PS-ja, 10 vjet pas “Letrës drejtuar socialistëve të bulevardit” nga Edi Rama
Letër socialistëve të bulevardit
Edi Rama
Kjo letër u drejtohet socialistëve të bulevardit. Në këtë përcaktim, nuk ka asnjë ironi apo ngarkese negative të sadopaktë, por vetëm një ndarje të qartë për efekt të këtij komunikimi midis socialistëve që gëzojnë të drejtën e fjalës dhe atyre që s’e gëzojnë, midis socialistëve që e kanë të drejtën të dëgjohen dhe atyre që nuk e kanë, midis socialistëve që mund të propozojnë e atyre që nuk mund ta bëjnë, midis socialistëve që ekskluzivitetin e vendimmarrjes, duan ta marrin për vete pas dorëheqjes së kryetarit dhe socialistëve që asnjëherë deri më sot, nuk janë thirrur të vendosin për fatet e Partisë Socialiste, duke i hequr në kurriz pasojat e vendimeve të gabuara. Shkurt e më shkoqur, midis socialistëve të ulur bashkë me mua tek “Fideli”, “Piaca”, “Tirana”, “Rogneri” apo në cilëndo kafene tjetër përgjatë bulevardit dhe socialistëve të gjunjëzuar anembanë Shqipërisë, nga rënia pindarike e Partisë Socialiste.
Kjo rënie, që ka filluar në dhjetor 2003 e që është bërë zyrtare më 3 korrik 2005, vazhdon sot e gjithë ditën, për shkak se frenimi e pastaj ndryshimi i trajektores dëshpëruese ku ka hyrë familja jonë politike, mund të bëhet vetëm e vetëm përmes rithemelimit moral, rikonceptimit programor e ristrukturimit fizik të Partisë Socialiste. Duke u nisur nga një parakusht i pazëvendësueshëm, i pashmangshëm e i patjetërsueshëm: Jetësimi i parimit “një anëtar një votë” qysh në krye të rrugës së rimëkëmbjes. Pa socialistin e gjunjëzuar në vendimmarrje nuk ka ringritje të kësaj partie, po vetëm rënie, paralizë, llum kafeje. Ejani në vete! U bënë ditë, javë e muaj që ju dëgjoj, tavolinë më tavolinë.
Drejtpërdrejtë apo përmes atyre ndër ne, që vejevijnë në tavolina bashkë me opinionet. Ju dëgjoj me vëmendje, dëshirë e vullnet, për të kuptuar se çfarë mendoni e çfarë ju mundon lidhur me punën tonë të përbashkët, tanimë që dalja jonë në opozitë nuk është një hipotezë po një realitet. Sa më shumë dëgjoj disa ndër ju, miq e shokë të mirë, me përvojë e kontribut në këtë parti, aq më keq ndjehem, aq më mirë e kuptoj pse Partia Socialiste është katandisur në këtë pikë të hallit dhe aq më i bindur jam në vendimin tim, për të kandiduar për kreun e saj. Kuptoj përditë e më mirë, sigurisht, edhe ç’barrë e rëndë është të marrësh përsipër drejtimin e PS-së sot, kur kaq shumë kusure, të qena e të paqena, rëndojnë mbi imazhin e saj e kur, për më tepër, tek askush ndër ju, nuk kam parë akoma të ndezur me fuqi të plotë llampën e vetëdijes, për krizën ku gjendet familja jonë politike dhe për arsyet e saj të thella.
