PSD dhe partitë e reja…

Nga Kastriot Islami

1. Ky shkrim s’pretendon të jetë një analizë, sepse këtë gjë duhet ta bëjnë vetë partitë politike dhe mbi të gjitha një analizë komplekse kërkon hapsirë më të madhe. Në këtë shkrim s’do të flitet gjithashtu as për cilësinë e procesit zgjedhor dhe as të rezultatit elektoral. Madje as për shkaqet përse kemi këtë peisazh politik. Kjo është vetëm një “foto” e pjesëshme e peisazhit politik, madje pa bërë analizë për cilësinë e saj dhe përse kjo foto është e tillë.

2. Dukuria e re ‘PSD” përbën një risi, që lidhet, ndër të tjera, me krijimin e “poli-t” të katërt politik, “kuazi-king maker”. PSD e drejtuar nga Tom Doshi, ka marrë në shkallë kombëtare 35477 vota ose 2,25 % të votave dhe do të jetë në parlament me 3 mandate. Afërsisht 11827 vota për një mandat. Nga ana tjetër, partitë e “reja” BD, LN, PLDSH dhe Nisma THURRJE e Boikon Abazi, s’janë në parlament se s’kanë marrë asnjë mandat, madje edhe sikur të kishin konkuruar në siglën e një “liste të përbashkët”, llogaritjet tregojnë se s’do të ishin në parlament. Ndonëse të gjitha partitë e “reja” së bashku kanë marrë 33194 vota ose 2,1 % të votave në shkallë kombëtare. PSD ka marrë në shkallë kombëtare, krahasuar me votat e marra së bashku nga BD, LN, PLDSH, Nisma Thurrje e Boikon Abazi, 1,1 herë më shumë ose 2283 vota më shumë…

3. Përfundimi është i qartë: Duket, (kjo duhet analizuar në thellësi) se nuk është sistemi zgjedhor, qoftë edhe “listat e hapura” që e kanë penguar daljen e partive të “reja” por ndoshta dicka tjetër, që partitë e “reja” e dinë vetë më mirë se kushdo tjetër. Sepse me të njëjtin sistem zgjedhor, PSD ka arritur që me 2,25 % të votave në shkallë kombëtare të ketë 3 mandate, kurse partitë e “reja” vecas por edhe sikur të ishin bashkë me 2,1 % të votave, s’kanë mundur dhe as do të mund të futeshin në parlament.

4. PSD gjithashtu ka “sfiduar” edhe LSI (arsyet duken më të thella e do të duhet LSI ti gjejë përmes një analizë të thelluar). PSD ka marrë 3 mandate në shkallë kombëtare me vetëm 35477 vota ose 2,25 %, pra 1 mandat i PSD “peshon” me 11827 vota. Kurse LSI me 107522 vota ose me 6,81 % të votave ka marrë vetëm 4 mandate, pra 1 mandat i LSI “peshon” 26881 vota. Duke krahasuar këtë tregues për LSI e PSD mund të thuhet se PSD ka mundur të marrë një mandat me 2,7 herë më pak vota se LSI. Lidhet kjo apo jo me “efikasitetin” e PSD krahasuar me LSI, apo me dicka tjetër, i mbetet drejtuesve të LSI ta analizojnë këtë cështje dhe të dalin në përfundime…?

5. PSD, suksesin më të madh e ka në qarkun e Shkodrës. PSD, duke marrë 2 mandate në qarkun Shkodër, është renditur forcë e tretë politike, pas PD e PS, duke cvendosur në vënd të katërt LSI, e cila ka mundur të sigurojë vetëm 1 mandat. Në qarkun e Shkodrës, PSD (e drejtuar nga Tom Doshi) ka marrë përkatësisht:

 16,3 herë më shumë vota se BD (e drejtuar nga Astrit Patozi),
 11,8 herë më shumë vota sesa LN (e drejtuar nga Jozefina Topalli),
 31,7 herë më shumë sesa Nisma Thurrje (Rudina Hajdarin ka konkuruar në Elbasan),
 71,7 herë më shumë sesa PLDSH (drejtuar nga Myslim Murrizi), dhe madje
 1,5 herë më shumë vota sesa LSI…

Vecanërisht, drejtuesit e partive të reja mund të japin përgjigjen më të saktë për rezultatin e tyre në Shkodër si dhe për shkaqet e “performancës” së tyre disa herë më të ulët sesa PSD.

6. Argumentat në favor të krijimit të forcave të reja politike nga disa disa deputetë të ish-parlamentit, përmes futjes së “listave të hapura” kanë prodhuar një situatë të tillë:

7886 votat “individuale” të fituara nga Tom Doshi (konkuruar në Shkodër, me PSD) janë më shumë se

 830 votat e fituara vecas nga Astrit Patozi (në Tiranë me BD),
 598 votat e fituara vecas nga Jozefina Topalli (konkuruar në Shkodër me LN),
 517 votat e fituara vecas nga Rudina Hajdari (konkuruar në Elbasan me Nismën Thurrja) prej dhe
 556 votat e fituara vecas nga Myslim Murrizi (konkuruar në Fier, me PLDSH).

Madje 7886 votat e fituara individualisht nga Tom Doshi, si kryetar i PSD, janë më shumë se 2501 votat e fituara së bashku si “individë” nga Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi. Për më tepër që Tom Doshi me PSD ka fituar 3 mandate kurse katër partitë BD, LN, Nisma Thurrja dhe PLDSH, qoftë vecas s’kanë marrë asnje mandat, por qoftë edhe sikur votat e tyre të “bashkoheshin” në një “listë të vetme”, s’do të mundnin të prodhonin 1 mandat. Mbetet të analizohet përse ka ndodhur kjo e cduhet bërë për të mundësuar futjen e partive të reja në parlament?!

Syri.net
1 maj 2021

SHKARKO APP