Pse do dështojë sërish Reforma Zgjedhore?!

Nga Ben Andoni/Për një arsye të thjeshtë sepse megjithë artikulimet kinse pozitive pro tij, të tre kampet kryesore politike në vend, deri më tani s’kanë bërë pothuaj asgjë për Reformën Zgjedhore, duke u fshehur pas intensitetit të punës në Reformën për Drejtësi. Me çfarë kuptohet, tre partitë kryesore në vend, PS, PD dhe  LSI as nuk e kanë ndërmend të thellohen në këtë reformë, përveçse diçka më shumë në javët e ardhshme kur do fillojnë të bëjnë mbledhje gjithnjë e më të shpeshta për propozimet e ngurta të njëra-tjetrës.

Ngërçi i parë do jetë pa asnjë dyshim pasardhësi i kryetares aktuale, që me të gjithë gjasat ka të ngjarë të jetë politik. Në këtë rast, nuk duhet të harrojmë banalitetin e politikës shqiptare: kryetarët e fundit të këtij institucioni përfunduan në politikën e sotme. Që këtu mund të kuptosh sesa vështirë është ta ngresh një proces, që do të monitorojë dhe menaxhojë zgjedhjen e politikanëve të ardhshëm.

Ka një regjistër nga ku mund të fillohet dhe debatohet dhe kjo ka të bëjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilat duhej të punohej që të reflektoheshin sa më mirë në Kodin Zgjedhor. Por sa e vështirë është kjo sot e kësaj dite, kur megjithë akuzat e ndërsjella, të përpiqesh të kuptosh e të bësh transparencën e burimit financiar dhe mbështetësit në hije të partive, pasi zyrtarët administrativë partiakë jo vetëm nuk t’i japin, por të vendosin para gjërave thjesht fiktive. Një element tjetër i ngërçit është kur e provon sesa e vështirë është të ndryshosh administratën zgjedhore dhe pastrimin nga militantët e frikshëm, që konvertohen në zyrtarë pas zgjedhjeve. Është e pakuptueshme për të huajt në Shqipëri sesi komisionet përfshijnë një grup njerëzish partiakë që kacafyten në shumicën e rasteve, duke e penguar hapur procesin. Shembulli i shumë vendeve me standarde të larta demokratike, ku komisionerët janë jashtë partiakë është ai i duhuri, por jo në rastin tonë, mbushur me një përvojë të dhimbshme në këtë drejtim.

Ndërkohë shtyrja e punës së komisionit së Reformës që donte kohën dhe konsesusin e nevojshëm është një detaj jo pa rëndësi, që tregon se vendimet e këtij komisioni do jenë të minutave të fundit dhe të diktuara. Dhe më e lodhshme është rituali i zakonshëm se gjithnjë Reforma Zgjedhore shtyhet më shumë nga partia që është në Opozitë. Kurse ajo që është në Pozitë, duket shumë pak e interesuar dhe më shumë bën retorikë.

Në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, me shumë gjasë do përballemi me para të sjella nga droga, që për hir të së vërtetës në Shqipëri kanë plasur keq, por edhe nga ndërfutja aktive e administratës shtetërore. Të mos harrojmë në rastin e fundit Dibrën, kur deri krerë të lartë u kujtuan zgjedhësve se ata ishin në qeveri, e me ta lidheshin fondet.

Duhet se shtyrja bën të duket që thjesht palët të mos jenë të interesuara për procesin e zakonshëm të shitblerjes së votës, që bëhet rëndom tek ne dhe shumë shëmtuar, si edhe mungesa e interesimit për votimin elektronik, që duhet thënë se ka pak gjasa të ndodhë sërish në vend, kur mungon hapur vullneti politik për ta çuar para.

Me pak fjalë, jemi në një gjendje, që për një nga reformat më të nevojshme, të jemi në këtë gjendje pasi nuk jemi hapur të interesuar. Me fare pak gjasë, Reforma Zgjedhore do të ndryshojë ndonjë gjë, si gjithnjë, kushtet do mbeten gati të njëjta, pa votim elektronik, pa mundësi frenimi të shitblerjes së votës, shtuar edhe me një administratë zgjedhore krejt politike e më shumë e interesuar për fitoren e tre partive kryesore dhe si zakonisht nëpërkëmbjen e të vegjëlve, sesa mbarëvajtjen e zgjedhjeve reale. (Javanews)

SHKARKO APP