Pse Berisha, Rama dhe Meta nuk votuan një Amnisti Penale, për të falur veten dhe veprat e shkuara?

Nga Kreshnik Spahiu

Tërheqja zvarrë e ish-kryeministrit Meta ka hapur një debat të madh në Shqipëri.

4 kryeministra janë proceduar penalisht në këto 30 vjet: Fatos Nano, Vilson Ahmeti, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Mjafton ky fakt për të kuptuar se tërheqja zvarrë s’është pritur mirë as nga Edi Rama, i cili në të ardhmen mund hetohet për të njëjtat vepra penale.

Por a kishin hapësira ligjore Meta, Berisha, Rama, të mos kishin lejuar të vinte kjo ditë?

Po!

Po ata kishin 100% mjetet ligjore të pengonin dhe mos vinte kjo ditë.

Kushtetuta parashikon në nenin 81 dhe 83 të drejtën e Kuvendit për të votuar Amnisti Penale.

Gjatë këtyre 34 viteve Berisha, Meta, Rama, Basha kanë miratuar me ligj disa Amnisti Penale.

Në disa Amnisti Penale janë falur me mijëra persona që kanë kryer vepra më të rënda se korrupsioni  apo shpërdorimi detyrës.

Në disa amnisti janë falur persona për krime të jetës, plagosje, trafik lëndësh narkotike, vjedhje, kanosje, mashtrim etj. etj.

A mundej Meta, Berisha, Rama të përfshinin në këto Amnisti me ligj edhe veprat penale:

– Korrupsion pasiv

– Shpërdorim detyre

– Fshehje pasurie

– Pastrim “parash” produkteve

– Mos deklarim pasurie

Përgjigjja është: Po, ata mund ti kishin votuar dhe sot nuk do ishin arrestuar sepse me ligj nuk hetohen veprat penale të amnistuara.

Ata nuk kanë pasur asnjë pengesë kushtetuese që nëse në vitin 2013, 2017, 2020 apo 2024 të kishin amnistuar këto vepra penale, askush që kishte kryer para momentit që do votohej ligji nuk do ishte subjekt i hetimit dhe gjykimit pasi prokuroria do detyrohej të pushonte çështjet penale sepse do ishin vepra të amnistuara dhe ligji ka efekt prapaveprues.

Dikush nga ju do pyes: Pse nuk e votuan?

Në vitin 2016 të 4 liderëve politik një nga misionarët diplomatik i ngarkuar me reformën e drejtësisë ju bëri ofertën e fundit:

Votoni një Amnisti Penale ku të falni njëri-tjetrin për çfarë keni kryer në të shkuarën me kushtin që të largoheni nga politika.

Diplomati që ju kishte bërë ofertën, ishte një mik i Shqipërisë dhe e argumentonte propozimin me nevojën që Shqipëria do përfitonte më shumë të falte 4 qeveritarë që mbanin peng 4 milion shqiptarë.

Ai arsyetonte që nëse nuk falen sot, ata nga frika do e mbajnë peng 10 apo 20 vjet Shqipërinë, deri sa drejtësia t’i dënojë dhe largojë.

Atëherë nuk e mirëkuptova dhe as nuk e besova.

Pas 10 vitesh ja vlen të pyesim:

Ja vjen të ishin larguar dhe Shqipëria të ishte çliruar 10 vjet më parë, apo 10 vjet që na morën zvarrë dhe të humbura nga jeta jonë?

Fakti që ata e refuzuan Amnistinë Penale dhe nuk e votuan faljen e njëri-tjetrit, është tregues se ata kurrë s’kishin menduar që do vinte kjo ditë.

Erdhi dita, por sot ata janë penduar që nuk janë amnistuar me disa ligje që kanë votuar.

Tani është shumë vonë për ata dhe për popullin që u mor zvarrë disa dekada.

Askush nuk ja u kthen dot vitet e humbura, as videot me arrestime apo sekuestrime……

SHKARKO APP