Ne jemi në krizë vëllezër dhe kjo krizë nuk është hiç e thjeshtë për t’u zgjidhur, prandaj edhe kam kaq kohë që ju lutem të mos merremi me njëri-tjetrin, po me përgatitjen e ofertave politike konkuruese, të mos e shohim njëri-tjetrin si pengesë po si një burim energjie më shumë për të kapërcyer pengesat, të mos ndahemi me njëri-tjetrin në “fitimtarë” e “humbës”, “të vjetër” e “të rinj”, “udhërrëfenjës” e “menaxherë”, “zotër shtëpie” e “mysafirë”, “vrapues” dhe “ulokë”, po të bashkohemi qetësisht në respekt të një kodi të ri veprimi e sjelljeje politike, që duhet ta përcaktojmë përmes ballafaqimit të hapur të ideve e të propozimeve për të ardhmen e Partisë Socialiste, të mos humbasim tjetër kohë të çmuar, sekonda, minuta, orë, ditë, javë, duke kërkuar formula çudibërëse e zgjidhje artificiale, për të bërë sikur po zgjidhim gjithçka pa zgjidhur asgjë, por të ndjekim rrugën e bekuar të konkurimit të hapur e të ndershëm, dhe t’ia lemë anëtarësisë socialiste të gjykojë me votën e saj të lirë, se ç’rrugë duhet të ndjekë kjo parti dhe kujt i duhet lënë në dorë drejtimi i saj në katër vitet e ardhshme.
Në përgjigje të kësaj përpjekjeje të mundimshme e të sinqertë, për të rritur nivelin e vetëdijes për krizën pa cënuar askënd personalisht, përderisa jam i bindur se kjo krizë është thelbësisht krizë e një sistemi demokracie të cënuar në Partinë Socialiste, jeta e së cilës duhet vendosur mbi baza të reja, duke filluar afërmendsh nga sistemi zgjedhor brenda saj, kam dëgjuar prej jush disa përsiatje të cilat i konsideroj të rrezikshme për fatin e betejës, që duhet të zhvillojmë si forca kryesore e opozitës për zhvillimin e Shqipërisë, për emancipimin e politikës shqiptare e, natyrisht, për kthimin me dinjitet e forca të ripërtërira të Partisë Socialiste në krye të punëve të vendit. Ju kujtoj se këtë betejë madhore për të cilën jemi bashkë e, mbi të gjitha, për të cilën na kanë zgjedhur të rrimë bashkë, jo vetëm nuk e kemi filluar ende, ndërkohë që prirja antidemokratike e qeverisë së sotme ka nisur të shfaqet në mungesë të një opozite të organizuar sa e si duhet, por edhe jemi duke lëshuar terren përditë në sytë e opinionit publik me pafuqinë tonë shembullore, për t’u ngritur mbi vetveten e mbi zakonet e këqia të viteve të fundit, paçka se iluzioni i madh i “të keqes më të vogël” u bë kohë tashmë që ka rënë para syve tanë, mu si kështjellat e rërës buzë detit. “Duhet konsensus!”, thonë disa ndër ju. Konsensus për çfarë dhe me kë?
Në kushtet kur partia ka humbur zgjedhjet, ka kaluar në opozitë dhe kryetari është dorëhequr, duhet të zgjidhet kryetari i ri, apo jo? E atëherë, a ka njeri të ma shpjegojë se cilit ndër ne i takoka të japë apo marrë konsensus në emër të 60 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste, të cilëve u takon të shprehen me votën e tyre, për të gjithë kandidatët që do të dalin në garë? Apo anasjelltas, cili ndër ne dhe me çfarë statusi të veçantë e paska të drejtën t’i privojë këta 60 mijë socialistë të shprehen lidhur me orientimin që duhet t’i japim partisë sonë në kushtet e opozitës, e me njeriun që duhet të vihet në krye të saj për të drejtuar procesin e kthimit në qeverisje? E pra, kjo kërkesë për konsensus për kryetarin e ri, mes atyre që janë aty ku janë sepse kanë mandatin e socialistëve për ta hapur, rritur, forcuar e modernizuar vazhdimisht dhe jo për ta mbyllur, tkurrur, dobësuar e sklerotizuar përfundimisht Partinë Socialiste, s’mund të na çojë asgjëkundi tjetër, përveçse në të kundërtën e asaj ku na çojnë zgjedhjet e lira në parti, me përfshirjen e socialistëve të të gjithë Shqipërisë në vendimmarrjen e rëndësishme strategjike që kemi përpara.
