Protestë pro-qeveritare kundër qeverisë

Nga Mero Baze

Dhjetëra-mijëra qytetarë të Kosovës iu përgjigjën sot thirrjes së grupeve opozitare për të protestuar para zyrave të qeverisë së Kosovës. Në qendër të zemërimit ishin dy çështje që kanë të bëjnë me raportet shqiptaro- serbe në Kosovë, ajo e sovranitetit juridik mbi Trepçën dhe deklaratat acaruese të një ministri serb në qeverinë e Kosovës, Jabllanoviç.
Në të vërtetë, të dyja këto çështje nuk janë shumë bindëse për një protestë aq të gjerë. Protesta ishte përtej fuqisë që kanë këto dy kauza, për të mbledhur mijëra qytetarë në shesh. Më shumë ses ato, qytetarët i ka nxjerrë në rrugë mungesa e një entuziazmi, që duket se nuk po ngjallet nga qeveria e re, e cila është një koalicion i sforcuar mes dy kundërshtarëve dhe gjendja e rënduar ekonomike në vend.
Dy çështjet që u përdorën si shkak, në të vërtetë janë në interes të qeverisë së Kosovës që të protestohet, më shumë sesa në interes të opozitës. Mustafa dhe Thaçi nuk janë të lumtur për deklaratat e Jabllanoviçit, i cili ndërkohë ka kërkuar ndjesë. Dhe nëse protesta kaq e madhe është ndaj tij, kjo është një avantazh për drejtuesit e qeverisë para ndërkombëtarëve, pasi mund ta ilustrojnë me këtë, presionin nacionalistë përballë të cilit gjenden.
Por, realisht deklarata e Jabllanoviçit është acaruese, si çdo deklaratë serbësh për Kosovën. Nuk është as më e hidhura as më e moderuara. Pakica serbe në Kosovë është aq e instrumentalizuar sa nuk llogaritet si një pakicë e integruar, por një pakicë që vazhdon t’i bashkangjitet qeverisë së Kosovës dhe këtu nuk ka vend për kaq shumë zemërim. Thjeshtë, ose do pranojnë t’i kenë serbët aty ose jo. Kjo e dyta është më e rrezikshme se patetizmi kundër një ministri truthatë, që nuk mendon me kokën e tij.
Pra, protesta kundër Jabllanoviçit nuk është se e vendos në siklet qeverinë. Ajo thjesht, e lehtëson atë nga presioni ndërkombëtar që ka për përkëdheljen pa fund të serbëve.
Po kështu është edhe çështja e sovranitetit mbi Trepçën. Ajo është një çështje që mbartet si një problem nga formimi i shtetit të Kosovës dhe ndarja me Serbinë. Nuk besoj se ka qeveri në Kosovë që do të heqë dorë nga Trepça dhe as nga zgjidhja e atij problemi. Sa më e dobët të jetë Kosova, sa më pa autoritet të jetë qeveria e saj, sa më problematike të jetë ajo për ndërkombëtarët, aq më larg Trepçes do të jenë në vite. Ndaj dhe në këtë pikë, protesta nuk është se e dobëson qeverinë duke i kujtuar detyrimin sovran që ka për Trepçën.
Të dyja këto çështje janë çështje luksoze për shoqërinë e Kosovës dhe nuk do të nxirrnin kurrë mijëra vet në shesh.
Por e vërteta është se sheshi sot është mbushur jo nga këto dy çështje populiste, por nga problemet konkrete që po ndeshin në qeverisje qytetarët e Kosovës. Problemi i tyre është se qeveria e re nuk ngjall entuziazëm dhe se vendi është ende nën darën e një stanjacioni të zgjatur. Rinia nuk ka shpresë dhe po largohet drejt Perëndimit, ndërsa reputacioni i Kosovës po vihet në rrezik nga korrupsioni, qeverisja e keqe dhe imazhi i një vendi që prodhon xhihadistë për në Siri. Kriza e zgjatur gjashtë mujore për formimin e qeverisë, futi në depresion shoqërinë e Kosovës, pasi fituesit u sollën si humbës dhe humbësit si fitues. Për gjashtë muaj u pa se interesi themelor i liderëve të Kosovës ishte në fakt pushteti dhe jo përgjegjësia ndaj vendit.
Të gjitha këto arsye kanë zemëruar qytetarët me politikën dhe ka një zhgënjim real ndaj saj. Ata që ishin sot në shesh para qeverisë, ishin për këto shkaqe. Ata kanë probleme me faturën e energjisë, me asistencën sociale, me papunësinë, me shërbimin shëndetësorë, me hoxhallarët që u shpëlajnë trurin fëmijëve dhe me politikanë, që ta fikin me zor edhe nëse ke ndonjë fije shprese brenda vetes. Është kjo arsyeja që i nxorri njerëzit në shesh dhe kjo arsye duhet lexuar me kujdes. Ana populiste e protestës nuk është se e dëmton aq shumë qeverinë sa pretendojnë opozitarët. Qeveria e Kosovës është e dënuar të jetë qeveri multi-etnike dhe nuk mund të përdoret populizmi për të zhbërë një standard, që është arritur me bombat e NATO-s kundër një politike tjetër populiste dhe puritaniste serbe mbi Kosovën. Nga ana tjetër as xhamat e thyer prej protestueve nuk e dëmtojnë dot protestën siç shpreson qeveria. Në çdo protestë ka njerëz të dhunshëm që shkojnë deri në këto akte, por kjo s’ka lidhje me protestën. Nuk mund të barazohet dëshpërimi i njerëzve me përgjegjësinë për disa xhama të thyer, siç përpiqet Sali Berisha në Tiranë që të barazojë disa gurë mbi skafandrat e policëve më 21 Janar me katër të pushkatuar prej tij.
Protesta duhet lexuar mirë, si një protestë e shqiptarëve ndaj qeverisë së shqiptarëve dhe jo si një lëvizje populiste për puritanizmin e qeverisë së Kosovës prej problemeve të mbartura nga krijimi i shtetit të ri të Kosovës. Nëse këmbëngulet të jetë e tillë, është më shumë pro-qeverisë sesa kundër saj. Nëse i qëndron të vërtetës, se pse qyetarët e Kosovës ishin në shesh, atëherë ajo do ta dëmtojë realisht qeverinë, e cila dremitjen e saj të stampuar në portretin e kryeministrit, po e kthen në një gjumë të thellë letargjikë për Kosovën.

Marrë nga gazeta "Tema"

SHKARKO APP