Pse është mërzitur opozita nga arrestimi i Bandës së Tritolit?
Nga Mero Baze
20 ditë më parë, kur Tirana u gdhi nën terrorin e tritolit në biznesin dhe familjen e Ministrit të Brendshëm, opozita, por edhe media pranë saj, nuk i doli në krah Ministrit të Brendshëm pasi e quajtën thjesht hakmarrje bandash, duke e konsideruar Ministrin palë me bandat. Më tej u tha se krimi nuk do zbulohet, pasi Ministri nuk do të dalë zbuluar, që është luftë bandash. Pati vetëm ndonjë zë të vetmuar nga opozita që tha dënojmë krimin, por Ministri duhet ta zbulojë atë.
Sot 20 ditë më pas jemi në një situatë të re. Krimi është zbuluar. Banda është zbuluar. Dhe motivi është zbuluar. Janë hakmarrë ndaj Ministrit të Brendshëm, pse ky i fundit është ankuar tek Presidenti, që gjykatës të lidhur me pushtetin e djeshëm kanë liruar nga burgu pjestarë të kësaj bande. Janë hakmarrë po ashtu përse janë ndaluar nga policia, pasi janë konfliktuar me të fizkisht, apo përse u janë kërkuar kamerat e sigurisë tek një biznes i tyre për të zbardhur vrajsen e Santos. Pra kemi një reagim të krimit personalisht ndaj Ministrit të Brendshëm, tërësisht për shkak të detyrës së tij për vendosjen e rendit dhe ndëshkimin e krimit.
Këtë e pranojnë sot në shtyp dhe familjarët e të akuzuarve, të cilët me mendësinë e një bande që s’e ka prekur kurrë pushteti i djeshëm e quajnë padrejtësi të ndalesh, të kontrollohesh dhe të kërkosh ndëshkim për krime të provuara.
Tani opozita zyrtare, së paku duhet të përshëndesë zbulimin e këtij krimi, i cili ka rëndësi thelbësore jo aq për jetën e familjes Tahiri, sesa për faktin që provon se krimi ishte reagim i bandave ndaj shtetit të së drejtës. Opozita duhet të përshëndeste zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke kërkuar së pari ndjesë që e quajti Ministrin e Brendshëm palë si bandit në këtë histori. Faktet provuan se Ministri i Brendshëm dhe familja e tij janë vënë në shënjestër, në emër të luftës kundër krimit. E gjitha është e qartë, që është rebilim i krimit ndaj përpjekjes për të vendosur shtetin ligjor dhe për të prekur të paprekshmit, ata që shoqëronin deputetin e PD-së në vitin 2013 në fushatë elektorale me makina të blinduara. Lidhja politike e bandës është e qartë. Është e qartë, jo vetëm për enturazhin e PD-së që rri çdo ditë në oborrin e tyre, për lidhje që shkojnë deri tek Shkëlzeni dhe Noka, por dhe për motivimin e tyre për të qëlluar mbi Minsitrin e Brendshëm dhe për tu mbrojtur nga opozita si me komandë. Por më e qartë se kjo, është heshtja pasi ata janë zbuluar. Asnjë zë nga PD-ja nuk guxon të falenderojë policinë ose Prokurorinë (si ç e ka zakon Saliu në këto raste), për arrestimin e bandës që terrorizoi kryeqytetin. Nuk guxon se i del emri i djalit, emri i ish- Ministrit të Rendit, emri i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të një ministrie dhe emrat e deputetëve që pozojnë me ta. Është një histori e qartë dhimbjeje, që është shkatuar nga zbulimi dhe arrestimi i tyre. Nuk është vetëm çështje guximi që nuk flasin dot, por dhe çështje frike se çfarë mund të thonë të ndaluarit dhe kë mund të dekonspirojnë. Ka fakte shkencore që janë fshirë prova në labortorin e Ministrisë së Brendshme në kohën e Nokës, në favor të ngjarjeve të tyre. Ata e dinë këtë, se i kanë bërë vet. Por mbi të gjitha ata e dinë se tashmë ata nuk kanë ikur në drejtim të paditur, por janë në duart e drejtësisë dhe mund të flasin.
Nuk pres të kërkojnë falje për familjarët e Ministrit, që mund të ishin vrarë, apo për bombën tek stacioni i autobuzit që mund të kishte vrarë secilin nga ne, por pres të ruajnë fytyrën e institucionit të opozitës dhe të përshëndesin zbulimin dhe ndalimin e një grupi, që po ngjallte terror politik në një fushatë tritoli të telekomanduar politikisht. Nuk pres të flasë as Bujar Nishani, i cili i ka nxjerrë me duart e veta nga burgu për këtë shkak. Këtë duhet ta bëjnë jo për fytyrën e tyre, se ajo s’ka më rëndësi, por për ata qindra mijëria mbështetës të opozitës, që nuk janë kriminelë si drejtuesit e tyre dhe që duan vërtetë një Shqipëri pa banda dhe krime. Ata janë të çuditur pse i kanë të mërzitur udhëheqësit e tyre, pas arrestimit të kësaj bande.
Gazeta TEMA