“Pse qeveria nuk i humbi zgjedhjet”, në vend të “Pse nuk i fitoi opozita”
Nga Belina Budini-
Thënia e njohur sipas të cilës “zgjedhjet nuk i fiton opozita, i humb qeveria” është konfirmuar shpesh në kontekste të ndryshme elektorale. Tri javë pas zhvillimit të zgjedhjeve, kur kartat janë të hapura, ajo që mund të lexohet qartë është rikonfirmimi i shprehjes së mësipërme. Qeveria nuk i ka humbur zgjedhjet përsëri dhe pavarësisht të gjithave! Ndërsa të gjitha debatet pas-elektorale u orientuan tek pyetja se pse opozita nuk fitoi, pakkush është përqendruar tek pyetja parësore se pse qeveria nuk i humbi ato. Tek e fundit, dihet që problemi mbetet gjithnjë qeveria, nëse pretendojmë se jemi të orientuar kah demokracia dhe jo kah regjimi. Nisur nga kjo premisë, në qendër të analizës dhe të reflektimit duhet të vijë qeveria dhe arsyet pse ajo nuk i humbi zgjedhjet, jo e anasjellta. Kjo është çështja më me interes për opinionin publik, pasi na përket të gjithëve dhe jo një pale. Ndaj kjo temë vlen të jetë në axhendën e mediave shumë më tepër sesa tema e opozitës, të cilës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të rifutet në lojën sfiduese të pritjes përballë një qeverie që vijon të mos i humbasë zgjedhjet në të gjitha mënyrat.
“Si nuk i ka humbur qeveria zgjedhjet” është madje një pistë kërkimi më tërheqëse në pikëpamje gazetareske, investigative, por edhe sa i përket analizës dhe opinionit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një qeveri me rekorde jo-demokratike në rritje. Cilat ishin pra mekanizmat që penguan humbjen e këtyre zgjedhjeve nga një qeveri e tillë? Kërkimi dhe hetimi rreth tyre mund të kërkojë kohë dhe resurse, por të paktën disa syresh janë tanimë mjaft evidente. Identifikimi i këtyre faktorëve është i domosdoshëm, përpara se të flasim për reformim të partive opozitare, që sigurisht mirë është të ndodhë vazhdimisht, për të qenë gjithnjë e më elektorale dhe konkurruese, në funksion të demokratizimit. Por a është reformimi i opozitës garanci për rrotacionin demokratik? Vështirë të besohet në kontekstin e një qeverie si ajo që pamë në këto zgjedhje. Madje një kërkesë e tillë është si ta shtrosh problemin së prapthi. Opozita nuk fitoi sepse nuk humbi qeveria dhe jo e anasjellta. Ndaj, prej këtej duhet të nisë diskutimi. Në vend të tij, në media ka zënë vend një lloj ligjërimi triumfalist qeveritar, madje edhe në spektrin e analizës dhe të komentit, a thua se bashkë me qeverinë kanë fituar edhe analistët apo opinionistët pro-qeveritarë.
Numerikisht, votat negative ndaj qeverisë i tejkalonin ato pozitive ndaj saj, në totalin e tyre. Megjithatë, në saje të përvetësimit të rregullave të lojës në mënyrë që t’i shërbenin plotësisht formulës garuese të partisë në pushtet, qeveria arriti të parandalojë humbjen e këtyre zgjedhjeve. Ky mekanizëm elektoral që i dha qeverisë një avantazh të lartë në tavolinë, në formën e një kodi zgjedhor të miratuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensusin e opozitës, prodhoi automatikisht 11 mandate më shumë për qeverinë me vetëm rreth 38 mijë vota diferencë ndaj opozitës. U takon juristëve, ekspertëve të kodit elektoral dhe të shkencave politike që të shprehen në lidhje me shkallën e deformimit të vullnetit popullor, shndërruar në mandate të pamerituara, që buruan prej përdorimit të këtij mekanizmi. Por është e arsyeshme të pyetet gjithashtu: Çfarë lloj përmase duhej të kishte fitorja e opozitës për të mundur një mekanizëm të tillë? A është legjitim avantazhi i krijuar me anë të këtij mekanizmi aq sa për ta përligjur opozitën si humbëse dhe qeverinë si fituese?
