Pse po armatoset Serbia?
…nuk ka përgjigje tjetër përveçse atë që Napolon Bonaparte ka thënë dekada më pare, për të qenë në gatishmëri si “Një nënrepart ushtarak rus në prapavijë të armikut”…
Nga Kolonel Hysni Gjergji

Hysni Gjergji
Kush e kërcënon Serbinë që e detyron atë të rrisë kapacitetet ushtarake? Pse po armatoset Serbia e cila ndan kufirin e saj me Hungarinë, Bullgarinë, Rumaninë, Kroacinë, Malin e zi ; të gjitha këto vende anëtare të NATO-s, apo me Kosovën (d.m.th KFOR misioni i NATO-s) si dhe me Bosnje-Hercegovinen dhe Maqedoninë. Kujt nga fqinjët i frikësohet Serbia që e detyron të modernizojë ushtrinë? NATO-s, apo dy ish republikave që e fituan me gjak lirinë e tyre kundër Serbisë në vitet 90’? Është e qartë se Serbisë nuk i kërcënohet sovraniteti territorial nga askush, por ajo duhet të jetë siç ka qenë edhe më parë “detachment i përparuar ushtarak“ i Rusisë në Ballkan.
Serbia, mund të thuhet që vazhdon politikën e ish Jugosllavisë së Titos, politikën e uljes në dy karrige, të flirtimit me Rusinë nga njëra anë dhe shkeljes së syrit ndaj Perëndimit nga ana tjetër. Duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me BE, Serbia kurrë nuk po heq dorë nga aleatja historike, Rusia. Shumë dyshuese është lëvizja e fundit e Beogradit për armatosjen e armatës me armatim të ri rus. Ambasadori ukrainas në Beograd, Okeksandr Alekandroviq në një analizë koncize deklaron se Rusia po përdor Serbinë për të krijuar kaos dhe për të provokuar një luftë të re në Ballkan. Rusia po trajnon mercenarë serbë për të eliminuar udhëheqësit ukrahinas. Rusia gjithashtu ka përdorur ekstremistët serbë për të kryer një grusht shteti në Malin e Zi. Rusia po inkurajon edhe separatizmin serb në Republikën Serbska për të destabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën. Rusia gjithashtu “përdor” faktorin serb për të destabilizuar Maqedoninë, si dhe se ka një rol aktiv në kthimin e serbëve të Kosovës kundër shqiptarëve të Kosovës. Rusia po shet aeroplanët e saj në Serbi në mënyrë që të krijojë tensione me Kroacinë, anëtare të NATO-s. Moska nuk kujdeset për Serbinë, por e përdor atë vetëm si një instrument tjetër për të qenë afër Ballkanit dhe Evropës.
Pas pajisjes me avion luftarak Mig 29 dhe dy avion transportues ‘Antonov’, armata serbe tani ka blerë edhe tanket më të reja të prodhuar nga industria e armeve ruse. Rusia i dorëzoi ditë më parë gjashtë avionë ushtarakë MiG-29 Serbisë, ndërsa pritet që të dërgojë në Beograd edhe 30 tanke T-72. BRDM-2M, është tanku i cili shihet si ekuivalent për modelet e tankeve në forcave të NATO-s. Deri në fund të vitit të ardhshëm, ushtria serbe do të marrë 30 automjete të blinduara ‘brutale’ BRDM-2M. Autoblinda është i modernizuar dhe do të ketë një sistem zbulimi me sensorë shumë më të mirë dhe të pajisur me mitraloz 14.5 mm. Vlera e kësaj pjese të dhuratës nuk mund të përcaktohet me saktësi, por BRDM kushtojnë disa miliona dollarë.
Kosova, si krye çështja dhe pengu i politikës së jashtme serbe, është e ekspozuar ndaj një fushate të gjerë ndikimi në rritje të ndërhyrjes ruse kundër modelit të shtet-ndërtimit perëndimor. Kjo fushatë ka filluar nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Shumë instrumente subversive dhe jo-ushtarake të inteligjencës ruse, vazhdojnë të përdoren kundër karakterit shtetformues multietnik të Kosovës, me qëllim që të krijohen perceptime për një shtet të dështuar, si dhe të rritet separatizmi lokal brenda komunitetit serb në komunat veriore. Sjellja e politikës së jashtme ruse, ka qenë armiqësore në mënyrë kronologjike, sidomos që nga vizita e parë e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin në Kosovë më 17 Qershor 2001 bërë kontingjentit ushtarak rus.
Në Kosovë konstatohet që, sanksionet ndaj Rusisë nuk kanë rezultuar të jenë efektive pasi subjektet ekonomike ruse nën sanksion, por që operojnë në Serbi dhe rajon, kryesisht produktet e naftës, vazhdojnë të funksionojnë akoma edhe në tregun e Kosovës. Gjatë periudhës Janar-Korrik 2017, niveli i mallrave ruse të importuara në Kosovë tejkalon shumën prej 10 milionë euro, ndërsa shifrat e eksportit të Kosovës drejt Rusisë mbeten zero. Kjo asimetri negative dëshmohet edhe në aspektin e hyrje/daljeve të qytetarëve rus. Sipas studimit, më shumë se 1000 qytetarë rusë vizitojnë Kosovën çdo vit, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Rusi për shkak të refuzimit të menjëhershëm të pasaportave. Duhet nënvizuar paradoksi që regjimi i vizave të Kosovës i privilegjon mbajtësit e pasaportave diplomatike. Mbajtësit e këtyre pasaportave u lejohet të hyjnë, të kalojnë ose të qëndrojnë deri në 15 ditë në territorin e Kosovës. Ky “lehtësim” mund të përbëjë shqetësim të sigurisë kombëtare për Kosovën e brishtë nga ana e institucioneve të sigurisë.
