Pse Rama po rrezikon të ketë fatin e Gruevskit?

Nga Red Varaku

Tranzicioni i pushtetit në vendin tonë ka qenë gjithmonë i kërcënuar nga destabiliteti. Kjo për shkak se jemi një vend me demokraci të brishtë që do të thotë që nuk kemi institucione të pavarura që do të kishin legjitimitetin për të frenuar një degradim të tillë.

Të gjithë e dimë që pas 1990 kemi patur tre rrotacione të pushtetit dhe njëri prej tyre u bë nën kërcënimin e armëve dhe të gjithë i kemi parasysh ngjarjet e vitit 1997, të cilat degraduan në përplasje civile dhe e çuan Shqipërinë vite pas.

Pra, momenti i tranzicionit të pushtetit është një moment shumë delikat , i cili nëse nuk menaxhohet me maturinë e duhur , gjithmonë rrezikon të shpërthejë në përplasje civile.

Fjala vjen si në vitin 2005 ashtu dhe në 2013 pati një dakortësi midis palëve, që pavarësisht gjithçkaje zgjedhjet do të njiheshin nga palët.

Në fakt, kjo në politikë është thelbësore, sepse reflekton një lloj luajaliteti politik midis palëve që është një mekanizëm i domosdoshëm që pluralizmi dhe demokracia të funksionojë.

Pikërisht ky luajalitet politik dhe dakortësi politike mungon në këto zgjedhje dhe kjo për shumë arsye që i kam shtjelluar në shumë shkrime siç janë përpjekjet për të asgjësuar demokracinë, nëpërmjet likujdimit të opozitës, përpjekja për destabilizimin e Ballkanit nëpërmjet projektit për ndarjen e Kosovës, projekti i Jugosllavisë së re, flirti më armiqtë e Perëndimit kundër SHBA dhe BE etj.

Ndryshe nga 2005 dhe 2013, asnjë nga palët nuk ka deklaruar deri tani se do t’i njohë zgjedhjet në rast humbjeje.

Palët jo vetëm janë të pozicionuara shumë larg njëra-tjetrës, por në të gjitha rastet kërcënojnë me eliminimin politik të tjetrit në rast fitoreje , që do të thotë që asnjëra nuk duket se do e pranojë rezultatin dhe është pikërisht kjo arsyeja e konfliktualitetit që ka dy vjet që mbizotëron klimën politike shqiptare.

Klimë që do të shkojë me siguri drejt përplasjes, sepse nëse PS i vjedh sërish zgjedhjet siç edhe po tenton me banda dhe kriminelë, PD dhe LSI nuk do ta pranojnë rezultatin dhe do dalin sërish në rrugë, pak a shumë siç ndodhi në Maqedoni kur opozitën e udhëhiqte Zaev. Ndërsa nëse zgjedhjet i fiton PD -LSI, ndëshkimi i këtij kryeministri është i pashmangshëm, për shkak se kjo opozitë nuk ia fal dot këtij kryeministri faktin që ai tentoi ta eliminonte politikisht. Ajo u sulmua aq barbarisht, sa u detyrua të djegë mandatet dhe të bojkotojë zgjedhjet duke rrezikuar fort egzistencën e saj.

Pra, nëse Opozita fiton zgjedhjet opozita e ka detyrim ndëshkimin e këtij kryeministri dhe kjo është arsyeja se pse ky kryeministër rrezikon të ketë fatin e Gruevskit. Por, njëkohësisht, kjo është arsyeja se pse ky kryeministër do bëjë çdo përpjekje për të vjedhur sërish zgjedhjet.

Janë pikërisht këto dy skenarë që po trazojnë fort ujërat në kënetën politike shqiptare dhe kanë nxjerrë në skenë përbindësha, që rrezikojnë t’i kthejnë këto zgjedhje në përplasje të forta, që mund të prodhojnë dhe viktima, por ashtu si në skenarin Maqedonas nuk e ndalin dot tranzicionin e pushtetit, vetëm se shtojnë kostot që në fund do t’i paguajmë të gjithë ne.

SHKARKO APP