Pse ikun shqiptarët e nuk kthehen?!
Nga Nest Zefi:
Largimi në përmasa biblike i shqiptarëve, me nji përshpejtim gati gjeometrik në dekadën e fundit, përtej ndonji elegjie autongushëlluese apo llafologjie të përgjithshme tymuese me anësi meskine politike, nuk asht trajtue në mnyrë serioze, të ndershme dhe epistemilogjikisht të bazueme.
Sigurisht, ky status nuk ka pretendimin me e plotësue këtë mangësi për arsye që vetëkuptohen, por nga ana tjetër kërkon me ndriçue nji trase elementare të gërmimit të shkaqeve të mundësisë potenciale të zbrazjes të shqipnisë prej qytetarëve të saj. Pra, qysh në premisa të ktij statusi të shkurt, duhet thanë se shkaqet e vërteta dhe të padukshme të braktisjes të atdheut nuk janë thjesht fizike, dmth të lidhuna me konditat e jetës materiale, por thellësisht metafizije dhe shpirtnore, të lidhuna me vrajsen e shpresës për me ndërtue nji jetë të dinjitetshme për vedi e të ardhmen e fmive e të familjes.
Vrasësit e ksaj shprese nuk janë anonim, ashtu sikur nuk janë anonim ushtria a “brigada e plehut” e shpërndame kapilarisht në çdo cep, lagje a skut të Shqipnisë.
Mbas dekës të Gjergj Kastriotit ishin otomanët me sulltanin në krye që dëbuen banorët e trojeve tona përtej detit, sikur në 33 vitet e post moniznit ishin “kamarierët” e bllokut të diktatorit Hoxha që drejtuen Shqipnine ata që dëbuen me shpatën e krimit, të korrupsion të llahtarshëm kozmik dhe zhvatje ashiqare të pasunisë publike nji masë të panumërueshme të shqiptarëve. Emnat e tyne janë shkrue në librin e turpit të historisë dhe të ndëshkimit hyjnor që do të jetë ma i madh se ai i Spaku-t njerëzor, nëse nuk pendohen dhe kthejnë gjanë e vjedhun.
Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, me proporcionet e impaktit personal në sipërmarrjen e vullnetshme të shkatërrimit të shtetit, do të mbahen mend si varrëmihësit e shpresës të shqiptarëve dhe vula e turpit e përjetshme e koshiencës për ata që i kanë mbështetë e vazhdojnë me e ba, përballë evidencës të kristaltë të fakteve të kobshme në ngarkim të tyne.
Në 112 vjet histori formale shteti shqiptar, dy satrap diktatorial oriental, si Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha, ia dolën me ndërtue nji strukturë shtetërore, përtej natyrës të saj persekutore e hakmarrëse, sidomos ndaj pakicës fetare katolike, kurse Sali Berisha in primis, me Ilir Metën dhe Edi Ramën, e shkatërruen komplet shtetin, tue e reduktue në nji përqindje të frikshme në nji strukturë banditeske në shërbim të delireve të mendjes dhe të babzisë të plancit të tyne të pangopshëm.
Ktyne monstrave të politikës, nuk u mjaftuen segementet e shtetit në nivel qendror e lokal, apo zagarët e medias bashkë me “biznesmenët” e tyne të ushqyem me paret e hajnisë, por aktivizuen “paraushtarakët” e dehumanizuem për me terrorizue, aty ku mundeshin, çdo qyetar të thjeshtë e dinjitoz që dyshohej apo nuk miratonte avazin e tyne.
Shqipnia u ba “tokë e xanun” jo prej “Ndue Rrokut”, por prej Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës, ky i fundit me delegim “babagjan” për patronazhistat dhe Alex Soros..
Çdo copë tokë ua morën shqiptarëve, dhe ndryshe prej Enver Hoxhës që e shtetëzoi, këto të fundit e hodhën në emnin e tyne dhe nji pjesë të mirë ia shitën mafias ballkanike apo shtetasve të vendeve të tjera, madje të shoqnueme me parulla patriotike e turistike të zhvillimit epokal të kapitalizmit shqiptar. Pronarët e ligjshëm që u konfiskuen në pasunitë e tyne prej Enver Hoxhës me Sali Berishën dhe Edi Ramën u dhunuen dhe u vodhën me pacipësi kozmike.
