Pse KQZ duhet të kthej Kurbinin dhe Vorën për rivotim?
Zgjedhjet kanë përfunduar dhe po presin certifikimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përjashtim bëjnë dy zona problematike, Bashkia e Kurbinit dhe Bashkia e Vorës. Kurbini është ankimuar nga PD-ja, kurse dje LSI ka ankimuar rezultatin e bashkisë së Vorës. Dhe të dyja janë pranuar nga KQZ për t’u shqyrtuar.
Pse KQZ-ja do t’i kthejë për rivotim të dyja këto bashki? Argumenti për bashkinë e Kurbinit është se nuk ka patur konkurrim real ditën e zgjedhjeve. Ishin zgjedhje me një kandidat, si në kohën e komunizmit. Natyrisht, zgjedhje nuk mund të quhen në Kurbin sepse opozita e kishte tërhequr kandidatin e saj dhe emrin tjetër nuk kishte pranuar ta vendoste në fletë votimi KQZ. Mund të jetë një gabim i PD-së, por përsëri ai procese nuk mund të quhet zgjedhje në Kurbin. Në 21 qershor banorët e Kurbinit, Mamurrasit dhe ish-komunat përreth nuk patën mundësi të zgjidhin. Kishin vetëm një kandidat nga PS-ja dhe nga e djathta një emër që deklaroi se nuk do e merrte detyrën edhe sikur të fitonte. Një situatë jo normale, që lidhet me prapaskenat e përzgjedhjes së kandidatëve të PD në minutën e fundit. Por cilado qofshin arsyet, të djathtët në Kurbin nuk kishin kë zgjidhnin as formalisht. Pra, shkurt: KQZ do vendosë me logjikë se zgjedhjet duhen përsëritur dhe besohet se do të votojnë të gjithë anëtarët e KQZ, edhe të majtët, ndonëse Kurbinin e ka fituar PS.
Në Bashkinë e Vorës LSI ka ankimuar për disa qendra votimi. Në kërkesën e saj thuhet se duhet të shpallet i pavlefshëm votimin në disa Qendra Votimi në këtë bashki. Përpara datës së zgjedhjeve, LSI kishte denoncuar transferimin në mënyrë fiktive të të paktën 600 qytetarëve në këtë bashki me qëllim që të votonin për kandidatin e PD, Fiqiri Ismaili. Këtë të fundit, LSI e ka akuzuar edhe për blerje të votave me para në dorë apo me thasë mielli. Kandidati i PD, Fiqiri Ismaili fitoi me 258 vota më tepër, në krahasim me kandidatin e ASHE të propozuar nga LSI, Luan Sallaku në zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor. Vora në raportet e monitoruesve të fushatës elektorale rezultoi bashkia me më shumë probleme. Në media u shfaqën thasë me miell të kandidatit të PD dhe është bashkia e vetme ku pati denoncime me emra për blerje të votave nga kandidati i djathtë.
Pra, nuk flitet për hamendje, por për votime të manipuluara. Kodi Zgjedhor ka parashikuar ccfarë ndodh në raste të tilla. Pra ligjërisht KQZ ka të drejtë ti rikthejë votimet në bashkinë e Vorës.
Tani çfarë do të ndodhë? Bashkinë e Kurbinit duket se do ta fitojë PD dhe bashkinë e Vorës e merr LSI. Pse? E para, nga pikëpamja psikologjike janë në disavanatazh kandidati i PS-së në Kurbin dhe kandidati i PD në Vorë. E dyta, LSI në këtë rast nuk do të falë më asnjë votë dhe e gjitha do turret në Vorë, edhe për prestigj. Nuk ka më PS apo bazë socialiste që do ta dredhë më si në Prezë, se tufani “Rama-Meta” do të marrë përpara, natyrisht ligjërisht, kandidatin e opozitës. Përsëritja e zgjedhjeve është dhe një mundësi që PS dhe LSI të ulin tonet lidhur me pretendimet se aleatët e kishin me hile në disa zona.
LSI-ja do ta fitojë, jo vetëm se ka kapur fakte për manipulime, por sepse këtë radhë edhe se ka fituar kaq shumë vota në shkallë vendi, aqsa do të ndryshojnë shumë votues e do turren kah fituesi. Pra LSI e fiton bashkinë e Vorës, sepse ia kanë vjedhur me vota të manipuluara, duke shtuar PD-ja 600 votues që nuk janë banorë të Vorës. Se dhe diferenca ka dalë me 258 vota.
Ndërsa në Kurbin PD-ja rimerr kalanë e saj të bastionit demokrat. Është si një marrëveshje e fshehtë mes PS-PD-LSI kjo që do të ndodhë, ndonëse është krejt ligjore kërkesa e PD dhe e LSI.
PD-ja merr bastionin dhe ia lëshojnë vetë PS e LSI, kurse LSI merr Vorën edhe për prestigj, duke ia lenë në heshtje edhe PD, ndërsa PS do të miklojë Metën në qejfmbetjen e madhe të 21 qershorit.
Të gjithë dalin të kënaqur nga kjo që do të ndodhë! Dhe ligji zbatohet.