Nga ana tjetër, fushata elektorale e orkestruar me maksimumin e energjive dhe mjeshtërisë nga ana e qeverisë shfaqet në retrospektivë si alibia e përsosur e këtyre zgjedhjeve. Dihet që fushatat përdoren edhe në regjimet autokratike, për të treguar forcë dhe për të testuar ujrat opozitare. Mirëpo, narrativa qeveritare e Ramës përveçse denigronte kundërshtarët me një gjuhë shtypëse, përçmuese dhe frikë-ndjellëse përkundrejt tyre, shërbente gjithashtu për të mbuluar përdorimin prej specialistëve të tij të mekanizmave elektorale jashtë-institucionalë dhe në mjaft raste edhe në shkelje ligjore. Mjaft të kujtojmë këtu sa për shembull përdorimin e jashtë-ligjshëm të të dhënave personale të pamiratuar nga qytetarët, për markim elektoral nga ana e Partisë Socialiste, ose shpërndarjen e parave shtetërore në kundërshtim me ligjin pikërisht në kulmin e fushatës elektorale, përpos dhjetëra denoncimeve për shkelje të tjera sistematike. Duke groposur anomali të tilla përmes përdorimit të mjeteve të vjetra shtetërore por edhe të PR-it të ri e modern, është e qartë se kjo qeveri ka punuar për shmangien e humbjes së këtyre zgjedhjeve me çdo kusht, mjet dhe mënyrë, përpara se të mbërrinte dita e zgjedhjeve. Por a e bën zgjedhja e kësaj rruge të akaparuar qeverinë fituese morale të këtyre zgjedhjeve, aq sa problemet t’ia kërkojmë opozitës dhe jo qeverisë?
Sado ironike të duket, shpesh zgjedhjet shërbejnë për t’u zgjatur jetën regjimeve të cilat mandej e përdorin “mandatin popullor” për të rinovuar narrativën e tyre të pushtetit. Madje edhe në sytë e aktorëve ndërkombëtarë! Edhe pse mund të tingëllojë komike për një kryeministër që del nga zgjedhje problematike të shprehet se “populli më do, prandaj i fitova zgjedhjet”, kjo bëhet narrativa e re e regjimit. Në zgjedhje të tilla koordinimi i burimeve njerëzore, individëve dhe grupeve të pushtetit, arrin shkallën më të lartë. Megjithatë, zgjedhjet janë gjithashtu një mundësi për aktorët opozitarë që të nxjerrin në pah vulnerabilitetin e regjimit duke ekspozuar mekanizmat elektoralë që ka përdorur partia në pushtet për të projektuar mbështetjen popullore që i nevojitet. Zgjedhjet mund të shfaqen kësisoj edhe si momenti më vulnerabël për qeverinë, megjithëse nuk i ka humbur ato.
Megjithëse analiza e këtyre zgjedhjeve duhej të kishte filluar nga pyetja “përse nuk i humbi zgjedhjet qeveria” në vend të asaj se “pse nuk i fitoi ato opozita”, kjo nuk do të thotë që partitë opozitare nuk kanë përgjegjësitë e tyre për faktin se nuk e realizuan rrotacionin e shëndetshëm demokratik pavarësisht të gjitha pengesave. Të gjitha bashkë ato duhej dhe mund të kishin qenë më konkurruese përkundrejt një qeverie që sidoqoftë ishte konsumuar në pushtet prej dy mandatesh dhe një lideri politik edhe më jetëgjatë në pushtet personal sesa vetë Partia Socialiste që ai udhëhoqi në zgjedhje. Opozita gjysmë e bashkuar nuk e ngriti dot “cunamin” e votave negative ndaj një qeverie prej të cilës kjo që ndodhi pritej. Nuk e markoi territorin mjaftueshëm për t’iu përgjigjur makinacioneve elektorale të partisë-shtet. Fundja në garën me aparatin qendror dhe lokal të gjithin në duart e PS dhe me një administratë shtetërore më të fryrën në historinë e post-komunizmit, të përfshirë gjerësisht në fushatë, dihej që do ta kishte të vështirë të fitonte. Çfarë rruge lipsej të ndiqte opozita përballë një qeverie të gatshme për gjithçka në funksion të ruajtjes së pushtetit përtej narrativës së qytetarisë të Lulzim Bashës dhe asaj agresive të Ilir Metës? Përpara një mandati të tretë qeverisës me Edi Ramën, opozitës do t’i duhet të ndahet një herë e mirë nga iluzioni i fitores pa krijuar parakushtin e humbjes potencialisht të kundërshtarit. Tek e fundit, edhe këto zgjedhje si shumë të tjera na e provuan të vërtetë aksiomën e vjetër politike sipas të cilës është qeveria ajo që i humb ose jo zgjedhjet dhe jo opozita ajo që i fiton ose jo ato. Një fitore realiste e opozitës vjen vetëm përmes humbjes potenciale të qeverisë, ndaj kësaj vështirësie duhet t’i përgjigjen ende partitë opozitare.