Me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit nga anëtarësia, vendosim gurin e themelit të një sistemi të ri funksionimi të partisë, kurse me konsensusin bulevardesk, krijojmë praktikisht kushtin për një zgjatim të mëtejshëm e shumë të rrezikshëm të krizës sistemike ku është e mbërthyer sot Partia Socialiste. Dhe sa për mua, s’është e para herë që e them, sfida jonë sot, nuk është të zgjedhim një kryetar të ri partie, po të ndërtojmë një sistem të ri organizimi të krejt jetës së partisë, një sistem ku, në rradhë të parë, anëtari i partisë të ndjehet zot i shtëpisë e i fateve të familjes sonë politike e jo dele e përfillur vetëm me rastin e “mjeljes elektorale”, dhe ku të zgjedhurit në hierarkinë e saj të jenë shërbëtorë të përkushtuar të kësaj familjeje të madhe, jo agallarë që për pleshtin kryeneç të interesit apo inatit të tyre, janë gati t’i vënë zjarrin shtëpisë. “Konsensus që të mos na përçahet partia!”, vijoni ju. Po pse do na u përçaka partia po ta përfshijmë të tërën në vendimmarrje, duke tërhequr përmes votës mendimin e të tërë anëtarëve tanë në të 28 mijë kilometrat katrorë të Shqipërisë, dhe do na rrika e bashkuar po të vendosim ne të bulevardit, se cili do jetë Shestan Verdha i ynë? E po sikur ky Shestani konsensual që do na dilka nga mirëkuptimi i sallonit VIP të “PSSH Airlines”-it, të mos i pëlqejë anëtarësisë së partisë në fusha, kodra e male, si do i’a bëjmë?
Apo mos ndoshta kjo pyetje është e tepërt përderisa anëtarësia, grigjë e urtë që na vjen pas, s’ka aq mend sa të na japë mend e kësisoj, mendjen tonë do besojë e, po nuk e besoi, do s’do, do ta durojë e nënshtruar urtësisht si gjithnjë, në rrugën ku vendos “qendra”?! Kurse unë vijoj të këmbëngul që, nëse vërtet duam ta bashkojmë e ta ringremë Partinë Socialiste, ne duhet t’i drejtohemi pikërisht anëtarësisë duke e kuptuar thellësisht se kriza jonë, është ndër të tjera një krizë e arratisë nga realiteti e nga jeta e anëtarit të partisë, si njeri me identitet e si qytetar i angazhuar i këtij vendi, si objekt dhe subjekt i politikës sonë, si arsye e vetë ekzistencës sonë, si forcë politike tek e fundit. Prandaj t’i drejtohemi e t’i nënshtrohemi vullnetit të anëtarësisë dhe pikë, pa harruar se nëse Partia Socialiste u përça dy vjet më parë, kjo erdhi pikërisht sepse ne i kthyem plotësisht kurrizin anëtarit të partisë si njeri, qytetar e zgjedhës, nuk u morëm me kurimin e infeksionit galopant të sistemit tonë të funksionimit, nuk u ndalëm përpara hendekut të madh që ky sistem krijoi mes nesh e popullit, por e thelluam atë kokëfortësisht më tej, e i shkuam deri ku na lejoi koha, shtrembërimit të vullnetit të anëtarësisë së partisë e të të gjithë trupës sonë të madhe elektorale, përmes një demokracie përfaqësuese të paralizuar nga shantazhi i “bukës së gojës”.
