Pse i tremben bashkimit kombëtar?

Nga Sadedin Çeliku

Mora shkak nga deklarimet e Kryeministrit Shqipërisë Edi Rama dhe nga reagimi i zëdhënëses së Bashkimit Europian lidhur me atë ç’ka u deklarua. Ajo që ra në sy ishte reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit të Serbisë, sipas së cilës Kosova dhe Shqipëria nuk do të bashkohet kurrë.

Së pari, deklarata e kryeministrit shqiptar është keqkuptuar për shkak se atë ç’ka tha Ai, e ka thënë disa herë dhe gati në ç’do foltore e takim por në kontekstin e integrimit të dy vendeve dhe të shteteve të Ballkanit Perendimor. Pra, Bashkimi në Europën e Bashkuar ku aspirojnë popujt tanë, mekanikisht do të ndodhë, dhe në kuadrin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe atij rajonal ku vërehet se janë marrë disa hapa që i bëjnë vendet, shtete pa kufi dhe me një bashkëpunim ekonomik që synon heqjen e barrierave, kufizimeve dhe burokracive që e pengojnë këtë bashkëpunim. Këto masa dhe ato që do merren më vonë synojnë të lehtësojnë procedurat e bashkëpunimit. Pikërisht këtu e kanë zanafillën dhe politikat globaliste si teori dhe praktikë e shekullit të ri. Duhet thënë se këto masa do të shtrihen edhe me vendet e tjera të rajonit me qëllim që reformat integruese të përfshijnë të gjitha vendet e gadishullit.

Së dyti, pse i tremben kaq shumë bashkimit kombëtar ? Nuk dua ti hyjë historisë se si u copëtua Shqipëria, çfarë ndodhi në vitin 1913 e më pas, kush i mbrojti shqiptarët dhe çfarë qëllimesh ka patur.

Por dua të bëj me dije se Shqipëria ka një pozicion të shkëlqyer gjeografik që e bëjnë të lakmueshëm,pasuri që gjenden në nëntokën e Mitrovicës e cila po mbahet peng dhe të nëntokës gjatë gjithë hartës territoriale shqiptare. Këto pasuri kanë ngjallur gjithmonë lakmitë e fqinjëve dhe perëndimoreve për ti shfrytëzuar e përjetësuar ato. Në kohën e perandorisë osmane, fuqitë e mëdha dhe Serbia, e kanë ndarë e copëtuar Kosovën nga trungu natyral shqiptar, duke e lënë jashtë kufijve të Shqipërisë. Rishikimi i kufijve dhe bashkimi natyral në kuadrin e integrimit në këtë shekull të ri, është sa legjitim dhe i pashmangshëm, demokratik e i domosdoshëm.

Nuk mund të ekzistojë një Ballkan ku në tre kryeqytete të gadishullit banojnë në trojet e veta një komb prej dhjetë milionë shqiptarësh etnikë. Shqiptarë në Malin e Zi, shqiptarë në Maqedoni, në Serbi e Kosovë pa llogaritur shqiptarët e Greqisë dhe ato që banojnë në Turqi.

Shqipëria është nga të paktët popuj që është keqtrajtuar e është lozur me fatet dhe historinë e saj. Pa llogaritur kohët e lashta, ajo ka njohur shumë pushtues si Turqia, Serbia, Bullgaria, Austro-Hungaria, Italia dhe Gjermania. Ajo gjithmonë ka qenë në pozita mbrojtëse dhe gjithnjë ka luftuar për të drejtat e saj legjitime dhe asnjëherë nuk ka sulmuar askënd dhe as si ka rënë në qafë kujt. Por vendi ynë ka plotësisht të moralshëm mbrojtjen e të drejtave të veta që burojnë nga padrejtësitë historike dhe në fund të fundit askush kudoqoftë dhe cilidoqoftë nuk ka të drejtën e vetos mbi vullnetin e popujve. Popujt kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të zgjedhin në mënyrë të pavarur për ndarjet, ose bashkimin e popujve në përputhje me vullnetin e shumicës.

Kështu është bërë në mjaft vende. U ndanë Sudani në jug e veri i njëjti komb, u bashkua Kongo ashtu sikurse u bashkuan dy Gjermanitë, Vietnami, por vazhdojnë të ndarë Koreja e ndonjë vend tjetër. Ballkani ka mjaft probleme që burojnë nga gabimet e fuqive të mëdha dhe janë pikërisht këto që e bëjnë gadishullin fuçi baruti. Ballkani është një mozaik popujsh me gjuhë e kultura të ndryshme ku padrejtësitë i gjen gati në çdo vënd. Kësisoj vërejmë se bashkëjetesa në këtë mozaik ka qenë fals dhe gati e pamundur.

Në këtë kontekst kanë jo pak përgjegjësi vendet e mëdha dhe sidomos Bashkimi Europian i cili shpesh është treguar e pazot për zgjidhjen e mjaft problemeve që ka kontinenti ynë. Kështu kanë mbetur çështja e Mitrovicës, Ukrahinës apo të konflikteve në lindjen e mesme të cilat janë agravuar dhe për rrjedhojë kanë krijuar hemorragji të mëdha si varfëria emigracioni, e deri në kufijt e urisë. Bashkimi i vonuar europian nuk bëhet me preferenca dhe me kushte përjashtimi. Gjithë përfshirja dhe marrja e përgjegjësive historike janë parakusht për bashkëjetesë dhe bashkëpunim ekonomik,tregtar e më gjerë. Atëherë kush trembet nga bashkimi ose ndarja?

Ato që tremben janë politikanët mediokër që nuk jetojnë realitetet historike, janë njerëzit e shekullit të vjetër që jetojnë ëndrrat e hershme e që nuk do të realizohen kurrë.

Ekspresioni serbomadh i dalë demode “Shqipëri e Madhe” e “Shqipëri e Vogël” nuk ekziston dhe është pa kurrëfarë kuptimi. Shqipëria është një e tëra, natyrale, ashtu siç e ka falur zoti.

 

 

SHKARKO APP