Pse i amnistojmë vrasësit, si të sëmurë mendorë!

Përpara viteve ’90 tregohej si e vërtetë një histori kur një persona nga njëri qytet, kishte shkuar tek të afërmit e tij në një qytet tjetër, të vogël e periferik të Shqipërisë. Gjatë xhiros së famshme të mbrëmjes, dikush i ishte ngjitur nga pas dhe e shante gjatë gjithë kohës, nga nëna. Duroi sa duroi dhe në një moment, “jabanxhiu” ishte kthyer duke bërë sikur do ta godiste njeriun e bezdisshëm, thjeshtë sa për ta hequr qafe.

Në këtë moment, jo vetëm ata me të cilët ai po shëtiste, por edhe gjithë të tjerët rreth e rrotull i ishin kthyer si në kor: Moooos, se është budalla!

Swiss Digital Desktop Reklama

I habitur, thuhet se miku ia kishte kthyer: Nëse do ishte vërtetë kështu siç thoni, përse nuk shan nënën e tij ai atëherë, por timen?!

Swiss Digital Mobile Reklama

Më kujtohet pothuajse gjithmonë kjo mizanskenë, sa herë që për çfarëdolloj lajmesh, mediat vrapojnë që ti etiketojnë agresorët si “të sëmurë mendorë”. Vetëm në orët e fundit, kanë qenë dy raste kur mediat kanë konsideruar si të tillë, dy persona.

I pari, kishte lidhje me një të moshuar, i sjellë edhe me foto e video, në momentet kur ngacmonte seksualisht të miturat në rrugë.

I dyti, edhe më flagaranti, lidhet me raportimin e masakrës së ndodhur në fshatin Resulaj të bashkisë Selenicë në qarkun e  Vlorës. Ritvan Zykaj akuzohet se ekzekutoi me armë zjarri plot 8 pjesëtarë të dy familjeve, të një fisi me të. Ende pa u raportuar identiteti i autorit të krimit të tmerrshëm, gjëja e parë që u tha për të ishte: Autori mendohet se është një i sëmurë mendorë.

Më pas kjo gjë, rezultoi e pavërtetë. E si në shumë raste të tjera si kjo, askush nuk kërkoi ndjesë. Askush nuk u citua. Askush nuk u pendua. Por të gjithë vijuan të meren me detaje të tjera, të cilat nuk është çudi që një pjesë, përsëri të mos dalin të vërteta. E më pas të gjitha të harrohen. Derisa në kujtesën tonë do të mbetet vetëm vrasja e 8 njerëzve.

Ky nxitim për të etiketuar si “budallenj” apo si “të dehur” vrasësit dhe autorët e akteve të tjera të dënueshme ligjërisht, duket se nuk është thjeshtë dhe vetëm një “cen” i gazetarëve. Por, me shumë mundësi, ajo mund ta ketë burimin tek një lloj kulture kolektive e jona, për të “amnistuar”, “shfajësuar” apo “zbutur” akte të tilla “in extremis” prapa petkut të pavetëdijes se autorëve të tyre. Një lloj ndjenje viktimizimi, për shkaktarët e viktimave të vërteta.

Ky steriotip i sjelljes publike,- megjithëse krahasimi si çdo i tillë çalon,- të kujton rastet e mediave të vendeve fqinjë, të cilat pas viteve ’90 për çdo krim që ndodhte, gjëja e parë që raportonin ishte: Mendohet se e kanë bërë shqiptarët!

E mira e do që kjo klishe të flaket tej sa më shpejt, në radhë të parë nga mediat. Sidomos ato online që më pas bëjnë me shpejtësinë e dritës, xhiron e rrjeteve sociale të miliona individëve. Si mund të realizohet kjo? Eshtë fare e thjeshtë. Mjafton të shtohen filtrate e profesionalizmit, nëpërmjet zbatimit në praktikë të leksionit nr. 1 të çdo studenti të gazetarisë: Duke e raportuar lajmin, vetëm pasi e ke verfikuar, të paktën nga dy burime.

Gjigandi mediatik britanik BBC, së cilës i referohen shpeshherë për çështjen e besueshmërisë, parimin Nr. 1 të punës së saj ka moton: Më mirë të dytët, se të pasaktë!

Duke zbatuar mësimet e vyera të profesionistëve, me siguri që të gjithë do të fillojmë të bëjmë më pak amnisti,- qoftë edhe përkohësisht,- për vrasësit dhe kriminelët në të ardhmen. alpenews.al

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?