Sistemi ynë funksional ka rënë, e kuptoni këtë apo jo? Ka rënë të dashur miq e shokë socialistë të bulevardit dhe çdo përpjekje për ta ringritur mbi të njëjtat hallka të shkëputura nga anëtarësia e partisë, është një aventurë e re me pasoja të reja, edhe më të rënda se ato që kemi përjetuar deri këtu. Partia nuk bashkohet në pazarin e karrigeve e të forumeve, po aty ku është copëtuar, dërrmuar, vrarë, në shpirtin e saj, në të gjitha dejet e organizimit të saj, në gjymtyrët e në horizontin e shikimit të saj, partia nuk bashkohet aty ku nuk ka hapësirë lirie për të gjithë anëtarët e saj, po aty ku secili ka hapësirën e vet të zgjedhjes së lirë e ku askush nuk e përdor lirinë e tij, për të kufizuar lirinë e të tjerëve, partia nuk bashkohet duke sajuar mekanizma që i ngjajnë traktorit të parë të markës shqiptare, i cili eci vetëm ditën e inagurimit, po duke ecur në rrugën e modernizimit që sivëllezërit tanë socialistë të botës demokratike kanë hapur edhe për ne që, si të fundit që jemi, s’kemi çfarë të shpikim më. Romano Prodi fjala vjen, përpara sesa unioni i të majtës italiane të hyjë në zgjedhjet legjislative, kërkoi zgjedhje në anëtarësinë e majtë e më gjerë në gjirin e simpatizantëve të së majtës, paçka se mes krerëve të partive aleate, askush nuk e diskutonte lidershipin e tij.
“Për të qenë më të bashkuar”, tha Profesori, “na duhet një ballafaqim i gjerë mes gjithë aleatëve e ideve tona përballë gjykimit të votës së popullit të majtë”! Si metodë për t’u bashkuar më fort, po e pranon këtë thagmë për stilin e tij të punës edhe Kavalieri Silvio, i bindur tashmë se Xhanfranko Fini kishte të drejtë kur këmbëngulte, “Zgjedhje në anëtarësi për të shpëtuar aleancën”. Mirëpo, ja që disave prej jush, kjo ju duket përgatitje e shtratit të diktaturës sepse, siç ju kam dëgjuar, “ai që do dalë me mandatin e anëtarësisë në xhep, do jetë një kryetar shumë i fortë e prandaj edhe i pakontrollueshëm”. S’dua të bëj këtu komente të tepërta, lidhur me sesa të kontrollueshëm kanë rezultuar kryetarët e dalë nga kongreset në këto partitë tona politike pa përjashtim, ashtu sikundër s’dua të përsëris këtu, pse kjo davaja e kotë e kontrollueshmërisë nuk është çështje njeriu po sistemi, por dëshiroj të theksoj se nuk di asnjë rast nga jeta e partive politike në demokracitë perëndimore, ku të ketë pasur ndonjëherë debat e përshtjellim për sesi të nxjerrim një kryetar të dobët.
Kemi të bëjmë pa farë dyshimi me një lajthitje të rrallë në kuadrin e debatit politik, shprehje e krizës së familjes sonë padyshim, por edhe pak më tutje, shprehje e foshnjërisë së kulturës sonë demokratike. Vetë demokracia direkte në parti, një mekanizëm tanimë statutor edhe në Partinë Socialiste, nuk synon të prodhojë figura pa këllqe, që kthehen në kukulla forumesh e që në betejat me kundërshtarin politik nuk marrin asnjë votë përtej ledhit të anëtarësisë, por, përkundrazi, tenton pikërisht që përmes përfshirjes së të gjithë anëtarësisë në zgjedhje, të energjizojë organizmin e partisë, të maksimalizojë potencialin për kohezion brenda saj, duke votuar një projekt politik të besueshëm për të gjithë si edhe të nxjerrë në krye njeriun e duhur për të drejtuar realizimin e projektit, duke marrë mbi supe përgjegjësinë që ka një mandat i marrë direkt nga anëtarësia. Ju më lëndoni pa shumë gajle me aluzione për “natyrën time diktatoriale”, duke u munduar të argumentoni, pa argumenta në fakt, e në mungesë të plotë njohjeje të stilit tim të punës në ekip, se qenkam një rrezik për partinë. Por ndërkohë, ka një nonsens në të gjithë këtë përsiatje pasi unë, “diktatori”, kërkoj zgjedhje të lira në anëtarësi, kurse ju që thoni se doni ta ruani partinë nga diktatura, kërkoni konsensus pa zgjedhje ose konsensus me zgjedhje të diktuara nga konsensusi! Sikur nuk shkon e tëra kjo, siç nuk shkon edhe pretendimi tjetër se “zgjedhjet në anëtarësi do fusin përfundimisht në gjakun e partisë trafikun e influencës”.
