Pse i quajmë serbët “shqa”
I bindur për titullin provokativ, që se ka pasur qëllim në vetvete, Demiraj ka dashur të përfshinte një fashë të gjerë lexuesish në leximin e një teksti, që davariste shumë pasaktësi, shndërruar prej mjegullave të historisë. Me një fjalë, ka dashur që për herë të parë, shqiptarët t’i shmangen këtij përcaktimi dhe të shkohet thellë në zgafellat e kohës kur dy popujt ndanin ende shumë me njëri tjetrin.
Nga Ben Andoni*
Ka disa kohë që profesor Demiraj nuk ka qenë “shumë prezent” në median shqiptare, por jo sepse ka qenë në periudhë prehje, por thjesht sepse nuk preferon tw duket shumw. Këto ditë gjendet i zhytur në Bibliotekën e Vatikanit, fiksuar në punë kërkimore, që do t’i marrin javë tw twra pune. Kjo i mjafton për punët e tij dhe llogaritjen e kohës së vet. Pak ditë më parë, ka qenë i ngacmuar nga një aktivitet albanologjik dhe një personazh i njohur i gjuhësisë shqiptare, por me elegancë është shmangur. Tek e fundit, i mjafton mali i punëve që mbart me vete dhe angazhimet.
Gjithsesi, në këtë numër, po paraqesim një libër të tij, të botuar pak javë më parë, me një titull tejet provokativ: Shqiptar dhe shqa. Emri shqa në Shqipëri dhe viset shqipfolëse është përdorur gjithnjë në një kuptim krejt absurd, që nënkupton armikun sllav. Ai që të shqyen. Bisha. Në fakt, kjo monografi mëton të sqarojë bash këtë koncept gjuhësor me argumentimin se fjala “shqa” apo “shkja”, përdorur për të emërtuar popullsinë serbe nuk është e saktë. Botimi i studimit të profesor Demirajt është bërë në Shtëpinë Botuese “Naimi”, që është shumë e dhënë pas botimeve albanologjike, duke na marrë në një udhëtim historik për të shkuar direkt e te rrënjët e këtyre fjalëve, e duke zbritur pastaj deri në konotacionet e sotme.
I bindur për titullin provokativ, që se ka pasur qëllim në vetvete, Demiraj ka dashur të përfshinte një fashë të gjerë lexuesish në leximin e një teksti, që davariste shumë pasaktësi, shndërruar prej mjegullave të historisë. Me një fjalë, ka dashur që për herë të parë, shqiptarët t’i shmangen këtij përcaktimi dhe të shkohet thellë në zgafellat e kohës kur dy popujt ndanin ende shumë me njëri tjetrin.
Ideja e shpalosur në libër është zhvilluar në tre seksione që respektivisht janë: Emri etnik shqiptar, i dyti është Shqau ndër shqiptarët dhe i treti është Dy popuj në kontakt. Përmes çështjeve të ndryshme, qoftë studiuesi i fushës por edhe lexuesi i zakonshëm përgatitet ta marrë sa më të plotë idenë e profesorit dhe ai të përcjell me një argumentim shumë profesional tutje në shekujt e XIII-XIV, kohën e shpërnguljeve masive të shqiptarëve diktuar prej Bizantit drejt Jugut, në zonën e Atikës, Peloponezit dhe ishujve të Greqisë apo atë valë që më vonë do të ndryshonte rrjedhë drejt Italisë së Jugut dhe Sicilisë, ku edhe sot e kësaj dite flitet arvanitisht, përkatësisht arbërisht. “Folësit e shqipes e bartën me vete këtë emër etnik në formën arkaike shkla, skla dhe pagëzuan me të, në mjedisin e ri etnik-kulturor grek, popullsinë vendase joarvanite, thënë më saktë shënjonin e shënjojnë me të“tjetrin”, domethënë “fqinjin grek”, pikërisht ata që nuk i takonin e nuk i takojnë bashkësisë së tyre, që përdorte e përdor të folmen arvanite si mjet komunikimi brenda bashkësisë. Po kështu edhe ndër arbëreshët e Italisë, të cilët me shkla shënjojnë atë person që flet në mënyrë të pakuptueshme për ta”.
Për ta sqaruar më saktë, dhe për ta bërë publikun mëndjehapur, që të futet i plotw në argumentin e tij, ai përdor një nëntitull: për të thënë se kemi një analizë të historisë së kontakteve ndëretnike përmes dy etnonimeve. Dhe gjuhëtari këtë herë është më shumë se historian-gjuhësie. Hetimi i këtij emri e shtyn autorin që të hetojë në zhvillime historike-shoqërore, ku nuk e ndih shumë dokumentacioni historik, sigurisht jo vetëm ai i shkruar në gjuhën shqipe, por thjesht edhe dokumentacioni historik, që lidhet me të. Në një kuptim më të hershëm, që lidhet me ngjyresat e emrit dhe që sot ruan një konotacion negativ, ka të ngjarë, duke iu referuar argumentimit të tij, se emri ka hyrë në kohën e ardhjes së fiseve sllave të Jugut prej shek. VI Erws sonë, kohw kur u shpërthyen krejt kufijtë veriorë të Perandorisë Bizantine. Fjala greqisht sklavoi, esklavoi dhe fjala kaloi shpejt edhe në latinishte në formën sclavus (shumës sclavi). Fjala në shqip, sipas profesorit, nuk është gjë tjetër veçse pasqyrim i fjalës latine mesjetare. Me kalimin e kohës fjala ka fituar një shumëkuptimësi, siç e njohim ende sot në situata të caktuara gjuhësore Fillimisht popullsia sllave ishte p.sh. pagane; sllavët nuk ishin kristianizuar një element që ata e rrokën në shek. IX. Deri në atë periudhë emërtimi shqa përdorej jo thjesht dhe vetëm për të shënjuar fqinjin, pjesëtarin e bashkësisë sllavishtfolëse, por edhe besimtarin pagan, d.m.th. jokristian. Me kalimin e kohës – pas kristianizimit të popullsive sllave (gjysma e dytë e shek. IX) – u identifikuan me këtë emërtim jo vetëm ata që flisnin gjuhë sllave, por edhe ata që ishin pjesëtarë të Kishës Ortodokse Sllave, duke iu kundërvënë kështu bashkësisë shqiptare që i takonte sipas rastit Kishës KatolikeRomake (Veri) dhe/ose ortodoksisë greke (Jug).
Kurse, në konkluzionin e veprës së vet, përfundon se: “përgjithësimi i emrit tonë etnik shqiptar është sendërtimi gjuhësor i reagimit vetëmbrojtës që zhvilloi vetë etnosi shqiptar gjatë shekujve XVII-XVIII, në të cilin besimi fetar (disallojësh, por aspak sipërfaqësor) dashur pa dashur i la vend gjuhës amtare, e cila – krahas hapësirës jetike kompakte dhe traditës jetësore shqiptare – u shndërrua në identifikatorin themelor brenda matriksit të kulturës etnike shqiptare. Kemi të bëjmë pra me një proces etnogjenetik që paraqitet jo vetëm si ndër më të hershmit në Europë, por mbetet edhe sot e kësaj dite i pashoq në bashkësinë e popuj”. Libri është një ndihmë e madhe për studimet shqiptare, por edhe dhuratë e mirë për të pasionuarit. Nuk mund të thuhet se grafikisht është shumë i arrirë, por duket se është bërë në kufijtw e shpenzimeve, që për fat të keq për botime të këtij lloji mezi nxirren.
*JAVA