‘Pse Rama po tregohet i përmbajtur, ai e di mirë se pavarësisht numrave, fitorja e tij…”
Në një opinion në “Mapo”, Shkullaku shkruan se me 74 mandate, që nuk është çudi të shtohen rrugës nga dezertorët e rëndomtë, kryeministri i rimandatuar mund të shpaloste përsëri triumfalizëm dhe eufori.
“E megjithatë Edi Rama po tregohet i përmbajtur. Po e bën këtë në shenjë respekti për të mos lënduar kundërshtarin e thyer keqas? Apo është sjellje e matur karshi përgjegjësisë së madhe që i ngarkuan votuesit dhe peshës së angazhimeve që ka marrë për të drejtuar i vetëm Shqipërinë? Përgjigja është jo, sepse Rama nuk shquhet për ndonjë sjellje kalorësiake ndaj kundërshtarëve edhe kur i sheh ata në ditën e tyre më të zezë dhe, sa i takon ndjenjës së përgjegjësisë, edhe kjo bie po të kihet parasysh lehtësia me të cilën ai i përcolli premtimet e pambajtura në katër vite dhe mosregjistrimi i asnjë premtimi të qenësishëm për katër vitet që do vinë, përveç sloganit “do bëjmë shtet”, që nënkupton nuk do bëjmë asgjë”-shkruan ai.
Sipas tij, Rama po tregohet i kujdesshëm në menaxhimin e fitores së tij, sepse ai e di se pavarësisht nga numrat, ajo është një fitore e brishtë. Një fitore e arritur jo mbi besimin, por mbi manipulimin.
“Pjesëmarrja e ulët në votime, bojkoti i më shumë se gjysmës së shqiptarëve, vërtet penalizoi opozitën, por është një shenjë dëshpërimi i përgjithshëm, rezultat i qeverisjes së tij në katër vite. Se mijëra vota që shënuan numrin 2, nuk ishin valë entuziazmi për mirëqenien që solli kryeministri në mandatin e parë, por zgjedhje e pashpresë për një grusht parash në tregun e mjerë të katundit tonë politik. Raportimet në ditën e votimit sollën një numër rekord shitblerje të votës dhe për herë të parë një parti e madhe u soll me votuesit në mënyrë të pastër pragmatiste, duke shfrytëzuar me një strategji cinike nevojat jetike në mungesë të besimit dhe shpresës”- shkruan Shkullaku.
Me tej, ai thekson se mulimi mediatik që siguroi kryeministri ishte larg këtyre të vërtetave dhe për një muaj rresht u lanë në harresë skandalet e shumta të qeverisë dhe ajo që po ndodhte në terren, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemet reale te telenovela me apo LSI, me apo PD, me apo pa partitë e vogla, me apo tuta…
“Edi Rama nuk mund të jetë euforik sot edhe për faktin e qartë se ai luajti në një fushë, thuajse pa kundërshtarë, përballë një ekipi që nuk mendoi për fitore por për koeficientin e rezultatit. Ai fitoi përballë dikujt që kishte kundërshtuar ashpër rregullat e përçudnuar prej tij dhe papritur i pranoi ato pak minuta para fillimit të ndeshjes. E cila në fakt nuk ishte një ndeshje, por dalje në fushë për të legjitimuar një garë të trukuar. Ata qindra-mijëra mbështetës të Partisë Demokratike, ndihen sot dyfish zemërthyer, sepse nuk kanë mundësi të përjetojnë as dinjitetin e humbjes dhe as të ngrenë zërin për padrejtësinë, të cilën ekipi i tyre e amnistoi në minutën e fundit”- shkruan ai.
Sipas Shkullakut, “as ata që sot bërtasin fitore, nuk kanë arsye të ndihen krenarë. Edhe ata e dinë se si e arritën këtë fitore. Prandaj entuziazmi nuk i shkon Edi Ramës. Një ndeshje e trukuar kënaq vetëm fanatikët, të tjerët druhen se në një përballje të vërtetë mund të humbin gjithçka. Sot, Edi Rama ka të drejtë t’i gëzohet timonit, por nuk do të ndiejë asnjë kënaqësi t’i japë makinës”.