Nuk e kam kuptuar kurrë ç’doni të thoni me togëfjalëshin “trafik influence”, nuk e gjej në fjalorët e gjuhës dhe nuk njoh asnjë variant të organizimit të jetës njerëzore, nga faraonët e Egjiptit tek firaunët e Botës së Lirë, që të zhvillohet jashtë influencave të interesave e të grupeve të interesit. Por, të më falni që s’jua fsheh dot se edhe në këtë “argument” unë rishoh sidoqoftë, problemin tejet shqetësues të trajtimit prej jush të anëtarit të partisë, si një dele e urtë dhe e nënshtruar, qënie shurdhmemece që duhet mbajtur larg problemeve tona, pasi mund të tërbohet e djallëzohet ndërkohë që na nevojitet e patrazuar në shpirt e në mendje, nga interesat që prodhuakan “trafik influencash”. Bash si në kohën e Partisë së Punës, anëtarët dele na nevojiten në tufë, për të duartrokitur konsensusin tonë e për t’u bërë ujq, vetëm kur duhet t’i ndërsejmë kundër atyre që duan të na e prishin partinë dhe të na e ndryshojnë vijën e saj.
Ç’punë ka delja me zgjedhjen e lirë të Sekretarit të Parë e të Komitetit Qendror! Ju këmbëngulni se zgjedhjet në anëtarësi do të jenë të vështira, se regjistrat s’janë të aktualizuar, se njerëzit poshtë do ndahen në kampe e do kacafyten me njëri-tjetrin dhe se mbase, kur të numërohen votat, do të rezultojë se anëtarët tanë janë më pak se ç’kemi të regjistruar. Sigurisht që zgjedhjet do të jenë të vështira, janë të parat e këtij lloji në vendin tonë, po a është vallë vështirësia objektive një argument më shumë për ta mbajtur Partinë Socialiste peng, të metodave të vjetra e të diskredituara nga koha e nga rezultatet apo një argument më shumë, për t’u motivuar të gjithë bashkë që të realizojmë zgjedhjet më të mira të mundshme në kushtet e sotme? Pse do ndahen në kampe e do kacafyten njerëzit poshtë në bazë, nëse ne lart në qendër nuk nxisim ndarje e kacafytje, po prodhojmë vullnetin e nevojshëm për rritjen e standarteve demokratike në parti, përmes parimit “një anëtar një votë”, duke mos vënë absolutisht në diskutim vetë parimin, po duke rënë të gjithë dakord për modalitetet e jetësimit të tij e duke punuar me mish e me shpirt për ta kthyer këtë ëndërr demokratike europiane në një realitet të ri shqiptar? Ja edhe na rezultoi se numri i votuesve do të jetë më i vogël se ai i anëtarëve të deklaruar, po pastaj?
Anëtarët e partisë nuk na duhen për numrin rendor, po për zemrën e për trurin e tyre, rëndësi ka sa zemrat rrahin për PS-në, jo sa numra figurojnë në dollapin ku ruhen regjistrat. Ju sugjeroni ta shtyjmë zgjidhjen e problemit akut të lidershipit në Partinë Socialiste një a dy vjet, e të punojmë me zgjidhje të ndërmjetme, sepse mbase jeni ende larg së qeni të vetëijshëm se detyra jonë, është të jemi alternativë e qeverisë dhe jo hije e vetvetes, kurse unë them se zgjidhja e ndërmjetme, d.m.th., moszgjidhja e krizës, do të na çonte poshtë e më poshtë rezultateve të 3 korrikut, larg e më larg njerëzve që na duan ndryshe, tutje e më tutje interesit të publikut për ne dhe do të materializohej me një humbje katastrofale në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ja pse mendoj që konsensusi i shumëshpërdoruar terminologjikisht këto kohë, na duhet thjesht e vetëm për rregullat e për modalitetet në jetësimin e parimit “një anëtar një votë”, jo për të shpikur mekanizma që të devijojmë nga ky parim e të parafabrikojmë bashkëkryetarë e forume si ato, që një miku ynë i krahasoi me të drejtë, me ato të Jugosllavisë post-titiste.
