Pse “berishët” duan të jenë pranishëm?

 

Nga Mero Baze

Ndërkohë që Partia Demokratike po kalon momente të vështira dhe mbështetësit e saj ndihen të pashpresë dhe të paqartë për të ardhmen e partisë së tyre, ka një prezencë në rritje në publik të “berishëve”, të cilët sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe bëjnë sikur sillen si opozitarë. Sali Berisha dhe i biri i tij, që nuk i ngjan as në budallallëqet që thotë, bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Bëjnë sikur PD-ja nuk ka humbur, bëjnë sikur nuk ka pasur zgjedhje të dielën që shkoi, bëjnë sikur Basha nuk është as humbës as fitues  dhe shfaqen publikisht në rrjetet sociale dhe media me deklaratat e tyre nga më vulgare.

Ndërsa Lulzim Basha është në siklet, pasi fillimisht deklaroi se kishte fituar, pastaj se po ndërhyej në proces dhe në fund se nuk do t’i njohë zgjedhjet, por do të nisë protestat, Berisha shkruan për rrugëtimin e Arben Frrokut, Gjykatën Speciale në Kosovë, deklaratat e mikut të vet Elmar Brok etj. I biri po ashtu në donkishotizmin e vet shkruan për festat e PS-së dhe lexon filxhanin si e ka muhabetin PS-ja me ambasadorin amerikan.

Pra siç shihet nuk ka rëndësi se çfarë thonë dhe shkruajnë, por ka rëndësi që të duken se janë prezent. Ndërkohë që opozita është në traumën e humbjes, ata, babë e bir, si Donkishoti me Sançon, vazhdojnë rrugën e tyre, sikur të jenë ata liderët e opozitës dhe sikur gjithçka po vazhdon në normalitet pasi nuk ka ndodhur asgjë.

E vërteta është se të njëjtën gjë kanë bërë të dy dhe gjatë gjithë fushatës. Ndërsa PD-ja përpiqej të bënte fushatën e saj me boll probleme nga mosshkëputja dot prej traditës së saj populiste, babë e bir drejtonin një fushatë tjetër perverse, që u ngrinte nervat shqiptarëve. I biri kishte akaparuar disa media online dhe merrej çdo ditë me gruan e Erion Velisë dhe ia doli ta bëjë Erionin fituesin me rezultatin më të thellë në historinë e Bashkisë së Tiranës, të asaj të re dhe të vjetër, ndërsa i ati merrej me gjithëfarë deklaratash prej psikopati, që mjaftonin për të të kujtuar kush ishte alternativa e atyre që konkurronin në emër të shumicës.

Prezenca e tyre e përditëshme në media, me një linjë opozitarizmi vulgare dhe nervangritëse, pa ide,  që reflekton traumën e tyre familjare për arsyet përse kanë ikur nga pushteti, ishte e gjitha një fushatë për tu treguar shqiptarëve, se vërtetë ata kanë votuar kundër Saliut, Gitës, Zenit dhe Lilit, por dhe kanë kanë Saliun Gitën dhe Zenin e tyre. Ishte e gjitha një fushatë që buronte nga komplekset e tyre të fajit ndaj demokratëve dhe arsyet përse shqiptarët i ndëshkuan dhe rindëshkuan me një milionë vota kundër.

Kjo gjë nuk pushoi asnjë ditë as pas humbjes. Babë e bir përditë janë prezentë me profilin e tyre, që as Servantesi nuk do ta diktonte dot kaq mjeshtërisht sa i bëjnë ata rolet e personazheve të tij.

Fushata e tyre ishte padiskutim një arsye e madhe për humbjen e PD-së. Ajo ishte një fushatë hakmarrëse, e ndyrë dhe një përpjekje për ta mbajtur PD-në peng tek protagonizmi qesharakë i një familje që duhet ta kishte vendin në burg.

Humbja natyrisht që e ka gëzuar familjen Berisha më shumë se çdo socialist në këtë vend, pasi ata ndihen tashmë njerëzit më të dobishëm të opozitës. Dhe për ta vazhduar deri në fund hakmarrjen e tyre ndaj të gjithë atyre që kanë tentuar t’i harrojnë se i kanë pasur udhëheqës, ata vazhdojnë të jenë përditë prezent, përditë me broçkulla mediokre dhe përditë të pacipë, për të mos respektuar as në heshtje traumën e mijëra demokratëve në gjithë Shqipërinë që ndihen të pashpresë pikërisht prej tyre. Dhe sidomos nga prezenca e dhunshme e tyre, në këto ditë të vështira për ta. Është akti i fundit i incestit që “berishët” po bëjnë në familjen e tyre politike.

TEMA

SHKARKO APP