krenar me këtë Kosovë, se sa me atë tjetrën që lëngon e ikën rrugëve pa fund të kurbetit, nëpër lumenjë e kufinjë të panjohur duke vdekur rrugëve. Kosova që di të protestojë në shtëpi të vet dhe pushteti që di deri ku ka të drejtë të përballet me forcë ndaj qytetarëve të zemëruar, nuk e turpëron Kosovën. Ky është një debat kafenesh në Prishtinë. Në Perëndim askush nuk ndihet keq pse janë thyer ca xhama e janë shkulur ca pllaka, por thjesht shikojnë si reagon një shteti i ri ndaj problemeve me të cilat po përballet.

Marrë nga gazeta "Tema"

SHKARKO APP