Kush do t’i besonte një partie që ju vetë açik nuk i besoni, kur rrekeni ta trajtoni si një të sëmurë mendor me “periudha kujdestarie kolegjiale”, të cilat, kolegjial kanë në fakt vetëm vullnetin absurd për të ruajtur privilegjin e pllaq-plluqeve në një pellg të vogël forumesh e ekranesh anash lumit që mund ta marrë tërë Partinë Socialiste? Askush! Duke e parë për fat të keq tërë këtë proces të lidhur me “kokëfortësinë e një mysafiri” si puna ime, i cili “po kërkon t’ju marrë partinë”, disa ndër ju nxjerrin në pah mendësinë paternaliste që e mban peng këtë forcë politike me argumentin krejt bajat të “vjetërsisë në parti”, a thua se partia është një vile rrushi që unë po e shkul arbitrarisht duke përfituar nga 198 centimetrat e mia dhe jo një bashkim vullnetar 60 mijë vetësh ku, në bazë të statutit e të parimit “një anëtar një votë”, secili syresh do të votojë sipas vullnetit të tij. Çudi e madhe, unë “mysafiri” nuk e kam frikë ballafaqimin në sy të këtyre 60 mijë socialistëve dhe jam i gatshëm të mirëpres çdo vendim, që do të marrë familja jonë e madhe politike me votë të drejtëpërdrejtë, kurse ju, “të zotët e shtëpisë”, doni t’i shmangeni edhe ballafaqimit edhe vendimit të 60 mijë anëtarëve të familjes me gjithëfarë kacavjerrjesh logjike, që s’kanë rrënjë në asnjë eksperiencë të suksesshme brenda nesh, jashtë nesh, në Shqipërinë apo në Botën e Lirë.
Jua kam thënë në sy, sesa e mjerë më është dukur ajo kacavjerrja pas argumentit të “shesheve të ndërtimit që krijojnë pabarazi në garë” dhe më vjen turp që t’jua përmend në këtë letër, sepse nuk dua t’ju shoh kaq të dobët përpara ftesës sime për t’u ballafaquar në funksion të ripërtëritjes së Partisë Socialiste me ide e projekte konkrete dhe jo me mbeturinat e baltës së mbetur në oborrin e shtëpisë sonë, nga përleshjet skandaloze të viteve që shkuan. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë zëdhënës të një kulture të re politike, të një vullneti të ri për të shkuar në thelbin e çështjeve e të problemeve – për trajtimin e zgjidhjen e të cilave rrimë bashkë nën një çati,- të një solidariteti të ri që përjashton nëpërkëmbjen e personalitetit e të dinjitetit të kujtdoqoftë, brenda ose jashtë shtëpisë sonë, të një pasioni të ri politik, që do të thotë dashuri, zemërgjerësi, vullnet për mirëkuptim e për tolerancë. Sigurisht, të gjitha këto nuk nënkuptojnë heshtje të fajshme përpara çfarëdo fenomeni negativ, abuziv, korruptiv, përkundrazi. Por ama, përpara se të ngremë gishtin ndaj shoshoqit, duhet të jemi të mirëinformuar e jo të mirëngarkuar me baltën e thashethemeve të kafenesë së fshatit apo, ca më keq akoma, me helmin e inatit a të xhelozisë irracionale për shoshoqin.
