Pse nuk u vendos busti i Filipi Çakulit në Dermisht?!

HABERET E MITROS

Nga Mitro Çela

Pak vetë e dinë biografinë politike të Filipit Çakulit. Dy herë ka vënë kandidaturën për deputet. Dy herë pa “lëvizur” bishtin, d. m. th të shkëmbejë partitë, siç ka dalë moda më e fundit e politikës. E nisi dhe e bitisi duke qenë kandidat i PD-së. Në pranverën e vitit të mbrapshtë ’97, trim mbi trimat, duke rrezikuar jetën për parti, fe dhe komb u nis drejt Sarandës, për të bërë fushatë elektorale. Në shtabin elektoral kishte Koço Devolen, Agron Llakaj dhe avokatin Virgjil Karaj.

Në një nga kthesat e Mallakastrës i kishin zënë pusi. Një duzinë me kallash në dorë dhe çarape në kokë. Doli i pari Koço Devole nga makina. Tha: “Hapini rrugën Babait të Kombit! Ndryshe do t’u skuqim t’u bëjmë me bojë…” Maskat qëlluan nga fshati. Nuk e dinin poezinë për Çerçiz Topullit. Ndaj u treguan diplomatë. Në vend të hurit, i ngjyen me bojë të kuqe.

Lajmi tronditi politikën dhe mediat. Në konferencë shtypi doli vetë Berisha. Pas tij e mori fjalën Vranicki, austriaku dhe i dërguari i posaçëm i Evropës. Brenda ditës vërshuan deklaratat nga Athina, Brukseli, Strasburgu… Por e mori ferra uratën. Fjala e Evropës dëgjohej vetëm brenda vijave të verdha të Tiranës. Pjesën tjetër të Shqipërisë e qeverisnin maskat dhe kallashi. Morali: Filipi, nuk u pranua nga maskat në Jug të Shqipërisë për të bërë fushatë. Dështoi.

Këmbëngulës, si demokrat pa teser PD-je, Filipi bëri një sfidë të dytë. Kërkoi ta kthejë dështimin në sukses. Në vitin 2001 rivuri përsëri kandidaturë. Përsëri në Sarandë! Nisi fushata. Në ekipin e deputetit bënte pjesë treshja e njohur.

Në zonën ku kandidonte Filipi, zgjedhësit ishin çamë ose minoritarë. Kur qëllonte fshat minoritar, deputeti i ardhshëm kuvendonte: “Do vijë një ditë e bukur, që për minoritarët Greqia dhe Shqipëria do të bëhet një. Do të kemi për kryeqytet Brukselin. Kur të vijë ajo ditë e lumtur, do të bëhet deti kos, d. m. th. nuk do ketë më nevojë të lypni viza në konsullatën greke në Gjirokastër.”

Kur qëllonte që zgjedhësit të ishin çamë, dallëndyshe ktheje ndryshe: “Me votën time në parlament, ju çemër të dashur do të gëzoni pronat që u ka rrëmbyer greku?!”

Ec e ec dhe një ditë kandidati për deputet mbërriti në një fshat të nakatosur, në fe e kombësi. Gjysma e sallës u mbush me çamër. Gjysma tjetër me minoritarë grekë.

– Po halli, – tha Koço Devole, – duke dëgjuar bisedat gjysma shqip e gjysma greqisht. – Formula e vjetër nuk pi ujë?!

– Miqtë e mi, – tha Filipi. – Ju jeni dy popuj të dalluar për besën e dhënë… Unë nuk kërkoj nga ju besën. Ruajeni atë si thesar të çmuar. Mua më mjafton vota juaj!

…Dështoi për herë të dytë. Nuk mori as votat e fshatit Dermisht në Sarandë ku kishte lerë?! Por unë e njoh mirë Filipin. Nuk tërhiqet kurrë nga politika. Ketë vit eci me larg. Kërkoi që bashkia e Finiqit te ketë për “kryeqytet” Dermishin. Kur lajmi mori dhenë një tufë me deputetë I kërkuan takim Ramës.

-Ky është turp. Do na marri historia. –thanë deputetët të thartuar.

-Filipi ka një drrasë mangut,- tha Rama.- Më kërkoi tre gjëra. Së pari, rruga kryesor e fshtit të quhet “Rruga Filip Cakuli.” Së dyti, të bëhet një bust I Filipit në qëndër të fshatit. Së treti, Dermishi të bëhet qëndër e bashkisë. Pranova vetëm pikën e tretë.

-Zgjedhje me mend,- thanë në kor deputetët me sytë të zgurdulluar!

SHKARKO APP