Pse Basha revolton më shumë se Rama?

Nga Enton Abilekaj

Kriza e Partisë Demokratike po thellohet me një shpejtësi që as Timonieri nuk e mendonte në 17 maj. Votat pro Gramoz Ruçit e zhveshën politikisht grupin e kopshtit privat që krijoi Lulzim Basha me listën e deputetëve.

Vërtet që shitja e votës ka ndodhur dhe më parë. Ia ka blerë Meta dhe Berisha Nanos në 2002, Nano Berishës në 2004, Berisha Ramës në 2007 dhe 2013, Rama Berishës në 2016 dhe 2017. Parlamenti është bërë prej kohësh si pazar i gjësë së gjallë, edhe pse gjithmonë e më pak deputetët mund të dallohen nga gjallesat që shiten në pazar, por kurrë nuk kishte ndodhur që në seancën e parë, në votimin e parë, të shitej vota.

Ata janë shitur kur e kanë parë veten jashtë vendimmarrjes së partisë, jashtë preferencave të kryetarit, pa të ardhme në forcën politike, por kurrë në momentin e parë. Është sikur një fëmijë të lindë fajtor. Ishte foshnja e parë e Lulzim Bashës, prodhimi i tij i parë politik. Rasti unik, i një foshnje fajtore, paralajmëron një mostër.

Ata nuk votuan vetëm pro maxhorancës, votuan pro Gramoz Ruçit, nuk kapërcyen vetëm korridorin e vogël të kuvendit për t’u rreshtuar me Rilindjen, ata kapërcyen 26 vjet për t’u rreshtuar me Ramiz Aline dhe Adil Çarçanin në Partinë e Punës, nuk fyen vetëm ata pak të përndjekur që protestonin jashtë Parlamentit, por qindra mijë shqiptarë që u bashkuan me PD në fillim të viteve 90 për rrëzuar sistemin, qindra familje që humbën fëmijët në kufi përgjatë rrugës për mjë jetë më të mirë.

Nuk shkelën vetëm mbi partinë për të shkuar tek një parti tjetër, shkelën mbi sistemin demokratik për t’u kthyer tek sistemi tjetër.

Nuk mbaroi këtu, pasi bënë këtë, e diskretituan më keq opozitën, me akuzën standarde të manipulimit të votave. Nëse deri dje kishte akoma njerëz që besonin vërtet Lulzim Bashën, kur fliste për manipulim të zgjedhjeve të 25 qershorit, sot nuk ka më asnjeri. Sot edhe ata që mendonin që Basha kishte të drejtë edhe kur mbronte marrëveshjen e 17 majit, edhe kur ankohej për blerjen dhe manipulimin e votave, edhe kur vlerësonte punën e ministrave teknikë dhe më pas denonconte objektin e punës së tyre, pas deklaratave të Grida Dumës dhe Ervin Saljanjit, ndihen të tallur.

Fabula e vjedhjes së votës, u shndërrua në një skemë bajate për të justifikuar çdo dështim, çdo humbje. Sepse edhe sikur të ketë ndodhur ajo që nuk ka ndodhur kurrë, edhe sikur të jenë vjedhur votat në Parlament gjatë transmetimit direkt në TV të procesit të votimit dhe të numërimit, prapë PD ka përgjegjësinë që e kuptoi skemën dhe e denoncoi vetëm për të dale nga situata.

Në fakt, as Sali Berisha me mosmbesimin e tij konstant ndaj Rilindjes, nuk e pranoi që ajo broçkull t’u shitej shqiptarëve si e vërtetë, që ai turp të kalohej me një gënjeshtër qesharake, që mundohet ta lajë turpin me një turp akoma më të madh. Dhe nëse nuk do të ndërhynte Berisha, kjo do të ishte linja zyrtarë e opozitës, që është në fakt shërbimi më i madh që mund t’i bëhet Edi Ramës.

Jo vetëm se opozita po bën të pamundurën t’i revoltojë shqiptarët më shumë se Qeveria. Kjo opozitë po shndërron në qesharake të vetmen përpjekje që na ndan akoma nga regjimet totalitare, luftën për votën e lirë.

Duke e bajatizuar, duke e keqpërdorur akuzën e manipulimit, e bën të pabesueshme betejën për votën, i jep mundësinë Rilindjes që, ndërsa blen e vjedh, ndërsa tjetërson vullnetin e shqiptarëve, të fitojë imunitet përballë akuzave për manipulim.

Për të gjitha këto arsye, mund të thuhet se Lulzim Basha ka krijuar një mostër, që po zë vendin e PD dhe po del me gjithë shëmtinë e vet përpara shqiptarëve, për ta bërë Ramën të duket si engjëll mbrojtës.

SYRI.net

SHKARKO APP