Ndërsa numri i qytetarëve rusë që vizitojnë Kosovën rritet, roli aktual i Rusisë në Kosovë, përveç bllokadave në nivel ndërkombëtar, është treguar edhe në statusin e komunave veriore. Janë shtuar lidhjet midis partive politike serbe dhe partisë politike Rusia e Bashkuar e Presidentit Putin të cilat janë vazhdimisht në rritje. Nga ana tjetër krijimi i Bashkimit të Komunave Serbe paraqet një realitet të ri, për një angazhim më të ashpër, me qëllim nxitjen e separatizmin lokal serb në Kosovë.
Faktori fetar paraqet një element të rëndësishëm për ndikimin rus përmes Kishës Ortodokse Serbe. Me mbështetjen politike të dhënë institucioneve fetare, Rusia kërkon të ruajë dhe të rrisë një prani të fortë emocionale dhe shpirtërore në mesin e banorëve serbë në Kosovë. Mungesa e kontrollit të duhur financiar në raport me buxhetin e Kishës Ortodokse Serbe krijon mundësi për një axhendë përçarëse dhe një keqpërdorim të këtij hendeku institucional, në interes të angazhimit të Rusisë dhe forcimit të ndikimit të tyre të mundshëm në Kosovë.
Fabrikimi i lajmeve të pa-vërteta (fake news) përmes përfaqësive mediatike ruse në Serbi dhe rajon në raport me Kosovën, paraqet një sfidë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Aktualisht ka një prani të mediave pro-ruse në Serbi , te cilat janë një zë i rëndësishëm në përhapjen e propagandës midis serbëve të Kosovës, duke përfshirë Sputnik dhe Russia Today. Përveç kësaj pozicioni i ashtuquajtur neutral i Serbisë ndaj anëtarësimit në NATO, së bashku me perceptimin negativ të publikut në Serbi për aleancën ushtarake perëndimore, mbetet një shqetësim për perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Aktiviteti i dyshimtë i të ashtuquajturës Qendra Humanitare Ruso-Serbe me qendër në Nish nga viti 2012, krahas stërvitjeve ushtarake në rritje dhe investimeve midis dy vendeve, duhet të konsiderohet si një kërcënim afatgjatë i sigurisë jo vetëm për Kosovën por edhe për ne, vendet fqinje. Qendra ruse gjendet relativisht pranë forcave paqeruajtëse të NATO-s prej 4 mijë trupash në Kosovë. Rusia kërkon që personelit të kësaj qendre t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie “sekrete” të saj përveç trajtimit të emergjencave. Shumë analistë ushtarakë amerikanë e shohin këtë qendër, si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, deklaron se Serbia do të blejë aeroplanë luftarakë nga Rusia për, siç ka thënë ai, ta mbrojtur lirinë dhe sovranitetin e vendit. Nga kush kërcënohet sovraniteti i Serbisë përveç se nga NATO, e cila sipas Beogradit i ka “pushtuar” një pjesë të territorit të saj- Kosovën?
Edhe pse formalisht e kërkon anëtarësimin në BE, Serbia është duke e kthyer interesimin dalëngadalë drejt aleatit të saj tradicional sllav. Ndërkohë, Moska e ka filluar një propagandë të madhe për ta mbajtur Serbinë larg Perëndimit. Shumë serbë e shohin dhe paraqesin veten si viktima të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, që çuan në çlirimin e Kosovës. Ndërsa Serbia vazhdon të ruajë lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës
Përballë kësaj “aleance” ruso-serbe ndodhet Kosova me institucionet e saj të reja dhe eksperiencën e mangut. Institucionet qendrore të sigurisë të Kosovës nuk janë të përgatitura siç duhet për të parandaluar ndërhyrjen hibride ruse. Përveç kësaj nuk ka dhe nuk vihet re ndërgjegjësim institucional të mjaftueshëm për të ndjekur dhe kuptuar interesat ruse në rajon. Kosova nuk ka strategji të qëndrueshme, se si duhet të adresojë sfidat në raport me marrëdhëniet diplomatike bilaterale dhe multilaterale me Rusinë.
Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se me diplomatin amerikan Hoyt Brian Yee kishte zhvilluar një takim “jo të këndshëm”, ku temat kryesore ishin Kosova dhe Rusia.
Hoyt Brian Yee tha se nuk mund të prekni tërësinë tokësore të Kosovës, Ky është qëndrimi i Amerikës. Duhet ta respektoni, nëse nuk e bëni… dihen pasojat..
Deklarata e drejtpërdrejtë dhe aspak diplomatike e diplomatit amerikan, tregon se Serbia nuk po armatoset për qëllime mbrojtëse por si dora e zgjatur e Moskës në Ballkan. Pyetjes se pse po armatoset Serbia, nuk ka përgjigje tjetër përveçse atë që Napolon Bonaparte ka thënë dekada më pare, për të qenë në gatishmëri si “Një nënrepart ushtarak rus në prapavijë të armikut”.
KOHA JONË SONDAZH