Bashkësia ndërkombëtare, megjithë problemet e veta dhe situatën e randueme gjeopolatike, në vitin 2016, e kuptoi se ishte çështje sigurie rajonale, korrupsioni monstruoz në Shqipni dhe nji klasë politike kaçakësh të epërm dhe për këtë arsye, vendosi krijimin e nji strukturë kontrolluese direkte për me frenue degradimin e situatës në shoqninë shqiptare, tue themelue Spak-n. Jam kenë ndër të parët që e kam mbështet këtë nisëm euro-atlantike me shkrime ciklike në atë kohë, tue shtue se, bashkësia ndërkombëtare ma në fund ka nji rol direkt surrogimi në mbrojtjen e nji minimumi të strukturës shtetërore në Shqipni dhe dhanien fund të kulturës të pandyshkueshmënisë për politikanët e implikuem në krim, korrupsion e minim të Shtetit.
Prokurorët e Spaku-t nuk janë mesia shëlbuese e Shqipnisë, madje ata janë analfabetë në kulturën juridike e ish ushtar të rëndomtë të Sali Berishës, por duhet kuptue se, emisarët euro-atlantike, dijnë me i konvertue dhe instruktue ata në leva të mjaftueshme për me përmbush qëllimin e tyne. Gjurmimi e sigurimi i provave të gatshme në tavolinën e prokurorëve të Spak, asht vepër e shërbimeve të vendeve partnere, të cilat dokumentojnë zullumet e hatashme të ish drejtuesve të shtetit tonë. Po ashtu, edhe arrestimi i sotëm i Ilir Metës asht forca e ligjit të inponuem prej emisarëve euro-atlantike dhe lajm domethanës për të ardhmen e vendit tonë. Dënimi shembullor i Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilit shpejt urojmë t’i bashkohet Edi Rama, nuk duhet të na iluzionojë për frenimin e kulturës korruptive në Shqipni, mbasi ata janë të klonuem me “modelin e Sudes” anembanë Shqipnisë. Prandej, përveç nji qeverie me personalitete me integritet e dinjitet evident, Shqipnia ka nevojë për nji superministri konfiskimi të aseteve kriminale te paligjshme dhe rikuperim të sovranitetit të saj mbi pasuninë kombëtare, tue u dhanë atë që meriton, shtresës të ish pronarëve dhe të persekutuemeve për motive të pastra politike të kohës të diktatorit Enver Hoxha. Shqiptarët e dëbuem prej rrjetit kriminal të ktyne politikanëve të sipermendun, nuk kthehen ma as të dekun, nëse nuk fillon demontimi i pasojave të vandalizmit të tyne politike, shkaku kryesor i largimit të shqiptarëve. Emigrimi nuk asht nji vendim i kollajt, aq ma tepër për klasën intelektuale e patriote që don me jetue dhe me kontribue për begatinin e vendit të vetë dhe shumë shqiptar nji gja të tillle e kanë ba, tue u shastisë prej realitetit që kishin krijue këto çakaj të politikës. Shqiptarët e dalën të rrënuem shpirtnisht prej komunizmit otoman shqiptar, në eksperimentin 33 vjeçar të klyshlve të ish nomenklaturës të vjetër, kanë marrë “il colpo di grazia” dhe në fakt nji pjesë jo e vogël e tyne janë rreshtue si mercenar me mbrojt statuoskonë e turpit të përftuem në bashkëpunim me politikanët e tranzicionit. Heshtja e të “ndershmëve” apo edhe paralelet që bahen me arrestimet aktuale të Spak në blogosferën e vulgut të sindromës të stokholmës, tue i krahasue paturpësisht me arrestimet e kohës të komunizmit, janë përveçse fyese për të vërtetën historike, edhe sabotim i nji mundësie të vogël shprese për normalitet në vendin tonë. Tue përfundue këto rreshta, mendoj se Shqiptarët, edhe pse shumë të ikun, për arsyet qe shtjellova sipër, nuk kanë ikë kurrë për sa kohë mendja dhe zemra asht e lidhun me hallet e nostalgjinë e shpresës për vendin e tyne. Shqipnia asht ne Europë dhe Europa po don me hy në hapsinën e vet natyrale, brenda të cilës asht kenë gjithmonë nji avampost i saj autentik, si puna e komunitetit katolik dhe shume njerëzlve vullnetmirë shqiptarë që luten pa prajt për të mirën e saj. Kena arsye me pasë shpresë.