Pse Kancelarja Merkel, nuk tha: “As po, as jo”?!

Nga Artur ZHEJI /

Disa vite më parë, kancelarja gjermane, që mbetet sërish po ajo, ishte padyshim entuziaste për dy politikanët e gjatë dhe të pashëm, që vinin nga Ballkani. Njeri nga Tirana dhe tjetri nga Beogradi, dy kryeqytete problematike dhe pak vite më parë në një tension luftarak me njeri-tjetrin.
Madje Merkel ndoshta pati iluzionin se do të shënonte një histori personale suksesi, duke zbutur tensionet e trekëndëshit Beograd-Prishtinë-Tiranë, se do të shkëpuste Serbinë nga influenca e brendëshme nacionaliste dhe nga ndikimi rus, gjithashtu ajo shpresonte që Thaçi i Prishtinës dhe kryeshefi i Tiranës, do ti jepnin jetë një politikëbërjeje të tipit të ri, europianiste dhe reformatore.
Sot skenari Ballkanik, i ka lënë sigurisht një shije të hidhur, Zonjës së paepur gjermane, Vuçiç flirton me Moskën, po aq sa edhe me Brukselin dhe Berlinin.
Thaçi, është President.
Rama, pa një bilanc bindës, përveç kurimit të posaçëm të imazhit, me shpresë të madhe te ndikimi personal i “sharmit”, që e ka nxjerrë “shqiptarin”, shumë herë nga sikletet e “fletores” pa detyra të bëra dhe skandaleve të njëpasnjëshme në shtëpinë e tij politike dhe qeverisëse.
Merkel ka në të vërtetë plot halle në shtëpinë e saj politike, ku Ost-Politika e saj, trashëgim i kahershëm i Ost-Politikës së të dikurshmit kancelar Villi Brand, pasuar në të njejtin trend edhe nga Gjermanibërësi Helmut Kohl, që në investimet e forta drejt Lindjes, shikonin rritjen e pushtetit ekonomik të kollosit gjerman, pa më të voglën konkurencë shqetësuese.
Nga Berlini në Moskë e deri në Pekin, ku produktet dhe makinat gjermane janë një trend absolut.
Rama, pas kësaj eksperience të gjatë në politikë, por ende “aguridh”, në shpresën që, përmes ca frazave të latuara me kujdes, apo përmes ca metaforave “servilizmi të hollë dhe elegant”, do të mund të eklipsonte raportet e detajuara të burokratëve të zellshëm gjermanë, të hekurosura me kujdes, që lidhen padyshim dhe pasqyrojnë saktësisht, çorbën shqiptare.
Të drogave të lehta dhe atyre të forta.
Të sistemit qeverisës, të ndotur dukshëm dhe ndjeshëm, me mëkate tipike korruptive ballkanase dhe shqiptare. Me trafikantët e kokainës dhe tenderaxhinjtë e paradhomës kryeministrore, në aktivitet të plotë, të pandëshkueshëm dhe të paprekshëm, as edhe nga sistemi i “reformuar” më ngërçe i Drejtësisë Shqiptare.
Fraza e bukur, dhe e stiluar se:“Dielli i Shqipërisë dhe e shqiptarëve agon nga Perëndimi”, nuk mjafton dot më, si një gjethe fiku, për të mbuluar “hallatet” e palara, me të cilat përdhunohet ekonomia shqiptare dhe resurset kombëtare, të mbledhura grusht në fare pak duar sipërmarrësish, me trend të dukshëm oligarkik.
Prandaj edhe Frau Merkel, në dijeni edhe të “bombave me sahat” të skandaleve shqiptare, që edhe mund të plasin nga ora në orë, apo nga dita në ditë, nuk mund të rrezikonte që të ekspozonte më shumë dashamirësi dhe më shumë besim publik, për shqiptarin e supertkurrur, nga “respekti” i thellë.
Në të vërtetë në një ankth real, sepse suksesi i “formës” dhe i “paraqitjes”, i ka shterrur tashmë mundësitë e veta.
Gënjeshtrave u ka dalë boja dhe çdo makiazh nuk mjafton për të mbuluar vragat e dështimeve ekonomike, sociale dhe që lidhen me shtetin ligjor.
Merkel u rrëfye sidoqoftë një mike e mirë e shqiptarëve duke u mirësjellë dhe duke fituar kohë.
Apo duke pritur që kërkesat e saja, të përmbledhura në takimin kokë më kokë, të mund të kurorëzohen deri në Qershor…
Por a është kjo e mundur? /360grade.al/

SHKARKO APP