Spahiu: Pse Janaqi sërish i ka trefishuar çmimet për sezonin turistik?

Nga Kreshnik Spahiu

Të premten u nisa drejt bregdetit të jugut.

Sapo kalova Palasën dhe Dhërmiun, makina ishte bërë e kuqe nga pluhuri i ndërtimeve të qindra hoteleve dhe vilave që ende nuk kishin përfunduar. E çova në lavazh, por m’u duk sikur po e laja me birrë, sepse çmimet ishin rritur me 10 mijë lekë.

Swiss Digital Desktop Reklama

A ju kujtohen Janaqi, Raqi dhe Fotaqi?

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjyshi i tyre, Nikollaqi, emigrant nga Greqia, punonte hyzmeqar në tokat e gjyshit tim, të cilat me ligjin 7501 iu dhanë minoritarëve që i punonin, dhe jo pronarëve. Në ato toka, me lekët e fituara në emigracion në Greqi, ata ndërtuan një hotel fillimisht me 2 yje, por çdo vit i shtonin nga një yll, dhe këtë vit po e inauguronin si hotel me 5 yje.

Mbërrita në hotel pasdite dhe në recepsion gjeta Janaqin që po nxirrte jashtë katër turistë shqiptarë me dialekt verior. U futa ndërmjet për të qetësuar situatën, pasi po përshkallëzohej. E mora me qetësi dhe e çova në tarracë, buzë detit, ku e pyeta çfarë kishte ndodhur.

Janaqi u ul dhe më tha:

“Kreshnik, po përgatitemi për sezonin turistik dhe kemi vendosur të mos lejojmë kosovarë apo ‘malokë’ në hotel.”

U shtanga dhe e pyeta pse.

Më tha:

“Vjet kapa një çift nga Kosova me shalqi në dhomë.”

“Bravo Janaq. Po tjetër çfarë keni përgatitur për sezonin?” i thashë.

Janaqi mori stilolapsin nga kamarieri dhe filloi të shkruante në mbulesën e tavolinës:

Kemi dyfishuar çmimet e dhomave, 420 euro nata, sepse duam turistë elitarë.

Kemi rritur 70% çmimet e restorantit.

Kemi punësuar 5 punëtorë nga Bangladeshi, sepse në fund i shtypim punën dhe nuk u japim rrogën e plotë.

Kemi punësuar 3 vajza nga Filipinet: në mëngjes pastrojnë, pasdite bëjnë masazhe për klientët, ndërsa në mbrëmje… i mbajmë në shërbim të hotelit.

Kemi siguruar peshk nga Vietnami me 3 euro/kg dhe ua shesim turistëve si peshk të egër mesdhetar.

Kemi rritur çmimin e parkingut në 20 euro nata.

Kemi trajnuar kamarierët të përdorin menu të ndryshme sipas turistëve: çmime të ndryshme për shqiptarët, polakët, gjermanët.

Kemi ndaluar ushqimet dhe ujin në shezlongje dhe i shesim ne, 10 euro shishja 0.5 L.

Në atë moment Janaqi u largua dhe unë vendosa të shijoja pak perëndimin, duke pirë një gotë verë. Por sapo piva gllënjkën e parë, më ngeli në fyt nga zhurma e matrapikut. Tre punëtorë po ndërtonin një pishinë gjashtë metra, aq të vogël sa as bretkosat nuk do notonin dot, por që për Janaqin ishte “standard 5 yje”.

U ngrita i nervozuar dhe shkova në dhomë për një dush dhe qetësi. Sigurisht, ujë nuk kishte as hoteli dhe as zona përreth. U detyrova të blej disa shishe ujë poshtë në bar vetëm për t’u larë. Kondicioneri nuk punonte dhe iu luta Janaqit të më sillte dy batanije.

Si zakonisht, u zgjova herët për të shkruar në laptop duke pirë kapuçino buzë detit. Zakonisht më frymëzojnë valët dhe qetësia, por këtë herë muzika në bar ishte aq e lartë sa nuk dëgjoje as veten. E thirra kamarierin dhe i thashë të ulte zërin, sepse po shqetësoheshin edhe turistët.

Ai më tha:

“E kam porosi nga Janaqi që muzika të dëgjohet deri te hoteli tjetër.”

Në atë moment më duhej të mbyllja jo vetëm veshët, por edhe hundët. Era e ujërave të zeza përhapej në gjithë tarracën. Kamarieri tha me qetësi:

“Zoti Kreshnik, do bjerë shi, se kështu ndodh gjithmonë kur vjen era e kanalizimeve.”

U ngrita dhe shkova te makina. Ajo m’u duk vendi më i pastër, më i qetë dhe më i rehatshëm krahasuar me “resortin me 5 yje”.

Atëherë u shtrova një pyetje: pse erdha këtu? Përveç mallit për vendin e prindërve, këtu nuk ka mbetur më asgjë. Bregdeti është betonuar, shkatërruar, “Golemizuar”. Nuk gjen më as natyrën, as qetësinë, as rivierën shqiptare si dikur.

Ika me shpejtësi, duke lënë pas Janaqin që “përgatiste sezonin turistik” mbi pronat dhe bukuritë e humbura të vendit ……

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi; Edi Rama apo Sali Berisha?