Jam plotësisht dakord të ngremë një komision etike në Partinë Socialiste, përpara të cilit kryetari i partisë apo cilido socialist tjetër me mandat, të shpjegohet për çdo shqetësim me karakter etik të krijuar në publik apo parti, me apo pa të drejtë, gjatë ushtrimit të mandatit të tij, ashtu siç jam tërësisht dakord që Komiteti i Përgjithshëm Drejtues të thërrasë në interpelancë të hapur publike kryetarin e partisë, figura të tjera drejtuese të saj apo cilindo individ të mandatuar nga Partia Socialiste, për çfarëdo shqetësimi të kësaj natyre. Kjo po, është rrugë e mundshme dhe e arsyeshme për të ndarë mirë llumrat e filxhanëve, ku vuajeristët e lloj-lloj prejardhjeve e profesioneve zbardhin aferat apokaliptike të kujtdo që ushtron mandat ekzekutiv në këtë vend, nga problemet e shqetësimet reale që mund të ndeshen apo ngrihen si pasojë e deformimeve të konstatuara në ushtrimin e detyrës. Le ta ndjekim këtë rrugë të re duke e braktisur njëherë e mirë të deritanishmen, përgjatë të cilës kushdo që merr përsipër të bëjë një punë është apriori “i përfolur”, “i ndotur”, “i njollosur”, “i katranosur”, subjekt i akuzave e shpifjeve që për fat të keq rriten në proporcion me rëndësinë e detyrës e me vlerën e punës, ndërsa cilido që rri duarkryq apo vetëm flet sesi nuk duhet bërë kjo apo ajo, është apriori një virgjëreshë “e ndershme”, “e moralshme”, “e pastër”, “e papërfolur”, që mund t’i shesë dëngla kujtdo që bën një punë. “Ai (unë d.m.th) po mbështetet tek ca të përfolur me të cilët do të sundojë nesër partinë!”, pretendon ndokush ndër ju. Përsëri gabim miqtë e mi!
Gabim në dy drejtime: E para, sepse për të mirën apo për të keqen time, unë s’jam pjesë e asnjë klani, grupi apo rrjeti miqësish, interesash, marrëdhëniesh të privilegjuara apo të dyshimta në PS e kështu me rradhë, pasi, siç e thoni edhe ju, nuk jam ende aq i vjetër sa duhet për të qenë i ngatërruar me kësi turlish afektive, konspirative ose degjenerative, po edhe sepse për natyrën, edukatën dhe eksperiencën që kam në jetë e në punë, s’jam i prirur të marr pjesë apo të ndërtoj klane ose grupe brenda skuadrës ku luaj. Dhe e dyta sepse unë s’jam as sot, po s’do të jem as nesër si kryetar partie, njeriu që mendon se i takon çelësi i portave të forumeve të Partisë Socialiste ku njerëzit, sipas bindjes sime të palëkundur, duhet të hyjnë apo të mos hyjnë, jo sepse kryetari u hap apo nuk u hap derën, por sepse votohen ose nuk votohen dhe kaq. Kjo është e tëra ajo që doja t’ju thosha me plot dashamirësi e në sy të tërë socialistëve dhe opinionit publik, lidhur me, si i gjykoj unë përsiatjet dhe dyshimet tuaja në raport me procesin ku kemi hyrë e me përpjekjen time të hapur e pa ekuivoke, në kërkim të votës së anëtarësisë së Partisë Socialiste për kandidaturën time, të cilën e konsideroj një shërbim që i’a detyroj kësaj shtëpie të madhe në këtë moment kaq të vështirë.
Mos e harroni miq e shokë të shtrenjtë, ne jemi të gjithë bashkë pjesë e së njëjtës familje politike, lypset të duhemi e të bashkëjetojmë në harmoni me standartet, rregullat dhe rezultatet e konkurimit të lirë e të ndershëm brenda nesh, duke rikrijuar identitetin tonë në kushtet e reja dhe rilindur ndjenjën e fortë të përkatësisë së përbashkët në këtë familje, për t’u ribërë forca e madhe fituese e së majtës. E jo të vijojmë të ngatërrohemi me këmbët tona në qorrsokakun e gërrmërreve e të avashllëkut paralizues ku kemi hyrë prej kohe, duke u bërë të lodhshëm deri në bezdi për qytetarët shqiptarë, e të pandjeshëm deri në makth për socialistët e gjunjëzuar në të katër anët e vendit pas zgjedhjeve të 3 korrikut. Ja pse rend dhe pse nuk do të ndalem së renduri unë!