Pse emigrantët shqiptarë në Greqi ndoshta duan rinegociimin e borxhit?

  Nga Artan Fuga

A ka përfituar Shqipëria dhe shqiptarët nga borxhet që ka marrë Greqia nga Europa???

Aspak.

Shqiptarët me punën e tyre kanë marrë hakun dhe djersën e tyre. Kaq. Nuk kanë marrë dhe as janë pjesë e borxhit,sepse as nuk i ka pyetur kush e as kanë vendosur e votuar ata për të marrë ose jo borxhe, e as kanë marrë parà duke ndejtur.

Kanë punuar si qeni, sigurisht duke përfituar edhe nga fakti se klasa politike liberale greke e kohës i pranoi se po mos donte na e vinte kufirin te thana qysh herët.

Sa për nacionalizmat e shfaqura, ah, ne shqiptarët zihemi me vëllanë, e quajmë malok, çeçen, e jo grekët me ne që invaduam sheshet, fshatrat dhe qytetet e tyre.

Pra shqiptarët në Greqi gjithçka e kanë me punë e jo me borxhe, për atë që punon s'ka rëndësi nga vjen leku që shpërblehet. Të punonin të gjithë si shqiptarët atje, tani do t'i kishte Gjermania borxhe Greqisë dhe jo e kundërta.

Puna është se gabimisht ka që mendojnë se negociimi i borxhit me kundërshtime të forta imponuese, do të ndihmojë shqiptarët meqë kanë parà në bankat greke. Po, po, i kanë, sepse si i kanë fituar ashtu edhe i kanë lënë paratë në bankat greke për zhvillimin e vendit. Ky është rregull. Kanë sjellë edhe në Shqipëri me zemër të madhe. Patjetër. Veçse ajo parajà e ardhur në Shqipëri, jo për faj të tyre, por ngaqë është përdor me dorë të lirë, më shumë ka sjellë dëme sesa të mira. Nxiti parazitizmin e këtueshëm, uli presionin e opinionit mbi qeverinë për rrogat dhe pensionet, si edhe janë paguar shtresa gjoja vorioepirote kot e më kot, duke ndejtuar jo duke punuar.

Tani, poqese merren masa shtrenguese ndaj kapitalit në Greqi ky kurban të parë do të bëjë emigrantët. Le poqese kalojnë në dhrahmi sikurse dëgjoheshin zëra, atëhere nja pesëdhjet vjet vuajtje dhe shtrëngime do të ketë edhe për shqiptarët atje, e do të tronditen edhe bankat shqiptare nga një tërmet shoqëruar me cunam.

Nuk do ta njohë më njeriu njeriun.

Ka emigrantë shqiptarë që duan rinegociimin e borxhit. Me të drejtën e tyre, sepse një pjesë janë të shtresave pa shumë të ardhura dhe mendojnë se është frikë gjithë ky shtrëngim rripi. Duan punë dhe shpresojnë se rinegociimi i borxhit do t'u sjellë punë. Fatkeqësisht jo. Pastaj e kanë provuar në kurriz efendikoin grek dhe sloganet politike të partisë në fuqi i tundojnë. E një pjesë janë mësuar qysh në të ri që borxhi është një e keqe dhe kreditori është majmun.

Poqese Europa e rinegocion borxhin, hallall i qoftë, por supë e ftohtë më duket me gjithë atë krizë. Por edhe po e rinegocioi, kur do ta çojë afatin e shlyerjes se 2020 është kapur dhe interesi është bërë një 1,5 për qind më duket? Si do ta shlyejë borxhin Greqia kur i thotë Trojkës që i ka dhënë borxh : ik ti se e di vetë punën unë! As këstin e borxhit të kërkuar nuk e dua më! Vendime të njëanëshme. Kush investitor vjen më për të futur paratë atje? Kush të jep më hua? Si do ta shlyesh borxhin kur do të punësosh punonjës të tjerë administrate, e do ta çlirosh përsëri rripin??? Rreziku bëhet i madh e një kolaps i pashoq është rrezik te dera. Cfarë përfitojnë emigrantët shqiptarë nga kjo? Asgjë.

Ata kanë interes t'i kenë depozitat e sigurta, të kenë euron, të ketë marrëdhënie bashkëpunimi të Greqisë me Europën, etj. Kjo është rruga. Borxhi do të shlyhet. Të gjithë duhet të zgjohen nga ëndërra. Parajsa greke që u shfaq në sytë e shqiptarëve që dilnin nga kazerma diktatoriale ishte një iluzion. Grekët shpenzonin më shumë se fitonin. Ja kaq ishte. Tani, zgjohuni, dhe mos kini frikë se shqiptarët nuk janë afendikonj, por puntorë të zotët, e kapin punën.

Pra ne duam stabilitet bankar, po fali borxhet ose rinegociojë borxhet Europa sigurisht do t'i nxjerrë nga një xhep tjetër, se përndryshe ku do t'i gjejë. Do të shtrengojë dorën në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, do të na shohë me mosbesim si ballkanas që s'njohim kontratë, por jemi revolucionarë, Robin Huda… E gjithë ekonomia e Ballkanit do të përkeqësohet edhe më shumë. Unë kam frikë madje se në këto kushte të një rënieje sociale rritje diskriminimi, dhe racizmi në Greqi kundër shqiptarëve mund të ngrihet. Kujdes!

Por, kjo analizë nuk ka lidhje me dashurinë time për kulturën greke, që ka formuar filozofinë, tragjedinë, për historinë e atij populli, për personalitetet e mëdha që ka nxjerrë, për shpirtin e madh dhe vlerat që ka, sikurse i kam parë unë te intelektualë që më kanë pritur e përcjellë, e kam ndarë bukë e gjellë me ta. Mos dyshoj njeri.

SHKARKO APP